Papa Patrikut Tawandros II, që nisi detyrën: uroj që të krishterët të bashkohen së
shpejti.
Patriku Tawandros nis një detyrë, gjatë së cilës e presin sfida të mëdha. Benedikti
XVI e shoqëron me lutje, duke uruar të sjellë fryte në fushën baritore dhe ekumenike.
Është ky thelbi i mesazhit, që i drejtoi Papa Patrikut të ri kopt ortodoks, Tawandros
II, në fillim të misionit të tij, nisur zyrtarisht dje. Papa ia drejtoi përshëndetjen
përmes kardinalit Kurt Koch, kryetar i dikasterit për bashkimin e të krishterëve,
i pranishëm në katedralen e Shën Markut në Kairo, ku u kremtua ceremonia e fronëzimit
të Patrikut të ri. Uroj që Zoti i gjithëpushtetshëm, shkruan Benedikti XVI, t’i
sjellë Shenjtërisë Suaj dhurata të begata shpirtërore, për ta fuqizuar misionin tuaj
të ri në udhëheqje të klerit e të laikëve drejt shtigjeve të shenjtërisë, për të mirën
e popullit tuaj, për paqen e për harmoninë e mbarë shoqërisë. Pasi kujton edhe
paraardhësin, Shenuda II, si dhe përpjekjet e tij për përmirësimin e marrëdhënieve
me Kishat e tjera të krishtera, Papa uron të forcohet shpresa që një ditë të gjithë
ndjekësit e Krishtit të bashkohen në dashurinë e pajtimin e dëshiruar nga Krishti.
Benedikti XVI shton, në mesazh, se do të lutet që marrëdhëniet ndërmjet Kishës
katolike e Kishës ortodokse kopte të bëhen gjithnjë më të ngushta, përmes frymës së
bashkëpunimit dhe të dialogut teologjik, që do të krijojnë kushtet, pohon akoma, për
të thelluar bashkimin e për të dëshmuar para botës të vërtetën shëlbuese të Ungjillit.