2012-11-28 16:51:56

Audienca e përgjithshme. Papa: të kumtojmë me jetë se Zoti është pranë çdo njeriu


T’i flasësh botës për Zotin, do të thotë të kumtosh themeloren: se Zoti nuk është ide abstrakte, por dashuri, pranë çdo njeriu, përmes Jezusit. E pohoi Benedikti XVI gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, kryesuar sot paradite në Sallën e Palit VI.

Pyetja e Benediktit XVI është e thjeshtë, por absolutisht jetike për ata që kanë detyrën të kumtojnë Ungjillin: si mund t’u flitet sot njerëzve për Zotin? Në përfundim të katekizmit, Papa dha një përgjigje-sintezë: duhet t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se Zoti nuk është konkurent i jetës së njeriut, por garant i madhështisë së tij. Ai është gjithnjë pranë njeriut, të cilin e do, e shëlbon:
“Zoti nuk është hamendje e largët mbi zanafillën e botës, nuk është inteligjencë matematike tejet e largët nga ne. Zoti interesohet për ne, na do, ka hyrë personalisht në realitetin e historisë sonë, është vetëkomunikuar, deri në mishërim”.
Për të dhënë një shembull sesi mund të flitet për Zotin, Papa ftoi të shikohet mënyra si u lut Jezusi gjatë viteve të misionit të Tij tokësor. Nga Ungjijtë, tha Papa, shikojmë se Jezusi interesohet për çdo situatë njerëzore që takon, hyn thellë në realitetin e burrave e të grave të kohës së tij. E dishepujt, që jetojnë me Jezusin, si dhe turmat, që e takojnë, shikojnë reagimin e tij për problemet më të veçanta, e shikojnë si flet, si sillet:
“Ky stil bëhet një tregues themelor për ne të krishterët: mënyra si e jetojmë fenë dhe dashurinë e krishterë bëhet fjalë e folur për Zotin në të sotmen, sepse dëshmon, me një ekzistencë të jetuar në Krishtin, besueshmërinë dhe realizimin e asaj, që themi me fjalë, të cilat nuk janë thjeshtë fjalë, por dëshmi e realitetit, realitetit të vërtetë”.
Një shembull tjeter Benedikti XVI e mori nga Shën Pali:
Realiteti i parë është se Pali nuk flet për një filozofi të cilën e shpjegon, nuk flet për ide, që i ka gjetur gjetiu a i ka krijuar nga mendja e vet, por flet për realitetin e jetës së tij, flet për Hyjin, që hyri në jetën e tij, flet për një Zot real, që jeton. Realiteti i dytë është se Pali nuk e ka aspak në mendje të krijojë një skuadër admiruesish, nuk dëshiron të hyjë në histori si kreu i një shkolle me dituri të mëdha, nuk është në kërkim të vetvetes. Shën Pali kumton Krishtin!”.
Këto shembuj, kujtoi Papa, tregojnë se të flasësh për Zotin, do të thotë ta kesh krejtësisht të qartë atë, që duhet t’u çojmë burrave e grave të kohës sonë:
“Për këtë, të flasësh për Hyjin duhet të kesh familjaritet me Jezusin e me Ungjillin e tij, duhet ta njohësh personalisht Hyjin e të kesh pasion të fortë për planin e tij të shëlbimit, pa rënë në tundimin e suksesit, por duke ndjekur metodën e vetë Zotit. Metoda e Zotit është ajo e përvujtërisë- Zoti bëhet njëri nga ne–është metoda e realizuar në Mishërimin, në shtëpinë e thjeshtë të Nazaretit e në Shpellën e Betlehemit, është ajo e farës së senapit”.
Së fundi, vendi më i përshtatshëm i zbatimit të kësaj dëshmie, është familja. Të marrësh mbi vete përgjegjësinë e edukimit, të kesh ndjeshmërinë për t’i kuptuar pyetjet fetare, që shqetësojnë shpirtin e fëmijëve, pohoi Papa, është detyrë e prindërve e shkollë e parë e komunikimit të fesë për breznitë e reja.
Në përfundim të përmbledhjes së katekizmit në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI përshëndeti, ndërmjet të tjerëve, të rinjtë, të sapomartuarit e të sëmurët, duke kujtuar edhe Kohën e afër të Ardhjes, si periudhë e posaçme, që na ndihmon të zbulojmë rëndësinë e besimit në Jezusin, të përballojmë vuajtjet, me sytë e drejtuar kah Krishti Fëmijë e të ndjejmë më fort se kurrë në shpirt, praninë e Zotit, sidomos në familjet e sapokrijuara, që këto ditë mund të bëhen Djepi i vetë Zotit Ferishte.








All the contents on this site are copyrighted ©.