2012-11-25 16:53:21

Solemniteti i Krishtit Mbret. Papa: pushteti i Jezusit është ai i së vërtetës dhe i dashurisë e nuk do të bjerrë kurrë


Pushteti i Jezusit është ai i së vërtetës dhe i dashurisë e nuk do të bjerrë kurrë: kështu tha Papa sot paradite, në Meshën e Solemnitetit të Krishtit Mbret, kremtuar në Vatikan së bashku me gjashtë kardinajtë e rinj, që i krijoi në Koncistorin e djeshëm. Homelia e Benediktit XVI u përqendrua krejtësisht në kuptimin e festës së sotme, e cila na nxit ta pyesim veten nëse Jezusi është vërtet mbreti i jetës sonë, nëse tërhiqemi nga dashuria e Tij, apo na intereson më shumë pushteti i kësaj bote. Papa na fton të shohim drejt së ardhmes, drejt horizontit të fundëm të historisë, që s’është tjetër, veçse mbretëria përfundimtare dhe e amshuar e Krishtit, kur Ai do të dëftohet me gjithë pushtetin e vet për të gjykuar të gjallët e të vdekurit.
Sa kohë ishte në tokë, Jezusi zgjodhi udhën e përvujtërisë e të kryqit. Njerëzit, që prisnin një Mesi, i cili do të vendoste drejtësinë me forcën e Tij hyjnore, pra me dhunë, mbetën të zhgënjyer. Edhe dishepujt e Krishtit, pavarësisht se kishin jetuar së bashku me Jezusin e i kishin dëgjuar Fjalët e Tij, mendonin se mbretëria qiellore ishte një lloj mbretërie politike, e vendosur, edhe me ndihmën e forcës, shpjegoi Ati i Shenjtë:
“Në Gjetsemani, Pjetri nxorri shpatën nga milli dhe filloi të luftojë, por Jezusi e ndali (shih Gjn 18,10-11). Ai nuk donte të mbrohej me armë, por të plotësonte vullnetin e Atit deri në fund e ta vendoste mbretërinë e vet jo me armë e me dhunë, por me brishtësinë në dukje të dashurisë, që dhuron jetën. Mbretëria e Zotit është krejtësisht e ndryshme nga ato tokësore”.
Edhe Ponci Pilat u çudit para Jezusit, që fliste për një pushtet, i cili nuk i përgjigjej logjikës së mbizotërimit e të forcës:
“Pushteti i Mesisë së vertetë, pushtet që nuk perëndon kurrë e që nuk mund të bjerrë kurrë, nuk është ai i mbretërive të tokës, që ndërtohen e shkatërrohen, por është pushteti i së vërtetës dhe i dashurisë. Kështu kuptojmë si mbretëria e kumtuar nga Jezusi përmes shembëlltyrave dhe e shfaqur haptas e qartë para Prokurorit romak, është mbretëria e së vërtetës, e vetmja, që u jep të gjitha gjërave dritën dhe madhështinë e tyre”.
Ata, që ndjekin Krishtin, në udhën e Kryqit, marrin pjesë në këtë mbretëri:
“Me flijimin e Tij, Jezusi na hapi rrugën për marrëdhënie të thella me Hyjin: në Të, bëhemi bij të vërtetë adoptivë, pjesëmarrës në mbretërimin e Tij mbi botën. Atëherë, të jesh dishepull i Jezusit, do të thotë të mos joshesh nga logjika e pushtetit të kësaj bote, por të sjellësh në botë dritën e së vërtetës dhe të dashurisë së Zotit”.
Solemniteti i Krishtit Mbret është pra, një ftesë e fuqishme për ta kthyer zemrën gjithnjë kah mbretëria e Zotit, duke pranuar sundimin e Hyjit, që sjell të Vërtetën në jetën tonë:
“E kërkojmë këtë përditë në lutjen “Ati ynë” me fjalët “Ardhtë mbretëria jote”, që është sikur t’i themi Jezusit: o Zot, na bëj të jemi të tutë, jeto në ne, mblidhe rreth Teje njerëzimin e vuajtur e të hapërdarë, që në Ty, gjithçka t’i nënshtrohet Atit të mëshirës e të dashurisë”.
Së fundi, Benedikti XI iu drejtua gjashtë kardinajve të rinj dhe i ftoi të dëshmojnë mbretërinë e Hyjit e të vërtetën. Kjo do të thotë, sqaroi Ati i Shenjtë, që Zoti të ketë gjithnjë përparësi në krahasim me interesat e kësaj bote e të pushtetit të saj. Një impenjim, që kërkon dashuri deri në ekstrem, deri në dhënien e jetës për njerëzit e dashur.








All the contents on this site are copyrighted ©.