2012-11-21 14:00:43

Imzot Pjetër Budi, ipeshkëv e shkrimtar, në vjetorin e lindjes.


Ipeshkvi e poeti shqiptar imzot Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare e shpirtërore.
Qe organizator e udhëheqës i popullit shqiptar në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, qe përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të kultivuar e mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë shqiptar.
I lindur në Gurin e Bardhë të Matit më 21 nëntor të vitit 1566, ipeshkvi e poeti shqiptar imzot Pjetër Budi qëndroi në vendlindje deri në moshën 21 vjeçare. Më pas u shugurua meshtar dhe kreu për 29 vjet misionin meshtarak baritor në Kosovë e në Maqedoni e n vise tjera shqiptare.
Duke ndjerë nevojën e librave liturgjikë në gjuhën shqipe, u nis për në Romë, ku me kujdes prej bariu e këmbëngulje prej studiuesi, arriti të botonte katër libra, të domosdoshëm për vijimin e punës baritore në një vend që vijonte të kërcënohej nga islamizimi.
Janë veprat, gur themeli për historinë e shqipes së shkuar: “Doktrina e Kërshtenë”; “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali Romak”. Pas botimit të librave, prifti u rikthye menjëherë në atdhe, ku u emërua ipeshkëv i Zadrimës. Me librat e sapo botuar në dorë, nisi kremtimet e sakramenteve në gjuhën shqipe. Më 1622 u mbyt në lumin Drin, vdekje që pa dyshim lidhet ngushtë me veprimtarinë e tij të gjithanshme fetare e atdhetare. Imzot Pjetër Budi mbetet poeti i parë i letrave shqipe.
Jeta e imzot Budit është një jetë kushtuar fund e krye çështjes shpirtërore e kombëtare të kombit shqiptar. Programi fisnik i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare mund të përmblidhen në këto fjalë që shkroi me dorën e tij: "…aqë sa munda luftova me gjithë zemër jo për qishdo lakmi e lavdi të mrazët, po me një të madh dëshirë për ndihmë të patries e të gjuhës sonë„ .Figura e Pjetër Budit ngrihet si shembull heroizmi e vetëmohimi për vendin dhe popullin e vet, duke u bërë në disa drejtime pararendës i rilindësve.







All the contents on this site are copyrighted ©.