2012-11-21 13:00:45

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Luigj Gurakuqi: përfaqësues i Shkodrës në Vlorë.


Në emisionin tonë të 13-të të rubrikës mbi rolin e Kishës katolike në përpjekjet për Pavarësi, figura madhore e Luigj Gurakuqit, sipas dokumenteve e dëshmive.
Lidhur me Luigj Gurakuqin , në Mbledhjen e parë të Kuvendit të Përgjithshëm 15/28 të Vjeshtës së tretë 1912, shkruhet:
... “Z. Mustafa Asim Efendiu kërkoi që edhe për Shkodrën që ndodhet në shtet mâ keq se Korça, të pëlqehet si përfaqësonjës z. Luis Gurakuqi, i cili ka qenë edhe në mbledhje të tjera kombëtare përfaqësonjësi i saj e që âsht edhe një nga nisjatorët e mbledhjes së sotshme. Kuvendi prapë me plotësië zânash poltisi e pëlqeu z. Luis Gurakuqin për përfaqësonjës të Shkodrës”...
E më poshtë, në Mbledhjen e dytë, më 17/30 Vjeshtë e tretë 1912, shkruhet: ... “Si u këndua e u pëlqye proçes-verbali i mbledhjes së përparshme, shkronjësi z. Gurakuqi kërkoi që të mos nënshkruhet ditë për ditë po të lihen të gjitha për në funt: në këtë mënyrë edhe delegatët e ri që erdhën e ata që do të vinë para se të mbarohet kuvendi do të munt të shënojnë emnin e tyne nën këto shkresa të përkujtimshme. Të gjithë delegatët e pëlqyen e e pranuan mendimin e z. Gurakuqi”.
(Shih “Dokumente historike për t’i shërbyer Historiës tonë,” botuar nga Lef Nosi, duke nisur nga Viti I, prill 1924, n. 4, fq 120-121).
Pra, Gurakuqi në mbledhjen për Shpalljen e Pavarësisë, ishte përfaqësues i Shkodrës e mbajtës i proçesverbaleve të Mbledhjes së Madhe.
Për rolin, që Gurakuqi luajti në Aktin e Pavarësisë, po sjellim një dëshmi pak të njohur, atë të Mustafë Krujës, i pranishëm në ngjarje. Në letrat që shkëmben Kruja me Atë Paulinin, Profesor Margjokajn, autor i një Historie të Shqipërisë, shkruar në gjuhën gjermane, mbetur ende në dorëshkrim, në arkivin e bibliotekës françeskane në Shkodër, lexojmë:
Graz, me 26. Kallnduer 1952
... Per ma teper dishroj me dijtë:
3) Rolin e Luigj Gurakuqit sidomos në relacjon me proklamacjonin e vetqeverimit në Vlonë 1912. Dikund kam lexue se Luigji thirret "Sekretari i 1912-s". A asht kenë Luigji sekretar i Ismajl Qemalit a si asht per t'u kuptue kjo punë? A âsht mandej e vertetë se Luigj Gurakuqi âsht kenë si kshilltár apor si sekretár pranë Ded Gjo' Lulit në lëvizjen e Malcís së Madhe? Per Luigjin kishe me dashtë me dijtë shum, sidomos per sa i perket politikës së jashtme shqyptare. Rolin e tij në kohen e opozitës e të popullores ndoshta shkon teper gjatë me e kallxue tash. Me gjithkta vrasen e tij nuk e kuptoj mirë. Në nji numer të "Hyllit të Dritës", Marc 1944, kushtue Luigj Gurakuqit e Bajram Beg Currit, flitet per dekë të tij e kurrkund nuk del kjartë në shesh se kush e shtini Baltjon Stambollen me e vrá të shuemin Luigj. Thohet se kvestura e Barit ndaloi me ba funeral të madhnueshem neper gjytet të Barit e lejoj vetem ate nder vorre. Flitet mandej gjatë per padrejtsí të gjygjit të Tranit etj. Njeri qi lexon ket artikull, mendon se Luigjin e kanë vrá Italjant e kurrkush tjeter nuk ka pasë gisht në ket vrasë.
Merlika, nga Ramleh (Aleksandrí), më 21. II. 1952, përgjigjet:

I dashuni mik,
...Mbi Luigj Gurakuqin âsht shkrue mjaft, relativisht, e ndër tjera, shkrime gazetash e rivistash, ka edhe nji bijografí të shkurtën, nji librec, të Gjon Kamsit. Për ato pika specifike qi më pyet ti po të përgjigjem me aqë sa dij. Me sa dij unë me të ndieme, por gati me sigurí, në kryengritjan e madhe të malsorve të Mbishkodrës, Luigji ka qênë në Cetinë bashkë me Ismail Kemalin edhe 12 pikat e librit të kuq për autonomín e Shqipnís qi u lypshin atëherë n’emën të kryengritësvet, ata i kanë përpilue.
Luigji ka qênë njohun me Ismail Kemalin përjashta, ku ishin të dy t’arratisun. Bashkë patën zdrypun edhe në 1912 në Durrës ku u përgatit mbledhja e kuvêndit të Vlonës. Sekretar i këtij kuvêndi, ku un pata shkue si delegat i Krujës bashkë me ta, ka qênë Luigji. Pjesa shqipe e shpalljes së pamvarsís âsht shkrim i tij e tyrqishtja e dorës s’Ismailit. Luigji ka pasë qênë shoq i këtij të fundit e si dora e djathtë e tij, jo sekretar me rrogë. Âsht interesant nji anekdot, qi s’âsht shkrue ndonji herë. Ishim disa vetë në zyrën e kryetarit: ditt e para qi qe shpallë pamvarsija. Nuk mbaj mend si u ashpruen fjalët ndërmjet Gurakuqit e Xhemil Be Vlorës (Kuvêndi ka qênë mbledhun në shtëpí të këtij të fundit e atje ishte ende edhe zyra, a, mâ drejtë me thanë, salloni ku pritte plaku.) Xhemili e buer ekvilibrin e, si ishin mësue bejlerët me të krishtenët e Jugës në kohën e Tyrqís, lëshoi nji fjalë të rândë kundrejt Shkodranit, i tha “ushak”, tyrqisht, qi don me thanë shërbtuer, laquet. Shkrepte në lidhnít qi kishte Gurakuqi me Ismailin. Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harem, te grát e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen nga brezi, e ruejna Zot pat me u bâmë nami. Mâ vonë i pajtoi Plaku. Ky, me gjithë qi Xhemilin e kishte nip, donte e çëmonte njiqind herë mâ fort Luigjin.
Gurakuqi qe zgjedhun prej kuvêndit ministër i arsimit. Sekretar i kryesís së këshillit ministruer, për nja tre muej e mâ tepër, s’e mbaj mênd mirë, kam qênë un.
Për sa i përket ideve të Gurakuqit mbi politikën e jashtme të Shqipnís, në dish gjâ për mue, s’ke nevojë me pyetun mâ gjatë: un jam nxânës i tij. Vetem se ai s’e ka pasun guximin t’em, tutej tepër, i shueti, prej demagogvet e gojkëqijvet. Faik Konica, qi s’mund t’a shihte me sy - se edhe këtij i a ka pasë futun nji shkop (ishte moda me bartun zotnít shkopij aso kohe) në nji mbledhje në hotelin Kosova të Durrsit, ku ishem edhe un, nën Princ Wiedin - e qi dinte me i a gjetun gjithkuj nji ofiq, i a ka pasë ngjitun “miku i gjithkuj”, shi për nj’atë temperament qi kishte për mos me i a prishun qejfin askuj.
Në parlament ka qênë nji ndër liedert mâ të shquemit t’opozitës.
Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qênë kundrështar deri qi nuk qe vêndosun, ka luftue si luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen mâ vonë njâna mbas tjetrës. Por, mjerisht, mbandej, kur s’i eci mâ fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe minisitër me Fan Nolin.
Në vrasën e tij s’ka pasun kurrgjâ të misterët e prandej âsht kot qi të më pyetësh mue. Un kaq po të them: qi Luigj Gurakuqi âsht bâmë flí e panjohjes së shpirtit të pastër, të patrijotizmës së kulluet e të ideve politike të vërteta të tija. T’i kishin qênë njohun e dijtun këto të gjitha, ashtu si i kishte me të vërtetë, Luigji s’ishte vramë. Tý ndoshta këto fjalë të mija kanë me t’u dukun sibiline e s’ke me i kuptue mirë; por s’ka gjâ, shënoi vetëm si nji gjykim historik, e dikur ke me i kuptue. S’e kam këndue shkrimin e Hyllit të Dritës, por puna s’âsht ashtu si e paske nxjerrë ti prej atij shkrimi. Italjanët s’e vranë Gurakuqin, por spekuluen mbi gjakun e tij: gjyq’ i Tranit ka qênë nji shkandull e nji njollë qi s’i hiqet kurrë gjyqsís fashiste”.
Kujtojmë se fjala “ushak”, thënë me përbuzje për të krishterët nga Xhemil Beu, nip edhe i Esat Pashë Toptanit, mund të jetë çelës i enigmës për të shpjeguar pse vijon të mohohet kontributi i pamohueshëm i të krishterëve në Historinë e pavarësisë e edhe në atë të të gjithë Shqipërisë. Thua të jenë mohuesit trashëgimtarë të Xhemil Beut?







All the contents on this site are copyrighted ©.