2012-11-23 17:57:35

Papa Klementi XI, më 23 nëntor 1700 ulet në fronin e shën Pjetrit.


Papa Klementi XI Albania, shqiptar, më 23 nëntor 1700 do të ulej në Katedren e Shën Pjetrit. Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë, kreu shkollimin e plotë në Romë e, falë aftësive të tija, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krjiuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë. Në fushën e ndihmesës për atdheun e të parëve, krenar për prejardhjen shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit, organizoi 14 janar 1703 Kuvendin e Arbënit në Mërçi të Lezhës dhe botoi Aktet e tij në shqip e latinisht, kontribut i madh për përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare, hap i parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur padurueshëm, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.