2012-11-24 15:56:21

Me 24 nëntor kalendari kujton shën Andreun Dung-Lak


Me 24 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Andreun Dung-Lak dhe 116 martirët e Vietnamit
Andreu Dung-Lak lindi në Vietnam, në vitin 1795, nga prindër paganë. Duke qenë tepër e varfër, familja ia shiti një katekisti të krishterë, që e mbajti pranë në misionin e Vinh-Tri, ku e pagëzoi dhe e shkolloi. Si u bë edhe ai katekist, vendosi të fillojë studimet teologjike dhe, më 15 mars të vitit 1823 u shuguruar meshtar.

U caktua famullitar në zona të ndryshme. Ndonëse në vend kishte shpërthyer persekutimi më i egër antikristian, ai e vijoi misionin e vet, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjatë sundimit të mbretit Minh-Mahn, u burgos disa herë për shkak të fesë. Por sa herë burgosej, të krishterët e lironin nga burgu, duke paguar shumën e caktuar për këtë qellim. E kjo nuk ishte aspak e lehtë, në një kohë kur ai që fshihte një të krishterë, dënohej me vdekje.

Më 10 nëntor 1839 Andreu u arrestua në Ké-Song e më vonë u lirua, pas pagesës së zakonshme. Ndërsa kapërcente lumin me varkë, u arrestua nga sekretari i prefektit, i cili e njohu. Më 16 nëntor 1839 u mbyll në qelitë e tmerrshme të burgut në Hanoi, ku iu nënshtrua një hetuesie të gjatë e të mundimshme. I ftuar të mohojë fenë e të shkelë Kryqin, u përgjigj se ishte gati të vdiste, por jo të mohonte. E dënuan me prerjen e kokës. Dënimi u zbatua më 21 nëntor 1839.

Së bashku me Andreun kujtohen edhe 116 martirë të tjerë vietnamezë, që e dëshmuan besnikërinë e tyre ndaj Krishtit gjatë historisë së ungjillëzimit të vendit. Fara e hedhur në vitin 1617 në Tonkin nga Atë Aleksandër de Rodes, dha fryte të begata. Andreu u shpall i Lum nga papa Leoni XIII.







All the contents on this site are copyrighted ©.