2012-11-28 16:59:36

Fillon një shekull i ri për Shqipërinë e mosvarme


Festimet e sotme për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë qenë madhështore e bashkuan edhe politikën shqiptare, e cila deri dje, paraqitej e ndarë në kremtime. Por, paraditja e sotme në Vlorë, që nisi me ngritjen e Flamurit kombëtar, për të përkujtuar aktin e Ismail Qemalit të 100 vjetëve më parë, bëri të lihen mënjanë problemet dhe retorika e këtyre ditëve. “Ne dhe flamuri, të pandarë si toka me qiellin” nënvizoi presidenti i Republikës Bujar Nishani, në ceremoninë ku ishin të pranishëm të gjitha autoritetet shqiptare, në pozitë e në opozitë, si edhe krerët e Kosovës e përfaqësuesit diplomatikë. Homazhet, vendosja e kurorave me lule në varrin e Plakut të Vlorës dhe prerja e tortës 12 metërshe karakterizuan përkujtimin e Ditës së Flamurit në qytetin bregdetar shqiptar.
“Prej luftrave të Kastriotëve dhe deri më sot – theksoi në fjalimin e rastit presidenti Nishani, duke u uruar festën të gjithë shqiptarëve, brenda e jashtë atdheut - …ia kemi arritur që të mos të ndahemi nga flamuri dhe t’i dalim zot. Një vend i vogël, pre e synimeve shoviniste, nuk u rrëzua, nuk u shua, u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri, se pati bij të mirë, që deshën e mbrojtën trojet e tyre”.
E veçantë, prania e 11 shqiptarëve të Kosovës, që u nisën 18 ditë më parë në këmbë nga Gjilani, për të qenë në Vlorë më 28 nëntor, me mesazhin “ne jemi një”. Ata i dorëzuan Presidentit të Republikës flamurin kombëtar, duke nënvizuar se sollën “amanetin e të parëve, që dhanë jetën për atdheun”. Këto ditë, qytetarët vlonjatë hapën dyert e shtëpive për të pritur të gjithë shqiptarët, ngado që vinin, për të festuar këtë ditë të shënuar.
Pasdite, në Tiranë, janë zhvilluar veprimtari të tjera. Autoritetet kanë vendosur kurora në monumentin Nënë Shqipëri e kanë marrë pjesë në koncertin festiv në sheshin Skënderbej, në paradën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në ceremoninë e përurimit të përmendores kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, në mbrëmjen solemne akademike në Pallatin e Kongreseve e së fundi, në koncertin e madh në sheshin “Nënë Tereza” me gjithë popullin e kryeqytetit.
Ndërkaq, dje paradite, Qyteti i Pavarësisë nderoi me titullin qytetar nderi akademikun kosovar Rexhep Qosja, shkrimtarin Ismail Kadare(i cili nuk ishte i pranishëm) dhe ish-ambasadorin amerikan Xhon Uidhërs. Pastaj, koncerti i madh në Sheshin e Flamurit. Gjatë kremtimeve, u zbulua shtatorja e Ismail Qemalit. Duke lexuar një pergamenë, që do të ruhet në Muzeun e Pavarësisë, kryeministri Sali Berisha iu drejtua Vlorës me fjalët përkushtuese: “Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-Vjetorin!".








All the contents on this site are copyrighted ©.