2012-11-23 16:31:31

Benedikti XVI për Apostullimin e Detit: Kisha është pranë peshkatarëve dhe detarëve në vështirësi.


Edhe bota e detit ka nevojë për përtëritjen e impenjimit, në shërbim të ungjillëzimit të ri. Këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në fjalimin, që u drejtoi pjesëmarrësve të Kongresit Botëror të Apostullimit të Detit, mbajtur këto ditë në Romë, duke i pritur në audiencë, në Vatikan. Papa kujtoi se Kisha është gjithnjë pranë detarëve e peshkatarëve, që jetojnë në kushte të vështira, duke përballuar, nganjëherë, edhe padrejtësi.
Në emër të të pranishmëve, Papën e përshëndeti kardinali Antonio Maria Veglio, kryetar i Dikasterit të Baritorisë për Emigrantët e Endacakët.

Përballë vështirësive, që kalojnë detarët e peshkatarët, duhet krijuar një vizion i gjithanshëm i njeriut. Kështu u shpreh Papa në fjalën drejtuar veprimtarëve të Apostullimit të Detit, duke shtuar se Kisha duhet t’i japë një hov të ri ungjillëzimit të ri në botën e njerëzve, të cilët e kalojnë pjesën më të mirë të jetës mbi ujë. Si në kohët e shtegtimeve të Shën Palit, kujtoi Benedikti XVI, edhe sot Kisha përshkon dete e oqeane, për t’ua çuar Ungjillin të gjitha kombeve. Më pas, Papa u ndalua tek padrejtësitë, që duhet të përballojnë shpesh punonjësit e detit, ndërmjet të cilave, pirateria detare. Ati i Shenjtë theksoi se Kisha duhet t’i kushtojë shumë vëmendje njerëzve të detit, duke i ungjillëzuar e njëkohësisht, duke i përgatitur si ungjillëzues. E kjo, sepse detarët mund t’i ungjillëzojnë të gjithë ata, që takojnë në porte, ose mbi mbi anije, gjatë muajve të pafund të lundrimit.
Një përshëndetje të posaçme Papa ua drejtoi peshkatarëve dhe familjeve të tyre, që jetojnë në kushtet e vështirësive të sotme e të paqartësisë për të ardhmen, shkaktuar nga pasojat negative të ndryshimeve klimaterike dhe nga shfrytëzimi i tepruar i burimeve:
“Ju, peshkatarë, që kërkoni kushte pune dinjitoze e të sigurta, duke mbrojtur vlerën e familjes, ambientin dhe dinjitetin e çdo njeriu, dëshiroj t’ju siguroj se Kishën e keni gjithnjë pranë”.
Kujtoi, më pas, impenjimin e diakonëve dhe të vullnetarëve të qendrave “Ylli i Detit”, që inkurajojnë detarët për ta forcuar lidhjen me Zotin, sidomos gjatë kapërcimit të oqeaneve, kur koha nuk kalon kurrë e njeriu ka nevojë pikërisht për një ‘Yll’, për Marinë, që të çon te Krishti.
Së fundi Benedikti XVI u drejtoi fjalë inkurajuese të gjithë atyre, që janë në vijën e parë të frontit të ungjillëzimit të njerëzve me kombësi e kultura të ndryshme, në portet e panumërta të botës:
“Jini apostuj besnikë ndaj misionit për të kumtuar Ungjillin, tregojeni fytyrën e kujdesshme të Kishës, që e mirëpret dhe e afron edhe këtë pjesë të popullit të Zotit; përgjigjjuni pa ngurruar njerëzve të detit, që i prisni në bord, duke ua mbushur shpirtin plot e duke i bërë pjesë aktive të bashkësisë”.










All the contents on this site are copyrighted ©.