2012-11-28 18:04:33

Prof. Ernest Koliqi: SMAJL QEMALI


Atdhé! êmen tingllues qi si kângë zâne,
me t’rrahun flatrash, ktû kalon n’ajri
sá fort n’kohë t’ligë, n’dishîr zêmbren e bâne
m u dridhë kur na tue fshâ ty t’ndryshim n’gji.
Vetëm ânderr vjerrshtarësh ishte ti atëherë,
t’cillve, tue kndue mbi lyrë t’hershmet kujtime,
i u çilej ardhmenija n’qiell t’kalterë,
e t’shifshin ty shkelzyese, n’per vegime,
Por n’errsi, qi n’gjith ânët qiellen kish mblue,
komi s’hetonte kurrnji shêj agimi:
flije e fatit t’padrejtë, vuente, ngarkue
me vargojt e robnîs, pa shpresë shpëtimi.

Ç’farë m’u dikue nder dej guxim hyjnuer,
dyshimet tue dermue qi n’shpîrt ushqeshe?
Ç’farë lajm drite shkelxej n’terr shekulluer,
qi, shpresa e ndrydhun, turrshëm m’u çue peshë?
Ndandori, plot me fate, ish kah kalote
e komi heshte, n’terr t’robnîs plandosun:
por zbardhe, o ditë, o shêj i artë n’per mote,
qi kohna e fate t’liga prûene n’t’sosun.
Me hov t’vigâjve t’rî, motet pertrina:
flamurin rroka t’madhit Skanderbé
e mbi qytet t’Liris, mâ i parë, e ngrîna,
tu’u dhanë shqiptarvet, zhytë n’plogti, nji atdhé!...

Mos u ligshtoni as sot se prap Shqipnija
n’dritë, e n’lumni do t’gzojë agime t’reja:
n’zêmber t’rivet s’â afikë, jo, athedashtnija,
n’ftyra t’gjalla flakon plot dritë Ideja,
T’rît, po, kushtrimet t’ueja kan me pritë
e, flamujt t’onë me dorë t’arenzët tue rrokë,
nder mâje t’epra komin kan m’e njitë,
tue korrë t’tânë larin qi bleron n’ket tokë.

Flakrò, flamur, perherë neper fitore,
porsi êngjull ngallnimi tue fluturuem;
prorë mblò, me hijen shêjtë, token arbnore,
mbi bâll t’shqiptarvet, n’erë të lîr tue valuem.







All the contents on this site are copyrighted ©.