2012-11-20 13:28:07

Shkodra kujton Luigj Grakuqin, patriotin-simbol të qytetit


Konferenca Shkencore Ndërkombëtare dyditore "100 vjet shtet i pavarur shqiptar", e organizuar në fundjavën e kaluar në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, pati në vëmendjen e saj edhe figurën e patriotit shkodran, Luigj Gurakuqi. Prof. dr. Ledri Kurti, pedagoge në universitetin e Shkodrës, u ndal gjatë tek figura e Luigj Gurakuqit duke e konsideruar atë patriotin-emblemë. "Emër dominant i këtij brezi të nderuar dhe i këtij 100 vjetori është emri i Luigj Gurakuqit, patriotit-emblemë të kësaj përmase historike si Pavarësia e një shteti dhe njohja e një kombi dhe gjuhës së tij", theksoi Kurti, një studiuese e kahershme e figurës së Gurakuqit.
Sipas saj, "Luigj Gurakuqi do të mbetet përfaqësuesi i kuintesencës më të nderuar të këtij qyteti që i shërbeu Pavarësisë së Shqipërisë, që rrezaton shkëlqimin e gjithë plejadës së vet atdhedashëse".
Një tjetër studiuesi i njohur, Shaban Sinani, e cilësoi Luigj Gurakuqin si një prej figurave më të evokuara dhe më të nderuara në këtë 100 vjetor. "Jo vetëm si një prej njerëzve që ka kontribut parësor në shtetformim, sepse shteti nuk është vetëm shpallja e pavarësisë, është edhe alfabeti, shkolla kombëtare, jo vetëm si deputet, jo vetëm si tribun siç e ka quajtur Noli, por edhe si një prej njerëzve më të kulturuar që mund të ketë në historinë 100 vjeçare të shqiptarëve të këtij shekulli", u shpreh Sinani. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.