2012-11-20 14:28:37

"Lutem për vendin tim": evokim i së Lumes Nënë Terezë në një mbrëmje artistike në Tiranë


Lutjet-poezi të së Lumes shqiptare Nënë Terezë shoqëruar me muzikë nga Orkestra e Harqeve ishin pjesë e mbrëmjes muzikore "Lutem për vendin tim", që u shfaq të hënën më 19 nëntor, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Në mbrëmjen artistike, e mbajtur në kuadrin e kremtimeve të100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u interpretua premiera e veprës "Nëna e dhimbjes", për kor dhe orkestër harqesh, e kompozitorit Gerti Druga, fitues i çmimit të parë në konkursin muzikor të "100vjetorit të lindjes së Nënë Terezës", nën dirigjimin e Suzana Turkut.
Poezitë e Nënë Terezës u interpretuan nga aktorët Marsela Lena dhe Dritan Boriçi, ndërkohë që pjesë e mbrëmjen artistike ishin edhe këngëtarë të njohur të skenës operistike shqiptare si, Eva Golemi, Armando Kllogjeri, Eriona Gjyzeli, Vikena Kamenica dhe Rudina Delia.
Për publikun u interpretuan "Rrjedh në këngë e ligjërime" e Feim Ibrahimit nga Armando Kllogjeri, romancë "Djaloshare" e Tonin Harapit nga soprano Rudina Delia, ndërsa Vikena Kamenica interpretoi Ave Maria Scochiante.
Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, Visar Zhiti dhe Roland Tasho kanë realizuar një album me foto e lutje të Nënë Terezës i cili u promovua në mbrëmjen artistike të 19 nëntorit.
Albumi është një botim që evidenton nëpërmjet fotove dhe lutjeve të saj, lidhjen e fortë shpirtërore të së Lumes Nënë Terezë me Shqipërinë dhe shqiptarët. "Shpresoj që albumi të jetë një qiri që hedh dritë edhe më tej tek shqiptarët mbi figurën e Nënë Terezës", tha Zhiti.
Albumi "Nënë Tereza me shqiptarë", përmban fotografi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, si dhe të Petrit Kumit e Roland Tashos. Janë rreth 60 foto të realizuara në periudhën e fëmijërisë dhe rinisë në vendlindje, përpara se të ndërmerrte misionin e saj njerëzor e shpirtëror në dobi të besimit e njerëzimit, duke shpreh fenë në Zotin për shërbimit të të varfërve e të të menjanuarve.
Njëkohësisht, pasqyrohen të gjitha vizitat e së Lumes Nënë Terezë të realizuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit të jetës tokësore, takimet e ndryshme me personalitete të politikës, kulturës dhe fetare.
Lutjet e së Lumes Nënë Terezë për Shqipërinë dhe shqiptarët, jetimët, njerëzit e vendit të saj dhe të mbarë botës, do të jenë fokusi kryesor ku përqendrohet lënda përmbajtjesore e këtij botimi, i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
E pranishëm në mbrëmjen muzikore ishte Presidentja e Fondacionit Kulturor, "Nënë Tereza", Liri Berisha, ministri i MTKRS-së Aldo Bumçi, e personalitete të tjera të artit në vend.
Koncerti muzikor dhe promovimi i albumit për të Lumen Nënë Terezën janë pjesë e kalendarit të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.