2012-11-26 16:24:02

DBR: u hapën punimet e takimit botëror përgatitor


U hapën mbrëmë, me një Meshë, kremtuar në Kishën e Zojës Karmë, në Rio-de- Zhanéjro, punimet e takimit ndërkombëtar për përgatitjen e Ditës Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në qytetin brazilian nga 23 deri më 28 korrik 2013. Më se 200 delegatë të baritorisë rinore, përfaqësues të 70 vendeve, morën pjesë në Meshën, kryesuar nga kryeipeshkvi i Rios, imzot Orani Joao Tempesta, në bashkëkremtim me kardinalin Stanislaw Rylko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët dhe organizator i takimit, në bashkëpunim me Komitetin vendas(Col) të DBR-së.
Në homelinë e rastit, sipas agjencisë Sir, kryeipeshkvi vuri në dukje se DBR e sivjetme kremtohet në kuadrin e Vitit të Fesë. Prej këndej, është simbol i përtëritjes së fesë të të rinjve, që mund të bëhen kështu tharm në brum, protagonistë të shoqërisë, për virtyt të Krishtit. Këtë koncept e përforcoi edhe nunci apostolik në Brazil, imzot Giovanni D’Aniello, që nënvizoi se shumë të rinj, të cilët do të jenë të pranishëm në Rio, korrikun e ardhshëm, do t’i japin qytetit dhe mbarë vendit një dëshmi fetare të dukshme e plot gëzim ngjitës e, njëkohësisht, plot pjekuri.
Në përfundim të kremtimit, imzot Tempestës iu dorëzua një letër e prindërve të Chiara Luce Badano, njëra nga të trembëdhjetë ndërmjetësuesit e DBR-së së Rios. Në tekstin, që u lexua publikisht, prindërit urojnë që shembulli i bijës së tyre të shërbejë si model për t’u hapur rrugë të reja shumë të rinjve, që kërkojnë t’i japin kuptim jetës, edhe në kohët tona, kaq të vështira. Letra mbyllet me njoftimin se prindërit e Chiara Luce do të jenë të pranishëm në Rio për DBR-në.
Punimet e konferencës vijuan edhe sot, me fjalën e imzot Tempestës dhe të kardinalit Rylko si dhe me një sërë informacionesh për aspektet praktike të DBR-së, si vizat, vendstrehimet, regjistrimi, siguria, ushqimi, vendet e lutjeve e të Meshës përfundimtare.
Nesër në program janë diskutimet, që kanë të bëjnë me sektorin e vullnetarëve, përkthimet, panairin e thirrjeve dhe Javën kushtuar thirrjeve të reja meshtarake.
Ditën e mërkurë do të mbahet një takim me institucionet komunale, rajonale e kombëtare. Në mbyllje, përfundimet e kardinalit Rylko e të imzot Tempestës kushtuar arritjeve të takimit, vizita në shenjtëroren e Korkovados e lutja e përbashkët në famullinë e Ipanemës.








All the contents on this site are copyrighted ©.