Më 21 nëntor 1756 ndërroi jetë në Partiniko (Partinico) arbëreshi i madh atë Gjergj
Guzzetta. Nuk mund të flasim për shkrimtarët klerikë që mbajtën gjallë gjuhën
e kulturën e të parëve ndër arbëreshët e Sicilisë, pa përmendur së pari Atë Gjergj
Guxetën, themeluesin e Seminarit greko- shqiptar të Palermos më 1734 ku u përgatiten
ipeshkvijtë, meshtarët, atdhetarët e shkrimtarët më të njohur arbëresh të Sicilisë. Është
Atë Guzzetta (1682 - 1756) ai që hodhi themelet e ndërtesës së kulturës arbëreshe,
ku do të ruheshin të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare në Sicili. Në shkollën
e tij qe edukuar pothuajse e gjithë inteligjencia e kolonive të ishullit me një frymë
që pajtohej plotësisht me trashëgiminë fetare e kulturore të Atdheut të etërve. Seminari
palermitan u bë farka e poetëve të ardhshëm, që çuan më tej traditat e krijuara nga
paraardhësit e Atë Guxetës. Këta paraardhës e patën filluar shumë shpejt ndër seminaret
e dioqezave latine edukimin e meshtarëve të rinj, me kulturë të gjerë humaniste dhe
me njohuri të thella në liturgjinë bizantine.
Ndërkohë prifti shqiptar nga
Sicilia, atë Gjergj Guxeta, me shkrimet e veta ngrinte zërin në mbrojtje të Kombit
shqiptar dhe siguronte mjetet për themelimin e Seminarit të Palermos, që do të bëhej
një nga vatrat kryesore të kulturës dhe të atdhetarizmit shqiptar, çerdhe e një plejade
shkrimtarësh e poetësh të shquar, të gjithë katolikë. Emri i Atë Gjergj Guxetës
na sjell menjëherë në mendje edhe zbulimin e ‘Mesharit’. Kujtojmë se kopja e vetme
e Mesharit të Buzukut, ardhur deri në ditët tona, u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën
e Kolegjit të Propaganda Fides prej ipeshkvit gjakovar imzot Gjon Nikollë Kazazit
(1702-1752) kur, si Argjipeshkëv i dioqezës së Shkupit, ishte për vizitë në Romë.
Pas këtij zbulimi, imzot Kazazi kumtoi se kishte gjetur "një meshar të lashtë shqiptar
të rrëgjuar nga koha". Ipeshkvi gjakovar imzot Kazazi bëri një kopje fragmentesh të
tekstit e ia dërgoi atë Gjergj Guxetës. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë
libri bënte pjesë në koleksionin e pasur të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë
përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit. Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në
dritë nga imzot Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941).