2012-11-23 16:31:18

Koncistori: nesër Papa krijon gjashtë kardinaj. Intervistë me patrikun Bechara Raï


Nesër, nata e solemnitetit të Krishtit Mbret, në orën 11.00, Papa do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Koncistorin për krijimin e 6 kardinajve të rinj. Kardinajtë e rinj vijnë nga tre kontinente: Amerika, Afrika, Azia. Janë: imzot James Michael Harvey, prefekt i Shtëpisë Papnore, emëruar sot kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë Mureve të Romës; Fortlumturia e Tij, Béchara Boutros Raï, patrik i maronitëve të Antiokisë (Liban); Fortlumturia e Tij Baselios Cleemis Thottunkal, kryeipeshkëv i madh i siro-malankarezëve në Trivandrum (Indi); imzot John Olorunfemi Onaiyekan, kryeipeshkëv i Abuzhës (Nigeri); imzot Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotà-s (Kolumbi) e imzot Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës (Filipine).

Kardinajtë, kujtoi Papa më 24 tetorin e kaluar, kanë për detyrë ta ndihmojnë Pasardhësin e Shën Pjetrit në kryerjen e misionit të tij për t’i përfocuar vëllezërit në fe e për të qenë zanafillë e themel i unitetit dhe i bashkimit të Kishës.
Është Koncistori i pestë i Benediktit XVI e, për të na folur për të, intervistuam patrikun maronit Béchara Boutros Raï, duke i drejtuar pyetjen: “Si e prisni këtë çast kaq të rëndësishëm?”:

Përgjigje: - Me shumë, shumë gëzim edhe me shumë mirënjohje ndaj Atit të Shenjtë, që deshi të bëjë këtë gjest për Libanin e për Kishën në Liban. Do të përpiqem, siç uroi edhe Ati i Shenjtë, ta ndihmoj me të gjitha forcat bashkësinë time kishtare, që të jetë gjithnjë e bashkuar dhe ta dëshmojë me guxim fenë. Lajmi u prit nga të gjithë, brenda e jashtë Libanit, me entuziazëm të madh, parë si mbështetje për Kishën, në këtë çast kaq të vështirë për vendin tonë e për Lindjen e Mesme. Parashikohet që së paku 500 vetë të vijnë nga Libani dhe nga vendet tjera, për t’i shprehur gëzimin dhe mirënjohjen Atit të Shenjtë. Shtegtimin do ta kryesojë presidenti i Republikës libaneze, që vjen për ta falënderuar personalisht Benediktin XVI. Unë e konsideroj lartimin tim në nderimet e kardinalit, si shtytje të re për apostullim në Kishën e Libanit dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Shpresoj se do të mund të ecim përpara! Sepse nuk u entuziazmuan vetëm të krishterët, por edhe myslimanët; e do të jenë të pranishëm edhe shumë prej tyre. Të pranishme, edhe të gjitha bashkësitë, të gjitha fraksionet politike, për të treguar bashkimin e indit të Libanit. Për fat të keq, politika është krejt tjetër gjë. Libani po pëson krizën rajonale me ndërlikime ndërkombëtare, jo pa probleme të brendshme. Prej këndej, ky është një çast gëzimi, që premton rifillimin e një rruge të re.

Pyetje: - Cilat janë sfidat kryesore, që ju presin kur të riktheheni në Liban?

Përgjigje: - Zgjodha si moto të Patriarkatit tim: “Bashkim e dashuri”, sepse shoqëria jonë libaneze dhe ajo e Lindjes së Mesme ka nevojë pikërisht të bashkohet. Bashkim me Zotin, e bashkim me të gjithë njerëzit. Kemi gjithnjë nevojë për bashkim e dashuri, sepse jetojmë në mes të konflikteve, të përçarjeve të dhimbshme politike e shoqërore. Megjithatë, them se jeta shoqërore e libanezëve, myslimanë e të krishterë, e grupeve të ndryshme dhe fraksioneve të ndryshme politike, ka prirjen për të ecur mirë, pa konflikt. Por vjen, pastaj, politika e na përçan, për të sunduar; krijon konflikte e mungesë besimi; e kjo ndikon shumë mbi jetën publike, duke i paralizuar institucionet. Kemi probleme të mëdha ekonomike e shoqërore, shkaktuar nga kriza politike. Prej këndej, sfida kryesore është të shkojmë përpara, të lëvizim, të rikrijojmë, të rindërtojmë bashkimin e brendshëm e pastaj të mbështesim edhe vëllezërit tanë të krishterë në të gjithë Lindjen e Mesme e të krijojmë më shumë lidhje me myslimanët, për të lehtësuar sadopak tensionet e shkaktuara nga radikalët e nga fondamentalistët. Këto janë problemet kryesore, që duhet të përballojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.