2012-11-28 12:00:03

Festë për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në mbarë Vendin


Festimet e sotme për 100-vjetorin e Shqipërisë qenë madhështore, por politika vendase, per habinë e gjithë botës, u paraqit e ndarë, njëlloj si dy kokat e shqiponjës së flamurit. Asnjë përfaqësues i qeverisë nuk mori pjesë në festimet e organizuara nga Bashkia e Vlorës dhe asnjë përfaqësues i Bashkisë dhe i opozitës nuk mori pjesë në festimet e bëra nga qeveria.

Dje paradite, Qyteti i Pavarësisë nderoi me titullin qytetar nderi akademikun kosovar Rexhep Qosja, shkrimtarin Ismail Kadare(i cili nuk ishte i pranishëm) dhe ish-ambasadorin amerikan Xhon Uidhërs. Qytetarët vlonjatë hapën dyert e shtëpive për të pritur të gjithë shqiptarët, ngado që të vinin, për të festuar këtë ditë të shënuar. Gjatë kremtimeve, u zbulua shtatorja e Ismail Qemalit.

Ndërkohë, qeveria, për të cilën dje ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, organizoi një koncert të madh në Sheshin e Flamurit. Në një pergamenë, që do të ruhet në Muzeun e Pavarësisë, kryeministri Berisha i drejtohet Vlorës me fjalët përkushtuese: “Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-Vjetorin!" .
Në mbrëmje, në hollin e një hoteli të Vlorës, u shtrua një darkë e organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku natyrisht mungoi opozita.







All the contents on this site are copyrighted ©.