2012-11-24 15:57:25

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


E diel 25 nëntor, Kisha kremton të dielën e 34-të e të fundit të kohës liturgjike gjatë vitit kishtar, të cilën ia kushton solemnitetit të Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë.
Po sot më 21 nëntor kalendari përkujton edhe shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire, shën Moisiun martir, shën Pjetrin e Aleksandrisë ipeshkëv e martir dhe të lumët Luigji e Maria Beltrame Quatroki, bashkëshortë. Liturgjia na kujtojnë se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të.

Të hënën më 26 nëntor kalendari përkujton shën Siriçin, papë; shën Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe shën Silvestrin abat, themelues i silvestrinëve. Liturgjia e ditës na kujton, kështu, se gjërat që i përkasin Zotit duhen respektuar në çdo kohë e, sidomos, duhet respektuar çdo njeri, sepse pikërisht njeriu ka vlerë më shumë se të gjitha thesaret përpara syve të Hyjit.

Të martën më 27 nëntor kalendari përkujton shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut. Liturgjia e ditës na kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.

Të mërkurën më 28 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Jakun e Markeve të italisë, meshtar françeskan. Në Ungjillin e ditës, Jezusi na mëson të përgatitemi për ta pranuar farën e Jetës Hyjnore. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëzore, nuk i mungojnë njeriut, që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.
Më 28 nëntor 2012 bie edhe 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane më 28 nëntor 1912. Shqipëria e të gjithë shqiptarët kudo në botë janë në festë për këtë Jubile të madh, me mirënjohje nga Zotit dhe të të parëve për këtë dhuratë tejet të çmuar. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin Shqiptar!

Të enjten më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturninin martir, i shën Frederikun e të Lumin Dionizi të Lindjes së Krishtit. Liturgjia na kujton thirrjen: Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon.

Të premten më 30 nëntor, kalendari shënon festën e shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, Andreu është i pari i thirrur prej Jezusit, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra njëri prej atyre, që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Të shtunën që vjen, më 1 dhjetor, kalendari përkujton shën Eligjin, ipeshkëv të Lionit dhe shën Naumin, profet, që na kujtojnë se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të dielën e ardhshme më 2 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, me të cilën kohë shpirtërore fillon Viti Ri kishtar për besimtarët katolikë të ritit romak. Nis pra përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.
Gjithnjë më 2 dhjetor kalendari përkujton edhe shën Bibiana matronë romake, shën Pimeni, martir e shën Silvestri, papë.
Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e Psalmisti drejtuar Hyjit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”. Gjithnjë liturgjia e kësaj së diele na kujton se Jezusi, për tri herë, i përsërit secilit thirrjen “Rrini zgjuar”, si një këshillë, si një urdhër, por edhe si paralajmërim i një ati, që shqetësohet për të gjithë bijtë e vet, që të jenë të kujdesshëm e të mos dorëzohen para lodhjes, vështirësive e shqetësimeve të kësaj kohe, që kalon shpejt.







All the contents on this site are copyrighted ©.