Me 23 nëntor kalendari kujton Papën shën Klementi I romak e martir
Kisha kremtoi sot më 23 nëntor Shën Klementin I Romak, Pasardhës i katërt
i Shën Pjetrit, i nderuar që në shekujt e parë të krishterimit me titullin e martirit.
Klementi I, papë e martir romak, është ndër Etërit e mëdhenj të Kishës. Për Papën
Klementi I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë. Prej tyre
mësojmë se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua e vendin
e tij e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati i Romës iu
besua Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar, pas Shën
Pjetrit. Ai kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin e e kishte
ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ia përcolli pasardhësve që
u ulën pas tij në fronin e Shën Pjetrit.
Në Letrën e tij drejtuar korintianëve,
Shën Klementi I, papë na ofron një dokument që përmban një reflektim ndriçues mbi
identitetin e Kishës dhe mbi rolin e laikëve. Nën Papën Klementin Romak, me që
bashkësia e vëllezërve të Korintit qe tronditur thellë nga përçarjet, Kisha e Romës
i drejtoi një Letër, në të cilën prekeshin temat aktuale – atëherë e sot – të identitetit
të Kishës e të misionit të saj. Dokumenti i nxiste besimtarët të ishin të përvujtë
e ta donin njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore. Madje në Letër ndeshim për herë të
parë fjalën ‘laik’, apo ‘shekullar’, që në letërsinë e krishterë do të thotë ‘anëtar
i popullit të Zotit’. Në këtë letër Shën Klementi shpjegon se në Kishë të gjithë,
të bashkuar në mënyrë të pandashme, janë gjymtyrë të njëri-tjetrit. Po mos të harrojmë
se “dallimi ndërmjet laikut e hierarkisë nuk do të thotë kurrsesi kundërvënie,
është thjesht lidhje organike e një trupi, e një organizmi, me funksione të ndryshme.
Kisha nuk është vend pështjellimesh e anarkie, ku kushdo mund të bëjë si të dojë e
kur të dojë: secili në këtë organizëm ushtron detyrën e tij, me një strukturë të mirëorganizuar,
sipas thirrjes që ka marrë” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme
të 7 marsit 2007) Para së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve,
në përpjekjen për t’i pajtuar – është kumtimi i gëzueshëm i hirit, që shëlbon. Ky
kumtim e mbush me gëzim jetën tonë e i jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin
përherë me mirësinë e tij e mirësia e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të
gjitha mëkatet tona. Por ne duhet të angazhohemi e të punojmë në mënyrë koherente
me dhuratën, që kemi marrë e t’i përgjigjemi kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri
e guxim në rrugën e pendimit, shkruan Shën Klementi, duke nënvizuar edhe idealin e
tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të
ndryshme të Krishtit. Klementi shpjegon qartë doktrinën e vazhdimësisë apostolike,
duke nënvizuar se normat që e rregullojnë, burojnë nga vetë Zoti. Gjithçka vjen nga
vullneti i Zotit – shkruan Shën Klementi. E këtu theksohet me forcë se Kisha ka strukturë
sakramentore e jo strukturë politike: “Kisha mbi të gjitha është dhuratë
e Hyjit e jo krijesë e jona, prandaj kjo strukturë sakramentore nuk garanton vetëm
rendin e zakonshëm, por edhe përparësinë e dhuratës së Zotit, për të cilën kemi nevojë
të gjithë”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit
2007) E Klementi I papë e përfundon Letrën e tij me një lutje të
frymëzuar, lutja më e lashtë, pas teksteve të Besëlidhjes së Re – për institucionet
politike, menjëherë pas persekutimit të të krishterëve. Na kujton sërish, kështu,
se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë, ashtu siç bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo
lutje i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të krishterëve ndaj politikës e shtetit: “Duke
u lutur për autoritetet, Klementi njeh ligjshmërinë e institucioneve politike e njëkohësisht
shqetësohet për to, sepse dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë pushtetin që
u ka dhënë Zoti në paqe e përdëllim (61,2).Qesari nuk është gjithçka.
Mbi të lartohet një sovranitet tjetër, zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të
kësaj bote, por të botës qiellore: është kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga
shteti të drejtën të dëgjohet”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të
përgjithshme të 7 marsit 2007).
Ende sot Bazilika e Shën Klementit
I romak, papë e martir është një nga vendet më të vizituara në Romë. E ngritur në
shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese më të lashtë dhe e rindërtuar disa
herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat qenë varrosur reliket e Shën Klementit
I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin 868 nga shenjtorët Qirilli e Metodi. Sipas
gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime, vend ku ishte internuar nga Nerva, me një
spirancë të varur në qafë Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen akoma afresket
e realizuara në vitin 1084, kushtuar jetës së Papës, të pajisura me shpjegime, që
janë dokumentet e para të gjuhës vulgare italiane.