2012-11-19 16:06:52

U hapën në Vatikan punimet e Kongresit të 23-të Botëror të Apostullimit të Detit


U hapën sot paradite, në Vatikan, punimet e Kongresit të 23–të Botëror të Apostullimi të Detit, organizuar nga Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, me temë: “Ungjillëzimi i ri në botën detare”.
Deri më 23 nëntor, pjesëmarrësit do të reflektojnë mbi mënyrat e mjetet, që duhen përdorur për ta kumtuar Lajmin e mirë në ujërat pa fund të deteve e të oqeaneve.
Kongesin e hapi kardinali Antonio Maria Vegliò, kryetar i dikasterit, duke kujtuar se ky është kongresi më i madh botëror, që është organizuar ndonjë herë në historinë e apostullimit të detit e të detarëve. E theksoi këtë, sepse në Vatikan janë mbledhur më se 400 delegatë-përfaqësues të njerëzve, që e kalojnë jetën mbi ujë, ardhur nga 70 vende të botës.
Takimi organizohet edhe për të kujtuar 90-vjetorin e miratimit të Kushtetutave të para e të bekimit të këtij Apostullimi nga ana e Piut XI.
Zhvillimi teknologjik i industrisë detare, problemet në rritje lidhur me jetën e punën e detarëve, sfidat e lindura nga normat e reja e shpesh kufizuese dhe nga kriza ekonomike, nënvizoi Hirësia e Tij, bëjnë që Apostullimi i detit të ungjillëzojë në kushte shumë të vështira.Por pavarësisht nga këto vështirësi, bota e ujit është truall i begatë për ungjillëzim. Mjafton të kujtojmë mijëra anije mbi ujërat, që mbështjellin globin, ekuipazhet e tyre me kultura, tradita e fe nga më të ndryshmet, pa folur këtu për peshkatarët, edhe ata gjithë jetën me këmbë në ujë. Këta njerëz jetojnë në hapësirat e ngushta të anijeve e të varkave, të shkëputur nga familjet e nga bashkësitë e tyre të krishtera, pa ushqimin e duhur për fenë. Prej këndej, kapelanët dhe vullnetarët e Apostullimit të Detit duhet të punojnë për ta thelluar fenë e detarëve, duke ua shpallur Ungjillin edhe atyre, të cilët nuk e njohin e duke rindezur, me dëshminë e krishterë, flakën e fesë, që luhatet në shpirtin e këtyre njerëzve, gjithnjë në shtegtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.