2012-11-19 14:40:00

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: rivlerësim i historisë; Deçiçi i mohuar me Dedë Gjo’ Lulin


Pjesa n. 11. Kur i patën thënë Plakut të Flamurit, , i cili e kishte përcjellë Dedë Gjo Lulin vetë deri tek porta: “Pse i bëtë aq nderime këtij malësori?”, ai i qe përgjigjur: “ Dedë Gjo' Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë!”.
U përgjigj kështu, sepse Malësori i Madh i kishte paraprirë, duke valëvitur Flamurin e parë të Kastriotëve, me shqiponjën e zezë dykrenore mbi fushë të kuqe
Dedë Gjo’ Luli (1840-1915), i njohur për burrëri, urti e autoritet, përballoi me armë në dorë ushtritë pushtuese turke e sulmet malazeze, duke ruajtur me vendosmëri trojet e të parëve tanë. Kryengritja e fillimit të dekadës së dytë të shek. XX, i tregoi Evropës se kishte ardhur koha të shkundej nga soditja indiferente që i bënte vështrimit të ngjarjeve në trungun e vjetër të Evropës Juglindore, në trajtimin e çështjeve shqiptare; paralajmëroi fuqitë e ndryshme ballkanike, që ëndërronin coptimin e Turqisë evropiane, se trojet shqiptare nuk do të ishin kafshatë e lehtë për të ngopur ata, që nuk ngopen kurrë. Ajo i dha një mësim të mirë pushtuesit turk “tue provue me gjuhën e plumbave se kishte perëndue tashma koha e ekspeditave ndëshkimore dhe e raprezaljeve, të udhëhequna nga gjeneralë shumë të zot, e dhe të sprovuem në mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë” (Tefë Krroqi, “Hylli i Dritës”, vj. XXII, fq. 11).
Historiani atë Marin Sirdani (1885-1962), duke vlerësuar kontributin e elementit katolik shqiptar atdhedashës kundër lëvizjeve shtypëse të xhonturqve për nënshtrimin e kombeve, që kërkonin liri, cekë ngjarjen e rëndësishme të historisë të 6 prillit 1911, kur shkruan: “Barbarít, mandej, të kryesueme prej Xhavit Pashës e Shefqet Turgut Pashës për t’shtypë shqyptarët çuen peshë zemrat e shumkuj, e Lekët e Malcís, qi nuk ishin kenë msue me u bâ rajë e askuj, tue provue se vetem arma muejte me u sigurue gján, mallin, nderen e t’drejtat, qi kishin pas gzue per qindra vjet edhe nen Turkí nisen me lvizë.
Qysh n’prendveren e vjetit 1910 shifen faqe shêje paknaqsije: t’arratisunt shtohen e n’krye të çetave kryengritse asht “Kreshniku i Malcís” Dedë Gjo’Luli. Ky e Kol Toma, Bajraktari i Velës, ishin të vetmit në krahinen e Shkoders qi, tuj mos xânë bés njaj permirsimi, me djelm t’vet e kushrit, nuk kishin dorzue armët e ishin arratisë. Kaloi gjith ajo vjetë pa ndonji ngjarje me randsi, por me 24 marc 1911 zuni fill nji luftë e vertetë kundra Turkís.
Populli mbarë i Malcís, i lidhun me kryengrits, me pushkë e pa pushkë msyni njiherit t’gjitha postat qi gjindeshin brenda kufinit t’Malcís e me at yrysh n’e e nesre, pushtuen Tuzin, e ashtu t’forcuem me armë e me municion u drejtuen kah Shkodra e qendruen n’Koplik. Mali i Zi, i cilli mezi qi pritte shtjellime në Turki, tuj e pa se malcort ia kishin nisë punës pernjimend, u vu me i mprojtë e e bâne kufinin e lirë me hi e me dalë.
Lajmi se Malcia ishte çue peshë e dojte me msye Shkodren e qiti ne mendim Bedri Pashen, valín e atij qyteti, e, me shkak se ishte Dini në rrezik, i rrêjti muhamedanët e vendit, e kush kje i zoti i armve, u bashkue me asqer e duel në luftë kundra malcorve. Kta, per me i diftue Fuqive t’Europës e shqyptarve qellimin e kryengritjes, bânë, me 30 marc, nji mbledhje n' Cetinë e i çuen nji ‘memorandum’ Fuqive t’Mdha e Malit t’ Zi. Në ket tubim, pos krenve t’Malcís, morën pjés e u lidhen me ta edhe disa krén me randsí t’vendeve tjera, t’krishtenë e muhamedan”. (dorëshkrim).
Po sot Dedë Gjo’ Luli e ai Flamur që ngriti në Bratile, u lanë në heshtje, ndoshta pikërisht sepse malësorët e veriut ishin një zemre e një shpirti me Kishën Katolike, me famullitarët, që i prinë me lutje e diplomaci, luftës së tyre me armë, deri në fitore. Me ata, që e çuan krismën e armëve të malcisë, në arenat diplomatike të botës e që Atdheu i shpërbleu me martirizim e harresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.