2012-11-21 14:58:01

Dita Botërore për Klaustralet. Papa: të mbështeten manastiret, lutja e tyre ndihmon botën


Sot, në festën liturgjike të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në Tempull, kremtohet edhe Dita për Klaustralet. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa u shprehu afërsinë e tij dhe të të gjithë bashkësisë kishtare, motrave që Zoti i thirri për jetë kundruese. Përsëriti edhe ftesën drejtuar gjithë të krishterëve të mos i harrojnë manastiret e klauzurës, por t’u sigurojnë ndihmat e nevojshme shpirtërore e materiale. I detyrohemi shumë njerëzve, që i kushtohen plotësisht lutjes për Kishën e për botën - shtoi Papa .
E sot në Romë, në Bazilikën e Shën Çeçiles, kardinali Joao Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Jetën e Përkushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, kryesoi kremtimin eukaristik të festës. Këto ditë në Bazilikë u mbajtën edhe takime, me temë: “.. në kujtim të Koncilit II të Vatikanit. Shpresa për të ardhmen…”.
Intervistuam abateshën e manastirit benediktin të Shën Çeçiles, Nënën Maria Xhovana Valenciano, së cilës i drejtuam pyetjen:

Pyetje: - Në ç’mënyrë mund t’i shikojnë laikët e sotëm si shpresë për të ardhmen, njerëzit që jetojnë në manastire?

Përgjigje: - Sipas masës, me të cilën ne e jetojmë shpresën në manastire. Kemi edhe një fjalë kyçe, në Letrën e Pjetrit: “Adhurojeni Zotin Krisht në zemrat tuaja e jini gjithnjë të gatshëm t’i jepni përgjigje kujtdo, që kërkon prej jush arsyen e shpresës, të cilën e keni në shpirt”. E unë mendoj se bota e sotme, ngarkuar me trazira, probleme, dëshpërim, përhumbje, kërkon pikërisht arsyen e shpresës, që është në ne. Prej këndej, me jetën tonë brenda mureve të manastireve, gjithnjë në lutje e në punë të heshtur, duhet t’i dëshmojmë çdo njeriu të pushtuar nga ankthi, se ne mund t’i marrim mbi vete, me durim, plagët fizike e shpirtërore të vëllezërve. Mendoj se detyra e bashkësive monastike është t’i tregojnë njeriut modern se ka edhe forma të reja e ritme të reja jete.

Pyetje: - Cilat janë këto forma, që mund t’i ndjekin edhe laikët?

Përgjigje: - Forma e mikpritjes, e dëgjimit reciprok dhe e Fjalës. Ne, në kuvendin tonë, jetojmë përvojën e një bashkësie ndërkombëtare, anëtarët e së cilën vijnë nga katër kontinente. Jemi me moshë, gjuhë e kultura të ndryshme, e megjithatë jetojmë së bashku, si një familje e madhe, duke e pranuar njëra-tjetrën kështu, siç jemi, e duke u munduar ta thellojmë së bashku mirëpritjen. Është përvojë, që të pasuron e të edukon. Natyrisht nuk është aq e lehtë, sa duket. Por gjithsesi njeriu mësohet t’i vlerësojë dhuratat e secilit, ta pranojë secilin, ashtu siç është, sepse kështu lind një harmoni gjithnjë më e madhe.

Pyetje: - Si takohet jeta juaj, me atë të njerëzve të zakonshëm?

Përgjigje: - Themi se, ndonëse në mënyrë krejtë të veçantë, ne e dëgjojmë gjithnjë botën. Nuk duhet harruar kurrë se lutja jonë, që është edhe thelb i jetës sonë, duhet të shprehë flijimin, vuajtjet fizike e morale, mundimet e shpresat e njerëzimit të cilat, të bashkuara me flijimin e Krishtit, ia ofrojmë, së bashku me Të, Atit qiellor. Pastaj çdo manastir duhet t’i thotë kujtdo që i troket në portë, një fjalë shëlbimi, t’i bëjë një urim paqeje e gëzimi, aq i nevojshëm në ditët tona, kur njerëzit po harrojnë të urojnë, të gëzohen, të paqëtohen. Kushdo duhet të gjejë në manastir një person të gatshëm për ta dëgjuar, të aftë për të marrë mbi vete barrën e vuajtjes, që rëndon mbi shpirtin e tjetrit, të përgatitur për të mirëkuptuar keqkuptimet, zhgënjimet, e edhe për të bërë të vetat gëzimet, të cilat tjetri vjen t’i rrëfejë, për t’ia dhuruar, kështu, një pjesë të gëzimit të vet, të gjithë atyre që takon.

Pyetje: - Si murgeshë klauzure, ç’ dëshironi t’i thoni sot bashkësisë së krishterë?
Përgjigje: - Dëshiroj ta ftoj të shpresojë e të jetë dëshmitare shprese. “Dashuria e Krishtit nuk na lë të qetë”, u thoshte Shën Pali Korintianëve. Kjo është fjalë, që duhet ta dëgjojmë vazhdimisht, sepse tejet aktuale. Një bote të trazuar, të copëtuar, të zhgënjyer, që duket sikur dëshiron të rrënojë vetveten, ne duhet t’i themi, t’i bërtasim madje, me bindje, se Zoti vijon të jetë i pranishëm mes nesh edhe sot, e prania e tij është shëlbuese. Zoti dëshiron të na shpëtojë. Të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.