2012-11-28 13:33:36

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: P. Paulin Margjokaj “Vjeshtë 1912. kujtime...”


Turku - don Shqipninë, shqiptari - e trathtonNji ditë vjeshtet 1911! Në salen teatrare1 të lagjes së Gjuhadolit në Shkoder po tfaqej melodrami me titull” Shqiptari i Qytetnuem2. Në duken e parë të pjesës së parë po del Shqiptari e po shqipton me të madhe entuzjasem kto fjalë:
Shqyptar un jam. Ke najto mâje t’rrmyeshme,
Randë t’ngarkueme me borë, e qi kah qiella
T’hjedhta e t’madhnueshme si vigâj naltohen,
Thue janë muroja e Shqiptarís kreshnike,
Prej ka’ edhe sýnin porsi rrfé Lirija
Shekullit i a lshon pa u tutë, atje un kam lè,
Atje pik s’parit, me brohorí të zêmers
Tue kndue fatosat, larg permendë mí dhé
Per besë edhe per Fé,
Me armë un u vllaznova
E me luftue per Besë e Fé u msova.
Të parët mue tjeter trashigim nuk m’lane,
Veç Fén m’a lanë t’hyjnueshme,
Por besen m’lanë shqyptare,
Por aren t’ême m’lane t’trashigueshme,
Qi kurr parmenda e huej
Nuk e livroi, as t’dhetë nuk i lau kuej.
E kurdoherë anmiku ká guzue
Me m’prekun n’kto trí t’mira
Qi prej të Parit i trashgova t’lira,
Me armë në dorë e bâna me u pendue.

Kryengritja e madhe e Malsisë dhe mizoritë e pashoqe të Turgut Pashës kishin perfundue me nji marrveshtje mes qeverisë turke dhe Arqipeshkvit të Shkodres, Emzot Ják Serreqit. Kshtuqi në veren e 1911 ishte qetsí, megjithse nji qetsí si ajo para nji stuhije qi do të shperthejë në vitet e ardhshme.
Po i a lâmë ktu njiherë fjalen nji kronisti qi u gjet pranë në tfaqjen teatrare të çekun tashti. Ky kronist âsht frati Justin Rrota. Në blênin perkujtimuer qi pat kenë botue nji vjetë mbas dekës së Gjergj Fishtës(1941) Rrota pat shkrue sa vijon:
“Shkollat françeskane kremtójn 50 vjetorin e themelimit. Drejtuer âsht auktori i Lahutës. A kishte si festohej kjo rasë e gzueshme e mâ së parës shkollë shqype, perpa u ndie per së gjallit.
Drejtori e dijte mirë se Turku ato premtime lirijet, të dhanuna ashtu si neper dhambë në rasen e xhemjetit, shkojte dita me ditë tue i lpî. Prandej lypej guzim me tfaqun në nji apoteozë publike Shqypnín e lirë, aty para Valis e zabitllarvet të Turkis, të grishun në kremtim!
Edhe Pater Gjergji u trimnue. Gatoi melodramin patetik Shqyptari i qytetnuem. Kështu qi at natë, në mjedis të salonit, në kulmin e entuzjasmës, u ndien zâne qi brohoriten të madhe, tue i urue jetë Shqypnís.
N’at rasë, neper driten e llampavet, prej korit të kangtorisë pash se burra me mustakë e pleq me thîja, të permalluem, kjajshin si fëmija.
Per zemren e poetit kje pernjimend nji triumf. Kurr s’e dij t’a kemi pà mâ të piklluem se aso here. Mbas tfaqjes, dukej i lodhun e shkoi me rá. Né qi i rrijshim per rreth na tha: “ Ju s’mund t’a merrni me mend sa fort jam i permalluem sonte. Duhet me pasë hjekë keq si na, per me më kuptue. Des konden per punë të Shqypnis tash qi i a mbrrijta edhe ksaj: Me i rritun jeten nder sý të Pashës!”
Ne e nesre na erdh fjala se Bedri Pasha, i trandun e tue rá në mendim nga shka kishte vertetue at natë në salonin e Shkollave Françeskane, i rrahi telegram qeverisë së vet në Stambollë gati tekstualisht kso dore: “Populli shqyptar ká nisë të zgjohet. Me shka po shoh un, ndiesít e pamvarsis kombtare nder ta kan mbrrijtë aqë sa e gjykoj teper të vonë e të kotë çdo pengim a luftë qi të duem me u bâ”.
Pak dit mâ vonë, Mbasardhsi i Bedris, Hasan Rizaja i pafat, miku i perzemert i Fishtës, - e thonë se edhe i Shqypnís – tue u gjetë në tfaqje analoge, kah duel ia shterngoi doren e u pergzue me auktorin.
Nji aso ditësh Hasan Rizaja i çoi fjalë t’i shkruete nji marrsh shqip, per t’u a msue ushtarvet shqiptarë m’e këndue, kur delshin në manovra. Pater Gjergji me të zi çë priti. I a çoi; e ket marsh Pasha ia shperbleu njiqind fish. Kur ndonji herë dojshim m’e gergá, ai na lavdohej: “E keni keq! Kqyrni, Hasan Rizaja, ai u a ka dijtë vleren vjerrshavet të mija: M’i ka pague, strofë e lirë turkut, ari së kulluet!”
E i bâhej zemra sa mal kur i ndiete ushtarët shqyptarë, në kohen e Turkís, tue kndue shqyp per të gjatë të Fushës së Çelës.
Nji tjeter kronist nuk perkon krejt me shka na kumbton Rrota. Pal Dodaj në të njejten veper të citueme sypri na thotë kshtu:
“Megjithse kan kalue 30 vjet, më bjen nder mend si sot se, prejsè duel mirë ai melodram, kû muer pjesë edhe Valija i qytetit, Hasan Rizaja, ne e nesre mbasi u tfaq, i telegrafoi qeverisë në Konstantinopull: “Âsht nevoja me e shtî në binar e jo me e ndrydhë nacjonalizmin shqyptar”.
Sypri na thohet se Bedri Pasha kje ai qi telegrafoi në Stambollë, ktu na thohet se kje Hasan Rizaja. A thue kan telegrafue të dy apo vetem njani? Por cili âsht kenë nder kta të dy? Simbas lajmit qi na jep Rrota, pak ditë mâ vonë Hasan Rizaja nxuni kamben e Bedri Pashës si Valí i Shkodres, dhe shton e thotë se Hasan Rizaja, tue u gjetë në tfaqje analoge, kur duel i ka shterngue doren Fishtës e âsht pergzue for me tê. Mund të jetë prà qi si njani si tjetri kan telegrafue në Stambollë për punë të tfaqjes qi ata panë në teatrin e Gjuhadolit. Ká gjasë qi melodrami pat kenë tfaqë mâ se nji herë.
Sido kjoftë, na njiherë ktu po e kemi emnin e Turkut, për të cilin qysh në titull e theksuem se dote Shqipninë; ky âsht Hasan Riza Pasha. Por ené nuk ka ardhë ngjarja, per të cilen ai e fitoi lavdimin e të gjith Shqiptarve.
Shkurt e me nji fjalë, nder ditt e para të nandorit (prá mbas vetem dý javësh qi pat nisë lufta e Ballkanit kudnra Turkisë) mund të thohet qi ushtritë turke ishin të dbueme nga Ballkani. Perposë kryeqytetit e nji rrypi të vogel toket per rreth (Çatalxhe), si edhe Edrenes së rrethueme, ishin ené të pazaptueme prej Ballkanasvet vetem Shqipnija e Jugut (do të kuptohet ktu Shqipnija me kufij të tashem) si edhe Janina e Shkodra. Në ket mndyrë kje e mundun qi me 28 nanduer 1912 të çpallej Shqipnija në vete. Me pasë kenë në Vlonë Grekët apor ndonji nga aleatët e tyne, nuk do të kishin pasë se si me u bashkue Ismajl Qemali e Luigj Gurakuqi e tjerë perfaqsues të viseve të ndryshme shqiptare e me krye aktin solemn të ngrehjes së Flamurit të lirisë në Vlonen e paharrueshme.Vlona prej anës së detit âsht kenë e bllokueme prej flotës greke, por patriott tanë shkuen neper tokë prej Durrësit e në Vlonë.
Me 4 nanduer 1912 Turkija pat kerkue zyrtarisht nji nderhymje të Fuqive të Mdhaja, por kto pernjiherë nuk u trazuen fort. Vetem se ministri i jashtem anglez, Sir Edward Grey, propozoi qi të bashkohet në London nji konferencë permanente e ambashatorve të Fuqive të Mdha. Nderkaq luftimet vazhdojnë gjithnji. Bullgarët qi kishin mbrijtë deri te viza e fortifikueme e Çatalxhes, provuen me 17 nanduer nji sulm të fortë per t’i shperthye kalatë e me çilë rrugen per Stambollë. Por menjeherë u kujtuen Bullgarët se se turqit kishin shkue tue u forcue përherë e mâ fort. Njimend Bullgarët mbrijten me pushtue nji grimë tokë, porse e panë se lypen mjete mâ të mdhaja e therorí njerzish ma të shumta per t’i a mbrijtë qellimit. Bullgarët kan qitë në luftë krejt ushtirnë e tyne, per të mbrrijtë në Stambollë, qytet qi ata e dinë se nuk kan per të mujtë me e mbajtë në dorë, edhe po u duel me hi mbrenda. Sepse Fuqitë e Mdha të gjitha, prá edhe Rusija, e kan kshillue Bullgarinë qi mos të vêjë dorë në Stambollë madje ato kishin dergue edhe reparta ushtarake aty afer, qi ishin shenjue jo vetem per të mbrojtë ambashatat e legacjonet.
Fuqitë e Mdha nuk dojshin me lêjue qi të ndrrohej ndoj gjâ në rrezhimin e Stambollit dhe sidomos nuk dojshin ndoj ndrrim nder Ngushticat detare (Bosfor e Dardanele). Per mâ teper Rumenija e Bullgarija ishin prishë njana me tjetren qyshse Dobruxha (me popullatë mâ fort bullgare) i kishte shkue Rumenisë, mjesá kjo ishte kenë e ngushtueme t’i lshojë Rusisë Besarabinë.
Bullgarët nuk dijten si të bâjnë ndryshej veç të pranojnë kerkesat qi bâte anmiku per të hî në bisedime per nji armëpushim. Me 25 nanduer filluen bisedimet qi u shtynë deri me 3 kallnduer, ditë në të cilen u caktue nji armëpushim mes Turkisë e Bullgarisë. Edhe Serbija e Mali i Zí ishin per armëpushim mjesá Grekija dote armëpushim vetem per gjysë, due me thanë ajo dote t’a vazhdote luften per detë. Në të njajten ditë, me 3 kallnduer, u ndá e u pranue prej të gjithë besëlidhunve qi me daten 16 kallnduer 1913 me u bashkue në London per konferencen e Pagjës.
Duhet pasë prá para sysh qi në London tashti punojnë dy mbledhje nderkombtare të ndryshme e shpesh krejt kundra njana tjetres. Në njanen anë âsht “Kshilli i Madh” i Ambashatorvet të Fuqive të Mdha e në tjetren âsht Konferenca e Pagjës kû marrin pjesë perfaqsues të kater shteteve në luftë tundra Turkís.
Menjeherë në fillim u pá se sa vshtirë ishte me rá në godi. Turqit nuk dojshin ashtu kollaj me lëshue tokët qi i kishin tash qindra vjetësh në dorë. Besëlidhunt ballkanikë lypshin me doemos qi Edrena t’i lëshohet Bullgarisë. “Ose Edrenen ose prap luftë” – kto ishin fjalët e Ballkanasvet! Ket kerkesë e gjykojshin të drejtë edhe Fuqitë e Mdha. Por Edrena ishte enè e rrethueme e jo e zaptueme. Me 22 kallnduer Turkija fillon t’i ulë fjalët edhe persá u perket ishujve t’Egjeut qi don t’i merrte Grekija. Por nderkaq ndodhi dishka qi vûni në dedé çdo zgjidhje paqsore. Nji kryengritje e Turqvet të Rijë, me Enver Bey Pashen në krye, shtjen në dorë fuqinë tue mbytë ministrin e luftës dhe tue formue nji qeverí të ré. Vendimi i parë qi merr kjo qeverí kje: luftë deri në fund!

Marrë nga “Hylli i Dritës, n. 2, 2012; Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për pavarsí të Shqipnisë; Kapitull i katert, fq 3-7.







All the contents on this site are copyrighted ©.