2012-11-20 13:03:34

Mund të shkruash një mendim në “Rrotullën e fesë: imzot Fizikela mbi nismën e Veprës Romake.


Një rrotull pergamene 50 metra e gjatë, mbi të cilën shtegtarët, që vijnë në Romë, mund t’i japin përgjigje me shkrim pyetjes: “Ç’është feja për ju?”. Quhet “Faith Scroll” dhe u përurua pak ditë më parë pranë zyrave të Veprës Romake të Shtegtimeve, përballë Shën Pjetrit. Mbi ‘Rrotullën e Fesë’ mund të shkruhet edhe një ndjet personal lutjeje, që do të kujtohet, pastaj, gjatë Meshës në Bazilikën e Vatikanit.
Ndër të parët, që la mesazhin e tij, ishte imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri: “Përballë shumë pyetjeve, që shqetësojnë zemrën e çdo njeriu lidhur me kuptimin e jetës, shkroi prelati, feja është përgjigjja e mbrame e përfundimtare, sepse të bën të shikosh fytyrën e Krishtit, Birit të Zotit. E ftuam imzot Fizikelën të na flasë pak më gjatë për nismën:

Përgjigje: - Është një nismë, që bëhet akoma më shumë shprehje e komunikimit të përvojës së fesë, përvojë e fesë së shumëfishtë, sepse përvojë kumtimi, përvojë lutjeje, përvojë dëshmie, e në këtë çast, edhe përvojë komunikimi. Këtu shtegtarët mund t’i shkruajnë emocionet, që jetuan pikërisht si shtegtarë tek Varri i Pjetrit. Këtu mund të shkruajnë ndjetet e tyre të lutjeve, si shprehje e pjesëmarrjes në një fe më të madhe, në fenë e Kishës së përhapur në mbarë botën. Po këtu mund të provosh edhe përvojën e fesë së Kishës. Përmes këtij mjeti të vogël, ndjehet fort katoliciteti i Kishës, domethënë universaliteti i saj. Këtu kanë nisur të shkruajnë besimtarë në të gjitha gjuhët e botës: nga gjuha kineze, tek ajo australiane; nga portugalishtja tek shqipja, të gjitha gjuhët që njohim rrotull botës sonë të vogël. E kjo mori gjuhësh bëhet edhe shprehje e një gjuhe të vetme, që na bashkon, gjuhës së fesë sonë.

Pyetje: - Ç’do të bëhet më pas me këtë ‘Rrotull’?

Përgjigje: - Shpresojmë se kjo ‘Rrotull’ do të bëhet edhe mjet për të shprehur pasurinë e lutjeve të shumta e të përvojës së pasur të besimtarëve, këtu, në Romë. Mund të bëhet, prandaj, për shprehjet më domethënëse, botim i ri e mund të vihet edhe në internet. Ndërkaq, ta nisim këtë udhë lutjesh e përvoje feje e pastaj shikojmë edhe ç’do të na sjellë kjo përvojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.