Veprimtaritë javore për 100-vjetorin e Pavarësisë në Romë
Java e kaluar ishte e mbushur me veprimtari për 100-vjetorin e Pavarësisë. Kremtimet
nëpër qytetet e ndryshme të Shqipërisë nuk kanë fund, por edhe në vende të tjera,
ku jetojnë shqiptarë, ambasadat kanë organizuar një sërë aktivitetesh. Kështu, ambasada
e Shqipërisë në Romë, organizoi pritjen festive për shqiptarët më 22 nëntor. Vetëm
dy ditë më parë, në praninë e Ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti dhe të Ministrit
të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, u hap në kompleksin “Vittoriano”,
ekspozita “thesaret e Pasurisë Kulturore Shqiptare”, e cila mund të vizitohet deri
më 6 janar. Po më 22 nëntor, në Universitetin “La Sapienza” në Romë u mbajt konferenca
“Sa afër, sa larg, 100 vjet Shqipëri e pavarur dhe marrëdhëniet shqiptaro-italiane”. Sipas
traditës së përvitshme, dje, në orën 17.00, Kolegji Papnor Grek dhe Bashkësia bizantine
e Shën Athanasit në Romë, pra arbëreshët e kryeqytetit italian, mbajtën konferencën
“Pavarësia e Shqipërisë dhe bektashijtë”. Protagoniste e këtij takimi, profesoresha
Luisa Guidetti, e cila mbajti kumtesën kryesore. Ndërkaq, sot, në kishën e emigrantëve
katolikë shqiptarë në kryeqytetin italian, shën Gjoni i Malvës, në zemër të lagjes
së lashtë romake Trastevere, u mbajt një koncert me titull “Foleja e shqiponjave”.
Me drejtues artistik Tonin Xhanxhafilin, koncerti u kënaqi shpirtin spektatorëve me
këngë e melodi popullore, por edhe me pjesë nga kompozitorë të njohur botërorë. Të
veçanta baletet e fëmijëve, me koreografi të Xhada Tuciit. E nuk përfundon këtu.
Një festë tjetër i pret shqiptarët më 27 nëntor, në Hotelin “Croëne Plaza” në Romë,
organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Të ftuarit do t’i presë
ambasadori, SH.T., z. Rrok Logu me bashkëshorten. Por t’i kthehemi kuptimit të festës
së 100-vjetorit të Pavarësisë e sidomos Shqipërisë së pas festës. Në mikrofonin tonë,
ambasadori i Shqipërisë në Itali, SH.T., z. Llesh Kola…