2012-11-25 18:30:53

Kryeministri Berisha: Mirënjohje Kishës Katolike, meshtarëve të saj të të gjitha kohërave, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar!


(marrë nga www.km.gov.al)
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën me temë "Roli i Kishës Katolike në Pavarësinë e Shqipërinë, Një Vështrim Historik", i organizuar nga Arqipeshkvia Tiranë-Durrës dhe Caritas Albania.
Në Konferencën e cila u hap nga Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Tiranë - Durrës Imzot Rrok Mirdita, merrnin pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, Ministri i TKRS Aldo Bumçi, Drejtori i Caritas Albania Albert Nikolla, besimtarë e të ftuar të tjerë.
Pasi i falenderoi për ftesën e bërë, Kryeministri Berisha u shprehu nderimin që sot sëbashku me drejtuesit e tjerë të tjerë të Kishës nderonte veprën e pavdekshme të Kishës Katolike Shqiptare, në Pavarësinë e Shqipërisë. “Ky 100 vjetor është një rast për të gjithë ne, për të hedhur një vështrim në të shkuarën tonë, për të hedhur një vështrim në historinë tonë, historinë ndër më të dhimbshmet, ndër më të vështirat, histori që i shëmbëllen në tërësinë e saj një kalvari të vërtetë, por në këtë histori spikat në shekuj roli kombëtar i Kishës Katolike. Me meshtarët e saj të mëdhenj janë të lidhura librat e parë të gjuhës sonë. Libra, që fjalën e Zotit e sollën në shqip”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar rolin e meshtarëve, Buzuku, Bogdani, Bardhi, Gjeçovi, e Dom Nikoll Kazazit, - kryeministri Berisha tha, - se vepra e tyre, ishte një vepër që qëndron në themel të shqipes së sotme, vepër, e cila bëri të mundur në kushtet dhe në terrin më të madh, zhvillimin e gjuhës sonë.
Kryeministri u shpreh se për shqiptarët gjuha shqipe është edhe shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtar. Ai u shpreh se Kisha Katolike ishte në krye të përpjekjes së shqiptareve për të rilindur. Rilindja jonë ishte e vonë, e vonshme tashmë për arsye të njohura, por Kisha dhe korifejtë e saj, u shndërruan në krijuesit e veprave më të ndritura, që ndikuan fuqishëm në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, me emrat e Dom Nikoll Kaçorrit, Patër Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës dhe meshtarëve të tjerë të mëdhenj është i lidhur alfabeti i gjuhës sonë. Këta burra mendje ndritur dhanë një kontribut historik, së bashku me dijetarë, gjuhëtarë dhe klerik të besimeve të tjera, për ti dhënë gjuhës germat e alfabetit latin”.
Gjithashtu Kryeministri Berisha, theksoi faktin se roli atdhetar i Kishës ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme në vitet e shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdim.
Moment historik Kryeministri vlerësoi edhe vizitën e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri. “Vizita historike e Papa Gjon Pali i II ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për kombin shqiptarë në rrugën e tij të ndërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, tha Kryeministri.
Duke shprehur mirënjohje për rolin e Kishës Katolike në Pavarësinë e Shqipërisë, Kryeministri Berisha tha se, “sot ne këtë 100 vjetor, natyrisht nuk mund të kemi asnjë urim tjetër përveçse tu urojmë shqiptarëve paqe. 100 vjetori që shkoi ishte 100 vjetor me luftëra të pabarabarta, të pa ndershme, diktatura të egra ndaj dhe le të urojme sëbashku një 100 vjetor në paqe, në liri, në progres , të urojmë të realizojmë projektin tonë të madh Europian, të urojmë të realizojmë projektin tonë të madh kombëtarë të bashkohemi si një komb në Europën e Bashkuar”.
Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:
“Shkëlqesia juaj Imzot Rrok Mirdita
I nderuari z. Dom Gjergj Meta
Të nderuar udhëheqë të Kishës Katolike dhe udhëheqës të komuniteteve fetare
Të dashur të pranishëm
Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën që me bëtë dhe e konsideroj një nder të veçantë, që sot të shpreh sëbashku me ju, të përulem sëbashku me ju, me nderimin më të madh për veprën e pavdekshme të Kishës Katolike shqiptare, në Pavarësinë e Shqipërisë, për pasurimin shpirtëror të kombit shqiptar, të shpreh nderimin tim më të madh, para martirëve të saj, të cilët me besim të madh të palëkundur tek Zoti, tek Krishti, tek Shqipëria u martirizuan dhe u bënë të pavdekshëm, në emër të vlerave hyjnore e njerëzore më të çmuara.
Ky 100 vjetor, është një rast për të gjithë ne, për të hedhur një vështrim në të shkuarën tonë, për të hedhur një vështrim në historinë tonë, historinë ndër më të dhimbshmet, ndër më të vështirat, histori që i shëmbëllen në tërësinë e saj një kalvari të vërtetë, por në këtë histori spikat në shekuj roli kombëtar i Kishës Katolike. Me meshtarët e saj të mëdhenj janë të lidhura librat e parë të gjuhës sonë, libra, që fjalën e Zotit e sollën në shqip. Libra, të cilat në një moment jetik për kombin, ia arritën të formësojnë shqipen liturgjike, shqipen më të fortë, më të konsoliduar, më të përpunuar.
Vepra e Buzukut, Bogdanit, Bardhit, Gjeçovit, Dom Nikoll Kazazit, ishte një vepër që qëndron në themel të shqipes së sotme, vepër e cila bëri të mundur në kushtet dhe në terrin më të madh zhvillimin e gjuhës sonë. Për ne shqiptarët, gjuha shqipe është edhe shtylla kryesore e identitetit tonë kombëtarë. Këta burra të mëdhenj, me veprën e tyre bënë gjithçka për ruajtën e identitetit tonë kombëtar. Kisha Katolike ishte në krye të përpjekjes së shqiptareve për të rilindur. Rilindja jonë ishte e vonë, e vonshme tashmë për arsye të njohura, por kisha dhe korifejtë e saj, u shndërruan në krijuesit e veprave më të ndritura, që ndikuan fuqishëm në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, me emrat e Dom Nikoll Kaçorrit, Patër Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës dhe meshtarëve të tjerë të mëdhenj është i lidhur alfabeti i gjuhës sonë. Këta burra mendje ndritur dhanë një kontribut historik, së bashku me dijetarë, gjuhëtarë dhe klerik të besimeve të tjera, për ti dhënë gjuhës gërmat e alfabetit latin.
Të nderuar të pranishëm
Roli atdhetar i Kishës ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme në vitet e shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdim, nuk ka pasur moment më të vështirë për shqiptarët sesa momenti i shpalljes së Pavarësisë. Ato vite të zgjimit të fuqishëm kombëtarë u krijuan aleanca nga shtete fqinj, u shpallën luftëra me një qëllim të vetëm shfarosjen e shqiptarëve, por këto Fuqi, të cilët kishin dhe mbështetje më të gjërë, që po bënin gjithçka për të mos lejuar krijimin e një shteti shqiptar, për fat të keq kishin edhe bashkëpunëtorë jo aq të paktë dhe jo aq pak të rëndësishëm të quajtur shqiptar. Do të mbetet për herë në analet e historisë, rasti kur i pari i një krahinë do ti drejtohej Presidentit Willson, se këtu nuk mund të bëhet fjalë për shtet se, këtu dasitë fetare janë të atilla saqë nuk lejojnë krijimin e një shteti. Kurse meshtari i asaj krahine do ti bënte një letër në të njëjtën kohë dhe do ti kërkonte presidentit Willson të bënte gjithçka për të mbështetur një shtet shqiptar, se këta që shkruajnë në këtë mënyrë janë kryekëput në shërbim të qëllimeve antishqiptare, se shqiptarët vërtet kanë besime të ndryshme, por janë vëllezër dhe janë të bashkuar në qëllimin e tyre kombëtar për të pasur shtetin e pavarur.
Patër Gjergj Fishta, Luigj Bumçi, Dom Nikoll Kaçori zëvendës kryeministri i parë i qeverisë së Ismail Qemalit, meshtari që në momentet të caktuara nuk e ndau biblën nga pushka, sepse ashtu ai kërkonte vendi dhe kombi i tij u bënë avoketërit më të fuqishëm për njohjen e shteti shqiptarë . Janë të një rëndësie historike takim e Imzot Luigj Bumçit me Atin e Shenjtë, në një kohë kur në Versajë po projektohej copëtimi përfundimtar i trojeve shqiptare. Në këtë takim Imzot Luigj Bumçi gjeti mbështetjen e plotë të Atit të Shenjtë, i cili ndër të tjera i thotë se, - nga Versaja kanë përzënë edhe vetë Zotin, por ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur të drejtat tuaja. Do të ishte Atë Gjergj Fishta, me mençuri, me gojtarinë e tij, që punoi me mençurinë të madhe në Kongresin Amerikan, bashkoi një grup të gjërë kongresmen dhe senatorë, që promovuan njohjen e Shqipërisë.
Në vitet në vazhdim Kisha ndau me kombin e vet, kalvarin e një regjimi më të shpërfytyruar që Europa ka njohur, e një regjimi, i cili e shpalli që në ditët e para armik të egër të tij. Në këtë regjim me dhjetëra e dhjetëra meshtarë, ranë për tu bërë të pavdekshëm në mbrojtje të besimit të tyre tek Zoti, tek Krishti, tek liria dhe vendi ynë. Në burgjet e diktaturës, ata u shndërruan në misionarët më të fuqishëm, edukuan gjenerata të tëra dhe ndikuan fuqishëm në atë rezistencë të heshtur të shqiptarëve kundër regjimit. Do të mbeten përjetë të gjallë në memorien e shqiptarëve Kardinali Mikel Koliqi, Frano Ilia, At Zef Pëllumbi e shumë e shumë të tjerë, të cilët u martirizuan për të qëndruar heroikisht për vlerat hyjnore dhe njerëzore, në mbrojtje të tyre, por këto 20 vite sërish nga hiri, nga shkrumi i një rrënimi Kisha Katolike u ngrit fuqishëm dhe unë dua të shpreh nderimin tim më të madh ndaj Imzot Rrok Mirditës dhe të gjithë misionarëve të saj shqiptarë, misionarëve të kombësive të ndryshme, që erdhën këtu me një përkushtim të madh, ndërtuan, rindërtuan, ringjallën infrastrukturën shpirtërore të besimtarëve katolikë dhe me një angazhim dhe përkushtim të gjithanshëm bënë gjithçka për të lehtësuar, për të qetësuar dhimbjet e mëdha të krijuara, për të shëruar plagët e krijuara nga regjimi i shkuar, por edhe vështirësitë e sistemit që po ndërtohet.
Në këto 20 vite, ne kemi pasur fatin që në vitet e para të hapjes, të presim në Shqipëri, pas një udhëtimi shekullor drejt këtij dheu Papa Gjon Pali i II, mik i madh i kombit shqiptar, Papën, që lutej çdo ditë për shqiptarët.
Vizita historike e Papa Gjon Pali i II ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për kombin shqiptar në rrugën e tij të ndërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Sot ne këtë 100 vjetor, natyrisht nuk mund të kemi asnjë urim tjetër përveçse tu urojmë shqiptarëve paqe. 100 vjetori që shkoi ishte 100 vjetor me luftëra të pabarabarta, të pa ndershme, diktatura të egra ndaj dhe le të urojme sëbashku një 100 vjetor në paqe, në liri, në progres , të urojmë të realizojmë projektin tonë të madh Europian, të urojmë të realizojmë projektin tonë të madh kombëtar, të bashkohemi si një komb në Europën e Bashkuar.
Edhe njëherë shumë mirënjohje Kishës Katolike, meshtarëve të saj të të gjitha kohërave për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar.”








All the contents on this site are copyrighted ©.