2012-11-26 15:13:50

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Mungesat në Ditën e Flamurit, kur u nënshkrua Akti i Pavarësisë.


Në emisionin e 16-të kushtuar kontributit të Kishës katolike për Pavarësinë e Shqipërisë do të flasim për mungesat në ditën e festës së madhe.
Për fat të keq, shumë gjëra i mungojnë Kombit shqiptar këtë muaj, kulmor në kremtimet kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë.
Së pari, mungon origjinali i Aktit të shpalljes së Pavarësisë, nënshkruar ditën e 28 –tës. Të gjitha gjurmët e këtij akti humbasin në vitin 1937, në arkivin e Lef Nosit. Nënshkrues i Aktit të Pavarësisë, koleksionisti i shquar nga Elbasani, kishte ruajtur një kopje të dokumentit, rëndësinë e të cilit e dinte fort mirë. Po dokumenti dhe i zoti patën të njëjtin fat: u zhdukën që të dy. Lef Nosi u pushkatua më 1944 si kolaboracionist, ndërsa koleksioni i tij i famshëm u plaçkit, si shumë pasuri të tjera historike. Por, me sa duket, Dokumenti nuk ishte në këtë koleksion. Deri më 1944, ishte në një kasetë sigurie, që i pëkiste Lef Nosit, në Bankën Shqiptare. Pas kësaj date, u duk një kopje, e paplotë, e montuar, për të zhdukur ca firma të padëshiruara, si ajo e Mid’hat Frashërit, për shembull.
Prej këndej, Shqipëria e pret 100-vjetorin e Pavarësisë me një Akt Pavarësie të fallsifikuar, në të cilin numri i firmave në fund të tekstit nuk përkon me numrin e delegatëve, që kujtohen në organin zyrtar të kohës “Përlindja e Shqipniës”. Besojmë se Shqipëria është një nga vendet e rralla në botë që nuk i njeh emër për emër ata, që e bënë të lirë e të mosvarme.

Fotografia
Veç mungesës së aktit origjinal, nuk kemi asnjë fotografi që ta dokumentojë ditën e 28-tës. Fotografia e vetme, në të cilën shikojmë Ismail Qemalin me flamur në dorë, u bë një vit më vonë, në kryevjetorin e shpalljes së pavarësisë. Fotografia do ta sqaronte një herë e mirë enigmën e flamurit, duke u nisur nga format e hapjes së krahëve e të kthetrave të Shqiponjës, që ndryshojnë në variante e ndryshme të atij, që paraqitet si Flamuri i shpalosur në Ditën e 28-tës, në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës.

Ç’u bënë Njerëzit, që e shpallën Pavarësinë?
Po njerëzit, që e shpallën pavarësinë ç’u bënë? Sigurisht nuk patën fat më të mirë se akti madhor, që patën nënshkruar. Madje ranë të parët viktima të tij. Një pjesë u përzunë ose u detyruan të ravgojnë nëpër botë, si emigrantë politikë, në vite e kohë të ndryshme. Mjafton të kujtojmë tri, nga figurat më në shenj: Ismail Qemali vdiq në Peruxha; Dom Nikollë Kaçorri, në Vjenë (ku kishte shkuar të mjekonte një kancer në stomak), Luigj Gurakuqi, më fatkeq se gjithë të tjerët, u vra tradhtisht në Bari. Ismail Qemali la pas dy djem, trashëgimtarë të gjakut të tij. Po dom Nikolla, që ishte prift, pra i pamartuar e Luigj Gurakuqi, që pati deklaruar se qe martuar me Shqipërinë, lanë pas vetëm Pavarësinë në fasha, që e lindën dhe e përkundën në djepin e Vlorës!
Një pjesë mirë e atyre, që shpëtuan nga ky fat i zi e mbetën në atdhe, u pushkatuan më 1944 nga komunistët, si shpëblim për aktin e madh që kishin kryer. Pak, shumë pak mbyllën sytë, krejtësisht të harruar, në shtëpitë e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.