2012-11-24 16:46:42

Kardinali i ri Onaiyekan: t’i përgjigjemi dhunës kundër të krishterëve me dashuri e arsye.


Ndërmjet kardinajve të rinj, është edhe kryeipeshkvi nigerian i Abuzhës, John Olorunfemi Onaiyekan. E pyetëm ç’ përfaqëson për të, kjo detyrë e lartë:

Përgjigje: - Është e qartë se kjo për mua do të thotë më shumë përgjegjësi. Për vendin tim, Nigerinë, do të thotë nder i madh. Është lajm shumë i mirë për vendin: si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, janë shumë të kënaqur tani, që kanë një kardinal tjetër. Besoj se kjo është gjë e mirë.

Pyetje: - Ju keni bërë ç’është e mundur për të gjetur rrugën e zgjidhjes së konflikteve që trondisin vazhdimisht vendin tuaj, posaçërisht për shkak të qëndrimit të fondamentalistëve islamikë të Boko Haram. Ky emërim, do t’ju krijojë mundësi të reja në kërkim të paqes e të harmonisë?

Përgjigje: - Them se përpjekjet e mia, në të vërtetë, nuk kanë pasur qëllim kryesor të zgjidhin problemin e Boko Haram. Kanë synuar më shumë në përpjekjen që nigerianët të mbrojnë familjen e unitetin, në mënyrë që të mos e lejojnë as Boko Haramin t’i shkatërrojë këto vlera. Besoj se nuk është e vështirë t’i izolojmë këta pak njerëz, që përfaqësojnë një anomali, sepse myslimanët nigerianë nuk janë Boko Haram. Boko Haram përbëhet nga pak njerëz, ndërsa shumica e myslimanëve, me të cilët kemi të bëjmë ditë për ditë, nuk ka ide të tilla. Kështu ne, si të krishterë të bindur në fenë tonë, do të vijojmë ta kumtojmë Ungjillin, pa harruar kurrë se ka edhe të tjerë, që kanë fenë e tyre, fe, që duhet respektuar, pa e penguar bashkëpunimin, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, duke nisur nga disa vlera shpirtërore, të njëjta për katolikët e myslimanët; jemi qytetarë të të njëjtit vend, duhet të përballojmë të njëjtat probleme. Kështu nuk do të jemi kundërshtarë, as konkurentë, por aleatë. Jam i sigurtë se duke zgjedhur këtë rrugë, do t’i japim një hov të ri kumtimit të Ungjillit.

Pyetje: - Konflikti është shtrirë edhe në Kenia: a ekziston rreziku që të krishterët të lodhen duke sjellë edhe faqen tjetër, për shuplaka të reja?

Përgjigje: - Me që po flasim për faqe... Nuk mund ta rishkruajmë Ungjillin, e njëkohësisht, duhet ta lexojmë me realizëm e t’u kujtojmë gjithnjë njerëzve tanë se Jezusi na kërkon përsëri ta kthejmë faqen tjetër. Por ama nuk duhet harruar edhe porosia tjetër e Jezusit, para se ta kthejmë faqen. Zoti na kujton se para shuplakës së dytë, duhet të pyesim: “ Në se gabova, më thuaj, ku bëra gabim. Që të ndreqem!” Prej këndej kam nxënë një mësim të çmuar: “Në se ndokush të bën keq, përgjigjja e duhur nuk është shuplaka, por pyetja: “ Pse po ma bën këtë?”. “Ç’të kam bërë?”. Gjithsesi të krishterët nuk duhet të thonë kurrë: “U lodha duke falur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.