2012-11-24 15:05:12

Koncistori. Papa kardinajve të rinj: Kisha është katolike, sepse Jezusi rrok mbarë njerëzimin.


Sot, nata e solemnitetit të Krishtit Mbret, në orën 11.00, Papa krijoi 6 kardinaj të rinj, në Koncistorin, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit solemn, Benedikti XVI theksoi përmasën katolike të Kishës, duke nënvizuar karakterin universal të misionit të Krishtit. Kardinajtë e rinj vijnë nga tre kontinente: Amerika, Afrika, Azia. Janë: imzot James Michael Harvey, prefekt i Shtëpisë Papnore, emëruar dje kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë Mureve të Romës; Fortlumturia e Tij, Béchara Boutros Raï, patrik i maronitëve të Antiokisë (Liban); Fortlumturia e Tij Baselios Cleemis Thottunkal, kryeipeshkëv i madh i siro-malankarezëve në Trivandrum (Indi); imzot John Olorunfemi Onaiyekan, kryeipeshkëv i Abuzhës (Nigeri); imzot Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotà-s (Kolumbi) e imzot Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës (Filipine).
Me Koncistorin e sotëm, në Kolegjin Kardinalor bëjnë pjesë 211 kardinaj, nga të cilët, 120 me të drejtë zgjedhore, 91 me të drejtë këshillimore, me moshë mbi 80 vjeç.

Unitet dhe universalitet: ky ishte binomi, në qendër të Koncistorit të sotëm për krjijimin e 6 kardinajve të rinj. Ceremoni madhështore, prekëse, në të cilën çdo simbol, nga unaza, tek kapuçi kardinalor, theksoi kuptimin e misionit të ri, që po e fillonin këta gjashtë barinj. Në sa Benedikti XVI shkelte në prag të Bazilikës papnore, kori nisi himin e mirënjohur ‘Tu es Petrus”- “Ti je Pjetri”, duke nënvizuar, kështu, misionin që vetë Krishti ia besoi Pjetrit e pasardhësve të tij: “Mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time e dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë mbi të”. E në homelinë e rastit, Benedikti XVI u ndalua pikërisht tek misioni i Kishës, në mënyrë të posaçme, tek termi “katolike”, që thekson tiparin themelor. Kisha, tha Papa, është katolike, sepse Krishti përfshin në misionin e Tij të shëlbimit mbarë njerëzimin. E shpjegoi më pas se kjo perspektivë universalistike duket qartë kur Jezusi e paraqet veten si “Bir i njeriut”:
“Jezusi përdor këtë shprehje të pasur e të ndërlikuar dhe e lidh me vetveten për të treguar karakterin e vërtetë të mesianizmit të Tij, si mision i caktuar për një njeri e për çdo njeri, duke i kapërcyer të gjitha sektarizmat etnike, kombëtare e fetare”.
E pikërisht duke ecur në gjurmët e Jezusit, shtoi Ati i Shenjtë, njeriu hyn në mbretërinë e re, që Kisha e kumton dhe e përafron e që fiton mbi copëzimin e mbi shkapërndamjen. Jezusi, vijoi Papa, nuk e dërgon Kishën e vet kah një grup, por kah mbarë njerëzimi, për ta bashkuar, përmes fesë, në një popull të vetëm e për ta shpëtuar:
“Universaliteti i Kishës buron nga universaliteti i planit të vetëm hyjnor për shëlbimin e botës. Ky karakter universal duket qartë në ditën e Rrëshajëve, kur Shpirti Shenjt e mbush përplot me praninë e tij bashkësinë e parë të krishterë, duke e nxitur t’ua kumtojë Ungjillin mbarë kombeve e t’i bashkojë mbarë popujt në një popull të vetëm, në Popullin e Zotit”.
Kështu, vërejti në vijim Papa, Kisha, që nga zanafilla, përfshin mbarë universin. Misioni i saj është universal, pohoi më pas, nuk ngjitet nga poshtë, por zbret nga nalt, nga Shpirti Shenjt:
Nuk është si bashkësi lokale, që zgjërohet e shtrihet dalëngadalë, por si tharm, që thar e mbrun universalen, të tërën, që e ka universalen në vetvete”.
Jo rastësisht, prandaj, nënvizoi Papa, rreth Apostujve lulëzojnë bashkësitë e krishtera, që janë Kisha e cila, në Jeruzalem, në Antioki a në Romë, është gjithnjë e njëjtë, një e universale:
“E kur Apostujt flasin për Kishën, nuk flasin për bashkësinë e tyre, por për Kishën e Krishtit, e ngulmojnë mbi këtë identitet të pashoq, universal e të plotë Katolik, që realizohet në çdo Kishë vendase. Kisha është një, shenjte katolike e apostolike, pasqyron në vetvete burimin e jetës së saj e të udhës së saj: njëninë dhe bashkimin e Trinisë Shenjte”.
Më pas Papa iu drejtua Kolegjit Kardinalor i cili, theksoi, përbëhet nga një mori fytyrash, që shprehin fytyrën e Kishës universale. E thekson këtë edhe prejardhja e kardinajve të rinj, përfaqësues të tre kontinenteve e të gjashtë vendeve të ndryshme të botës: SHBA, Libani, India, Nigeria, Kolumbia, Filipinet:
Me këtë Koncistor, në mënyrë të veçantë, dëshiroj të vë në pah se Kisha është Kishë e të gjithë popujve e se shprehet në kulturat e ndryshme të kontinenteve të ndryshëm. Është Kisha e Rrëshajëve, që me polifoni zërash i larton një himn të vetëm, të harmonishëm, Hyjit të gjallë”.
Pas homelisë, Benedikti XVI kremtoi ritin e krijimit të gjashtë kardinajve, gjatë të cilit u dha edhe njoftimi për urdhërin presbiterial ose diakonal, që u është caktuar kardinajve, si dhe për titullin ose diakoninë e Kishës së Romës:
"…hos Venerabiles Fratres creamus…
Krijojmë, tha Papa duke shqiptuar formulën në gjuhën latine, e shpallim solemnisht kardinaj të Kishës Shenjte Romake këta vëllezër tanë…”. Pas ritit të krijimit, kardinajtë e rinj bënë betimin e morën në dorëzim unazën kardinalore. Pastaj Papa u vuri edhe kapuçin e kuq kardinalor, simbol i fuqizimit të dashurisë e besnikërisë ndaj Kishës.Benedikti XVI uroi, në mënyrë të veçantë, që kardinajtë e rinj të jenë bashkëpunëtorë të çmuar, edhe përmes lidhjes me dikasteret e Kuries Romake. E në përfundim, i nxiti të gjithë ta dëshmojnë me guxim Krishtin, në çdo rrethanë të jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.