Kremtohet sot 20 nëntor Dita Botërore për të Drejtat e Fëmijëve. Sivjet, vëmendja
e botës është përqendruar në fatin e fëmijëve të përfshirë në konfliktet e armatosura.
Për ta, të shtunën, besimtarët do të luten në Paris, në një meshë të organizuar nga
Zyra ndërkombëtare katolike për fëmijërinë, që do të kremtohet në orën 18.00 në Kuvendin
e Lajmërimit të Zojës. Më pas do të vazhdohet me një konferencë mbi këtë temë të rëndësishme.
Një studim i fundit vë në dukje se konfliktet në botë janë 388 e në to përfshiohen
një miliard fëmijë, shumica e të cilëve nën moshën pesë vjeç. Për të mos folur pastaj
për fëmijët ushtarë, të cilëve jo vetëm u mungojnë kushtet e natyrshme të jetesës
për moshën, por edhe dashuria e prindërve. Pra, siç dihet, Data 20 nëntor është
shënuar në kalendar si "Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve". Përcaktimi
i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, miratuar nga Asambleja
e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 Nëntor 1989 dhe ka hyrë në fuqi si ligj
ndërkombëtar në vitin 1990. Miratimi i kësaj Konvente shënoi një pikë kthese, duke
bërë të njohur në mbarë botën që fëmijët nuk janë vetëm subjekte të mbrojtjes, por,
gjithashtu, mbajtës të të drejtave civile dhe politike. Konventa "Për të drejtat
e fëmijëve" u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në Shkurt 1992 dhe hyri në fuqi në
Mars 1992. Ratifikimi i saj nga Kuvendi u bë në bazë të nenit 16 të Dispozitave Kryesore
Kushtetuese (1991). Kuadri ligjor pas ratifikimit të Konventës ka pësuar ndryshime
rrënjësore me qëllim përshtatjen e tij me dispozitat e Konventës. Konventa "Për
të drejtat e fëmijëve", e njohur gjithashtu si "Konventa e Fëmijëve", e përkufizon
fëmijën si çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç dhe pohon se fëmija gëzon plotësisht
të drejtat e njeriut. Ajo përmban 54 nene të të drejtave të fëmijëve, që mund të ndahen
në tri kategori të përgjithshme, si mbrojtja, përkujdesja dhe pjesëmarrja. Më konkretisht,
mbrojtja, garanton sigurinë e fëmijëve dhe mbulon çështje specifike, si abuzimi, neglizhenca
dhe shfrytëzimi; përkujdesja, mbulon nevojat e veçanta të fëmijëve, si arsimimi dhe
kujdesi shëndetësor; pjesëmarrja, njeh kapacitetin në zhvillim të fëmijës për të marrë
vendime dhe për të marrë pjesë në shoqëri, ndërkohë që fëmija i afrohet moshës së
pjekurisë. Konventa thekson dukshëm epërsinë dhe rëndësinë e rolit, të autoritetit
dhe përgjegjësisë të familjes së fëmijës. Ajo afirmon të drejtën e fëmijës jo vetëm
për gjuhën dhe kulturën e familjes, por gjithashtu për ta respektuar atë gjuhë dhe
kulturë. Në të njëjtën kohë konventa i bën thirrje shtetit për të përkrahur familjet,
të cilat nuk janë në gjendje të sigurojnë një standard të mjaftueshëm jetese për fëmijët
e tyre. Ndërsa njeh rëndësinë e familjes për mirëqenien e fëmijës, konventa njeh gjithashtu
fëmijët si individë që janë mbajtës të të drejtave, duke u garantuar atyre, sipas
përshtatjes, aftësinë e të zhvilluarit, të drejtën për identitet, për jetë private,
për informacion, për mendim, ndërgjegje dhe besim, për t'u shprehur dhe për t'u organizuar. Bazuar
në konventë, të drejtat e fëmijëve paraqiten në katër parime bazë, si mosdiskriminimi,
interes më të lartë për fëmijët, e drejta për të jetuar e për t'u zhvilluar, si dhe
respektimi i pikëpamjeve të tij. Konventa e konsideron parimin e interesit më të
lartë të fëmijës si faktorin përcaktues në të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me
fëmijët. Në të gjitha rastet, interesat më të lartë të fëmijëve kanë përparësi në
krahasim me interesat e të rriturve të përfshirë si prindërit, mësuesit apo kujdestarët. Konventa
gjithashtu parashikon dhe të drejtën për të jetuar, për të mbijetuar dhe për t'u zhvilluar
si e drejta e fëmijës dhe detyrim i shtetit për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin
e fëmijës. Parim tjetër i rëndësishëm i konventës është dhe respektimi i pikëpamjeve
të fëmijës që nënkupton se fëmija ka të drejtë të shprehë një mendim dhe t'i merret
parasysh mendimi për çdo çështje, e cila ndikon mbi të. Konventa "Për të drejtat
e fëmijëve" është një mjet efektiv për të ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të
identifikojnë përgjegjësitë komplekse që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtave
për fëmijët.