2012-11-21 18:06:16

Ambasada shqiptare në Romë kremton 100-vjetorin e Pavarësisë


Nesër, ambasada shqiptare në Romë kremton 100-vjetorin e Pavarësisë, së bashku me bashkatdhetarët nga e gjithë Italia. Në orën 18.00, në Hotel Mariott, në rrugën e famshme Veneto, ambasadori, Shkëlqesia e Tij, z. Llesh Kola dhe bashkëshortja do të presin të ftuarit e mbrëmjes festive, e cila zhvillohet çdo vit, por kësaj radhe është e veçantë, pasi ka si kornizë ditëlindjen e shtetit të Shqipërisë, që mbush 100 vjeç, moshë e respektuar edhe për një vend.
Pas përurimit të djeshëm të ekspozitës “Thesaret e Pasurisë Kulturore Shqiptare” në kompleksin “Vittoriano” në qendër të kryeqytetit italian, një veprimtari tjetër do të zhvillohet nesër, gjithnjë në vazhdën e kremtimeve të kësaj periudhe. Nga ora 9.30 deri më 17.30, në Universitetin “La Sapienza” të Romës, do të zhvillohet Konferenca: “Sa afër, sa larg, 100 vjet Shqipëri e pavarur dhe marrëdhëniet shqiptaro-italiane”.
Konferenca zhvillohet nën kujdesin e Ministrive të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës Italiane, në bashkëpunim me vetë Universitetin, me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, me Arkivin e Shtetit Shqiptar dhe me Zyrën e Arkivit Historik të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane.
Takimin do ta përshëndesë Sh.T., z.Edmond Panariti, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Sh.T., z. Llesh Kola, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Prof.Luigi Frati, Rektor i Universitetit “La Sapienza”.
Konferenca do të jetë e ndarë në pesë panele:
Paneli I - Populli i Shqiponjave në periudhën e gjatë historike
Paneli II - Pavarësia dhe Luftërat Botërore
Panali III - Burimet dhe Rekomandimet
Paneli IV - Italianët studiojnë Shqipërinë
Paneli V - Shqipëria Bashkohore







All the contents on this site are copyrighted ©.