2012-11-19 13:50:49

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: luftat dhe fatkeqësitë e natyrës e shkatërrojnë botën, Krishti është themeli i patundshëm.


Krishti është themeli i patundshëm i botës, i një bote që tronditet vazhdimisht nga dhuna dhe fatkeqësitë e natyrës. Këtë mësim propozoi dje Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Papa reflektoi mbi Ungjillin e liturgjisë së djeshme, në të cilin Krishti u flet Apostujve për ardhjen e tij të dytë, në fund të kohëve.

Ungjilli flet për mjerimin e atyre ditëve, kur dielli do të terratiset, hëna nuk do të lëshojë më dritë, yjet do të bien nga qielli e trupat qiellorë do të lëkunden. Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut. Është dita e fundit e botës, sipas figurave të Ungjillit të Shën Mateut, ashtu si ua përshkruan Jezusi apostujve. E Jezusi jo vetëm kujton figurat e lashta të Biblës, por edhe i plotëson, madje i relativizon këto figura, shpjegoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, me një vegim tjetër të fuqishëm: “Të gjitha fiset e dheut do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e madhëri të madhe” :
“Biri i njeriu është vetë Jezusi, që lidh të tashmen me të ardhmen; fjalët e lashta të Profetëve gjejnë, më në fund, një qendër në Vetjen e Mesisë nazarenas: ngjarja e vërtetë, e madhe, është Ai, që në mes të tronditjeve të botës, mbetet përgjithnjë i patundshëm”.
Skena, që pikturon Krishti, nuk ka qëllim të ngjallë shqetësim, përkundrazi. Zoti dëshiron të na bëjë të vetëdijëshëm se gjithçka kalon, ndërsa Fjala e Zotit nuk kalon kurrë, nuk ndryshon, e përballë saj, secili nga ne do të japë llogari për sjelljen e vet, gjëja e vetme që ka rëndësi në fundin e kohëve:
“Jezusi nuk pëshkruan fundin e botës e, kur përdor figura apokaliptike, nuk sillet si vegimtar. Përkundrazi, Ai dëshiron t’i largojë dishepujt te tij të çdo epoke nga kurioziteti lidhur me datat e parashikimet, duke u dhënë në dorë kyçin për një lexim më të thellë, themelor e, mbi të gjitha, për t’u treguar rrugën e drejtë, në të cilën duhet të ecin, sot e nesër, që të hyjë në jetën e pasosur”.
Të gjithë elementet e kozmosit, pohoi Papa, i binden Fjalës së Zotit, prej këndej, njeriu është i thirrur ta mbështesë, pa frikë, shpresën, mbi Jezusin, Fjalën e mishëruar të Hyjit:
“Miq të dashur, edhe në kohët tona nuk mungojnë fatkeqësitë e natyrës e, për fat të keq, as luftërat e dhuna. Edhe sot e ndjejmë nevojën e themelit të patundshëm për jetën tonë e për shpresën tonë, aq më tepër për shkak të relativizmit, në të cilin jemi zhytur thellë”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot dhe të përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, drejtuar turmës, mbledhur poshtë dritares së së tij, Benedikti XVI kujtoi lumnimin e djeshëm në Pergamino të Argjentinës, ku u lartua në nderimet e elterit rregulltarja Maria Kreshencia Pérez. E lumja e re, që jetoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, theksoi Papa, është model i ëmbëlsisë ungjillore, frymëzuar nga feja. Ta lavdërojmë Zotin për dëshminë e saj.
Në fund, një mendim për vullnetarët e bankës ushqimore, apo të grumbullimit të ushqimeve, duke e inkurajuar këtë nismë e duke uruar t’i edukojë besimtarët për ndarjen e përbashkët të të mirave materiale, në ndihmë të të varfërve e, sidomos, të shumë familjeve, që kalojnë kohë të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.