Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: “Kush është autori i Flamurit?”
Kush është autori i Flamurit? – ky është argumenti i emisionit të 17-të të rubrikës
“Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë”. Pas njëqind vjetësh, shqiptarët
nuk e kanë ende të qartë kush është autori a autorja e Flamurit Kombëtar. Në fletoren
“Arbëria”, Kristo Floqi shkruan se flamurin, që u ngrit për herë të parë, e pati ‘hartuar’
me duart e saj zonja Marigo Pozio, mbi cohën e blerë te tregtari i stofërave Dhiamanti.
Modelin e shqipes e kishin vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin, Del, kështu,
në dritë, një emër tjetër i mohuar, përfaqësues i Kishës katolike. Dom Marku duhet
të ketë qenë në Korçë kur Marigoja, ende çupë, qindiste pajën. E dëshmon e mbesa,
Zhaneta Poçi, që pohon, në faqet e internetit: “Marigoja e qëndisi flamurin kombëtar
sipas një modeli të Don Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur
ajo ia dha Ismail Qemalit”. Duhet të ketë qenë Dom Marku, pra, që, i pushtuar
nga fryma patriotike të kohës, e frymëzoi vashën (a ndoshta vashat korçare), të qindiste
një flamur kombëtar e ta kishte ndërmjet qindizmave të pajës. Besojmë se prej këndej
u frymëzua, më pas, edhe imzot Vinçenc Prennushi kur shkroi poezinë tejet të njohur
“Grueja shqyptare”. Që dom Mark Vasa ka qenë i pranishëm në ngjarjet e Pavarësisë,
e dëshmon edhe një fotografi , botuar në librin e Bardhosh Gaqes, “Ata që shpallën
Pavarësinë Kombëtare”; SH.B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977, fq 165. Historiani Kristo
Frashëri, në një shkrim të tij, dëshmon: ... me sa dimë modelin e shqiponjës e dha
Luigj Gurakuqi, në vigjilje të festës dhe gjatë natës e qindisi Marigoja”. Eqerem
Bej Vlora, na e përshkruan kështu çështjen e Flamurit, në kujtimet e tij: “Një
javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail
Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma
kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por
që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor
kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore
ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara
as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi.
Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet
miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një
flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa
qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti
më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e
Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë
që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe
në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë “ edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin
edhe aq se ç’po bëhej. Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë
si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë,
disa kosovarë të mirë më thanë: “Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin
e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as
serbi i poshtër, as malazezi morracak. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë
m’u përgjigjën krenarisht : “Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri”. Por natyrisht,
pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik
në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte
zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë.Të jetë ky Flamuri i 28-tës? Përgjigja,
në emisionin e ardhshëm.