2012-11-19 16:07:08

Siria në qendër të Këshillit evropian të Ministrave të Jashtëm. Kondolica Rajs: SHBA-të të veprojnë tani, ose vihet në rrezik krejt rajoni


Dhuna në Lindjen e Mesme, në qendër të takimit ndërmjet ministrave të jashtëm evropianë, që u mbajt sot në Bruksel. Sidomos Siria tërheq gjithë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Në një artikull të sotëm, publikuar në gazetën amerikane “The Ëashington Post”, ish-sekretarja e shtetit e presidentit Xhorxh Bush, Kondolica Rajs, thekson se pas përfundimit të zgjedhjeve, është koha që Amerika të ndërhyjë në Siri. “Është gabim i madh - nënvizon ajo - që konflikti me regjimin e Bashar al Asadit të konsiderohet thjesht humanitar”, siç është bërë vitin e kaluar në SHBA-të. “Kemi të bëjmë me aktin e fundit historik të shpërbërjes së Lindjes së Mesme”.
Sipas zonjës Rajs, në Siri, është Irani që po lufton ndoshta betejën e tij vendimtare për ta shtrirë ndikimin mbi të gjithë shiitët, duke i bashkuar nën flamurin teokratik të Teheranit e duke shkatërruar kështu, integritetin e Bahreinit, të Arabisë Saudite, të Irakut e të Libanit. Në përshkrimin e këtij projekti, ekspertja e ish-Bashkimit Sovjetik nuk heziton ta krahasojë me thirrjen e shekullit të 19-të “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”.
“Tani, Karl Marksi është në Iran” shkruan, duke iu referuar planit iranian për t’i mbledhur shiitët, “duke përdorur grupe terroriste, Hezbollahët dhe milicinë shiite në jug të Irakut. E Siria është kyçi, ura në Lindjen e Mesme arabe. Teherani as që e fsheh më se forcat e tij të sigurisë punojnë për të mbështetur al Asadin”.
“Por, ku janë SHBA-të?”, pyet ish-anëtarja e dy administratave republikane, duke kritikuar faktin se për një vit të tërë, Uashingtoni është përpjekur vetëm të bindë Rusinë dhe Kinën që ta braktisin presidentin sirian. Gjatë ditëve të fundit, vëren Kondolica Rajs, Franca ndërhyri në një boshllëk diplomatik, duke njohur aleancën e re të opozitës. SHBA-të duhet të ndjekin Parisin, duhet të kontrollojnë e të armatosin një grup të bashkuar, duke vënë si kusht impenjimin e tij pas Asadit. Pesha dhe ndikimi i amerikanëve janë të nevojshme. Lënia e zgjidhjes së problemeve në dorën e fuqive rajonale, interesat e të cilave nuk janë të njëjta me tonat, nuk do të bëjë tjetër veçse do të nxisë sektarizmin në rritje”.
Me një fjalë, Kondolica Rajs sugjeron rivendosjen e politikës interventiste të ish-presidentit Bush. Por, edhe ajo vetë, në të njëjtin artikull, pranon se pavarësisht nga shpresat për vendosjen e një demokracie shumëetnike e shumëfetare në Irak – të famshmen demokraci “të eksportuar” të SHBA-ve – institucionet irakiane janë akoma të brishta e vuajnë nga konfliktet në rajon, ashpërsimi i të cilave, sipas saj, është edhe për faj të impenjimit të paktë amerikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.