2012-11-28 15:25:12

Kisha Katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Antologji lirike atdhetare


Filip Shiroka: “Shko dallndyshë”

Udha e mbarë, se erdh pranvera,
shko, dallëndyshë, tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqypni shko pra fluturim,
shko në Shkodër, n'gjytet tim.

Shndet prej mejet të m'i falesh
‘saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim.

Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt’ e fminisë,
shko n’at kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha qi m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet gjytetit tim.

T'mujshe edh’ un' me fluturue
dojsh’ dhe un' me u nisë me ty,
dojshe n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
e ti qajma fatin tim.

Dhe kur t’mërrish në Fushë t’Rmajit,
dallndyshë ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend vajit,
t’nanës e t’babës qi m’kanë mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni
n’ato vorre me vajtue,
ti dallndyshë, veshun në zi,
ti aty pra qaj për mue,
me nj’at za t’përmallshëm shqim,
kangën tande për vajtim!

Imzot Vinçenc Prennushi: “Kuq e zi (28 nanduer)”

Fishkllon veri, ushton duhija,
Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
Por kjo stinë për ne â me orë,
Qysh se i lule me rrit desht:
Rriti lulen kuq e zi,
Qi â ma e bukra e ksajë Shqypni.
Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqypnis;
Lule â kjo, lule lirike,
Qi ne nderën n'vend na e çon,
T'falem, lule kuq e zi,
Si ty s'rritë mâ kjo Shqypni.
Kuq si gjaku, si përhera
N'dej t'Shqyptarve idhtë pat vlue,
Zi si futa, qi pat mlue
Njat anmik qi me e njoft s'desht.
T'falem, lule kuq e zi,
S't'ka kush, jo, posë ksajë Shqypni.
Ty t'bájnë burra nder lamije,
Vashvet parzmat jau stolise;
Je nderue nder kome e fise,
Si dhanti e t'Naltit Zot.
Shejtë â lulja kuq e zi
E â ma e çmueshmja e ksajë Shqypni.
N'çdo kremtim, n'gzime komtare
Mbledhë Shqyptari çetë mas çete,
Gjallnim s'ka, nuk nep shej jete,
Kur ket lule ngjet s'e shef.
Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
Qi â ma e hiejshmja e ksajë Shqypni.
Rueje, pra, Shqypni fatlume,
Ket dhantin e t'Përgjithmonit,
Afer lterit, afer fronit,
Nder dir gzimit e n'mjerim,
Rueje lulen kuq e zi
Qi s'ka shoqen n'ket Shqypni.

Imzot Vinçenc Prennushi: Vasha që qindisi Flamurin
(fragment)
... ... ... ... ... ... ...
“Merr pëlhurën qi pat ênë...
Bija e saj; kishte pasë kênë
kuq e zi e n’tê qindisë,
gjet dashtninë qi e kish molisë.
N’krye t’flamurit kish punue,
Për rreth Shqypje, m’dorë prarue
Fjalt e hershme, fjalt’ e t’ parve:
se Shqypnija âsht e shqyptarëve;
E nder skâje fjal’t “liri”.
Merr ket flamur kuq e zi
Merr nan-shkreta e pshtjell at bí
Qi, pa njoft’tjeter dashtëní
ishte shkri veç per Shqypni!

“Grueja shqyptare”; “Gjeth e lule”, Bot II, 1931, fq 21-25

Atë Gjergj Fishta: Shqypnia e lirë!
(fragment)

Jo, po: a s'desht djalli Shqypni?
Jo, po: a s'desht hasmi shqyptarë?
Qe, pra, sod po ka Shqypni;
Qe, pra, sod po ka shqyptarë.
Jo, po: ka Shqypni, per Zotin!
Ka shqyptarë, qi n'qark agzotin
Ata e bâjn p'r'i kurrgjasend….
... Po, por neser me ndihmë të Zotit
Do t’a bâjmë prap Shqypnín t' lirë
Prej Prevezet m' Leqe t'Hotit
Prej Tivarit m' Monastir.
Edhe Flamuri i Shqypnís
Si flakë mnijet t' Perendís
Do t' valvitet m' Kaçanik
M' Kaçanik , po do te valvitet
Kuq e zi Flamri i shqyptarëve
Perse toka shqyp ku flitet
Ajo vetë âsht qi prej t'Parëve
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo mâ s'do t' shklasë,
Posë atëherë, kur vjen per mik.
Jo, po na sod ktû sundojm
Ktu s'hecë fjala e tjeterkuej
Gjáll Lirín na nuk e lshojm,
S'njohim mbret as krajl të huej
Zoti n'qiell e na mbí tokë
Me gjithkend vllazen e shokë
Po se i cilli m'cak te vet...
Ç’ merr prej kreshtet s’Veleçikut
E dér poshtë në kep të Shtiellit
P’r inád t’djallit e t’ anmikut,
Sot, si shkrue kje m’liber t’qiellit,
Shkrue me gisht t’ nji Perendije –
Flamri kuq e zi lshon hije
Anë e kand Shqypní â’ ky vend!

Atdheut (strofa e fundit)

Dersa t'mundem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s'kam me t' harrue,
Edhe n'vorr me t' permendë kam.

Atë Gjergj Fishta “Mrizi i Zanave”, Shtypshkronja A. Gj. Fishta, Shkodër, 1941, fq 9, 11, 12.

A. Gjergj Fishta: Sugrite mortui!
(Çohi, të dekun!)
… … … … … … … … … … … … …
E n'kjoftë se lypet prej s'hyjnueshmes Mní,
Qi flije t'bahet ndo'i Shqyptár m'therore,
Qe, mue tek m'kini, merrni e m'bâni fli
Për shqyptari, me shue çdo mní mizore. -
Oh! edhè pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n'Drî
E porsi krandja e thát n'nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë, me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me zâ,
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!

Marrë nga ‘Mrizi i Zânave”, Shkoder, Shtypshkroja “A. GJ. Fishta”, 1941, fq. 47

Pashko Vasa: “O moj Shqypni”

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
kush të ka qit me krye n'hi?
Ti ke pas ken nji zoj e rand,
burrat e dheut të thirshin nanë.
Ke pas shum t'mira e shum begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
gja e vend shumë, ara e bashtina,
me arm të bardha e me pushk ltina,
me burra trima, me gra t’dlira;
ti ndër gjith shoqet ke ken ma e mira!
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
ka ken për luft e n'luft ka dekun
e dhunë mbrapa kurr s'i metun.
Kur ka lidh besën burri i Shqypnís,
i ka shti dridhen gjithë Rumelís;
ndër lufta t'rrebta gjithkund ka ra,
me faqe t'bardhë gjithmon asht da!
Por sot, Shqypni, po m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe!
Shkon bota sipri, me kamb e shklet
e nji fjalë t'ambël askush s'ia flet.
Si mal me bor, si fush me lule
ke pas ken veshun, sot je me crule,
e nuk t’ ka metun as emn as bes;
vet e ke prishun për faqe t'zez!
Shqyptar, me vllazën jeni t’u vra,
ndër nji qind çeta jeni shpërda;
sa thon kam fe, sa thonë kam din;
njeni: jam turk", tjetri: latin;
do thon: jam grek", shkje disa tjerë,
por jeni vllazën t'gjith more t'mjer!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
për me ju da e me ju vorfnue!1
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
me ju turpnue me grue e me motër,
e për sa pare qi do t'fitoni,
besën e t'parve t'gjith e harroni,
baheni robt e njerit t'huej,
qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej!
Kjani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqyptari u zu si zok ndër leqe!
Kjani ju trima bashk me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe,
e s'i ka metun as buk as mish,
as zjarm në votër, as dritë, as pish;
as gjak në faqe, as nder ndër shok,
por asht rrëxue e bamun trok!
Mblidhnju ju varza, mblidhnju ju gra,
me ata sy t'bukur q'dini me qa,
eni t'vajtojm Shqypninë e mjer,
qi met' e shkret pa emn, pa nder;
ka met e vej si grue pa burr,
Ka met si nan, qi s'pat djal kurr!
Kujt i ban zemra me e lan me dek
kët far trimneshet qi sot asht mek?
Kët nan të dashtun a do ta lam,
qi njeri i huej ta shklas me kamb?
Nuk, nuk! Këtë marre askush s'e do
kët faqe t'zez gjithkush e dro!
Para se t'hupet kështu Shqypnia,
me pushk në dorë le t'des trimnija!
Çonju, Shqyptar, prej gjumit çonju,
të gjith si vllazën n'nji bes shtërngonju,
e mos shikjoni kish e xhamija:
feja e Shqyptarit asht shqyptarija!2
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
gjithkund lshon dielli vap edhe rrezë,
asht tok e jona, t’part na e kan lan
kush mos na e preki, se desim t'tan
Desim si burrat qi diqne motit
E mos turpnohna përpara Zotit.

Marrë nga ‘Antologji e letërsisë shqipe’, Tiranë, 1960, fq 177-179.
1 Këto vargje, të komentuara gjithnjë në mënyrë tendencioze, duke u nisur nga këndvështrimi ateist-marksist, në shërbim të tiranisë, nuk kanë e nuk mund të kenë për qëllim t’i kundërvihen kishave a xhamive. Janë padi poetike kundër klerikëve, që i hoqën binomit “Për Fe e Atme”, pjesën e dytë, ca duke pohuar se kanë fe, të tjerë, din; njeni se është turk, tjetri, latin; do se janë grekë e shkje disa tjerë, në sa poeti thekson me forcë se ‘janë të gjithë vëllazën!”. E që Pashko Vasa s’e kishte as me kishën as me xhaminë e aq më pak me Zotin, e dëshmon vargu përmbyllës i gjithë këtij manifesti të fuqishëm të Rilindjes: “E të mos turpnohna përpara Zotit”. Pa harruar të theksojmë se Poeti Shkodran u bë Pashë duke ruajtur me dashuri emrin e tij katolik, Pashko, gjë që pak e kush e bëri në sa ngjiste këmbët e shkallës, që çonin në fronet e pashallëqeve.
2 Komenti i mësipërm ka vlerë edhe për këto dy vargje. Dom Ndre Mjedja “Liria” - I -
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni:
a shndritë rreze lirije mb’ato maja;
mbi bjeshkë të thepisuna e nd'ograja,
ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndokush, kah fluturoni
nëpër shkrepa, me ushtue kangën e sajë,
a keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqype, o zogjët e maleve, kallxoni!

"Lirim, lirim”, bërtet gjithëkah Malcija.
A ka lirim ky dhe qi na shklet kamba,
a veç t'mjerin e mblon anëmbanë robnija?

Flutro, shqype, flutro kah çilet lama,
siellju maleve për rreth qi ka Shqypnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.

- VI -
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
lodhun prej hekrash që mizori i njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyrë, ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'atdheut; mshehtas shetiti
kësollë për kësollë rreth buneve e soditi
frymë t’ re tue shprazun për gjithkahna, hija

e Skanderbegut. Qe, ndër djepa rrisin
nanat e Hotit djelmninë ushtore
e idhnim n'anmikun nëpër gji i u qisin.

E nalt ndër maje, bukuri mbretnore,
hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
me thoj t’harkuem shqypja arbënore.

Gjuha shqype

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon*;)
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................
Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.
Geg' e tosk', malsi, jallia**)
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.
Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.***)
Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.
E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Ernest Koliqi: Gjuhës shqipe
… … … … … … … … … … … … …
O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash
Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku
Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande,
Shprehje t’ kulluet na ep si akull gurrash
Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku
E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande;
Thjeshtin e ambel t`ande
Me ndjell` dashnín e vashavet qi t`flasin
Falja poetve t`u, por n`qe se kamben
Buzes amtare kush ia ven, ti çasin
Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.
O Kangë, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi;
Ti kris si za burije
Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije…

Martin Camaj: Valle Rugove

Shkyenje qiellin, zurla,
e kaltersia e sferave te nalta
le te bieje mbi ne si shi.

Kamba e tupani çajnë tokën e me duer
vrikllojme na shpatat e me duer sutat
ne mal i kapim në pikë te vrapit.

Mos e ulni zanin, kangtarë, pse me bie
nder gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshë m´a ndan krahnorin.

Larg atyne, që flasin si unë

Fishkllin erë ndër shelqe të ngime
me ujna prrojesh
veshtroj, te zanafillja, truemje
se si falen dreqit shpirt e korp,
be të forta
mbi gur, qiell e dhe.

Jam larg atyne që flasin si unë
sa hana që bie prej rrezje në rreze
e pi qumësht n´vedra lanun jashtë
për me vu mazë.

Hutini i shkambit n´agim
dhe guri n´ujë përpijnë tingullin
e kuvendit të keq: n´agim
njeriu bekon diellin, si unë!

Më falni diçka

Më falni diçkà që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhí,
më shikoni si hana nëpër rremba
e kam me u falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrrat e synit të sáj
do të derdhi lòt.
Avitu, njerí!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë.

Mos!
Dy gjana print më thanë kur ishin gjallë:
Poqese shkel ti bukën gand,
Çoje prej toke, puthe e vene në ballë!
Ndigjo ti djalë, pse na jemi pleq.
Kur te rrijsh te votra mbështetë tue pi duhan,
Mos pshtyj në zjarm
Mos pshtyj në dritë, se a keq!

Harrova plot sende që thanë print
Plot tjera mësova e dola ndoshta i larm,
Por bijve t'mij unë kam me u thanë tu'u rritë:
Mos pshtyni në zjarm,
Mos pshtyni në dritë.







All the contents on this site are copyrighted ©.