2012-11-19 16:06:39

Anglikanët: nesër votojnë për gratë-ipeshkvij. Imzot Nikols: i ndjekim me shumë vëmendje.


Procesi, përmes të cilit Kisha e Anglisë është duke arritur tek vendimi mbi shugurimin ipeshkvnor të grave, po ndiqet nga ana jonë me vëmendje e shqetësim. Kështu ia përshkruan primati katolik i Anglisë dhe i Uellsit, imzot Vincent Nikols, kryeipeshkëv i Uestminsterit agjencisë Sir, qëndrimin e Kishës katolike në prag të votimit të nesërm. Ligjshmëria, mbi të cilën Kisha e Anglisë punon prej 20 vjetësh, duhet të marrë shumicën e dy të tretave të secilës nga tri klasat e Sinodit: laikë, pastorë e ipeshkvij. Kujtojmë se kjo ligjshmëri nuk u pranua nga ipeshkvijtë korrikun e kaluar, sepse formula e gjetur për të kënaqur kundërshtarët, nuk u pëlqeu anglokatolikëve, të cilët nuk duan ta thellojnë më tej hendekun me Romën, evangjelikëve konservatorë e edhe lëvizjes së grave. Që atëherë ipeshkvijtë anglikanë gjetën një rrugëzgjdje tjetër, e cila parashikon që disa famulli, të cilat nuk e duan ipeshkvin grua, mund të zgjedhin një ipeshkëv burrë. Kjo formulë, ndoshta, mund t’i kënaqë të gjitha fraksionet në votimin e nesërm. “Tanimë ka disa gra të shuguruara ipeshkëv në gjirin e Bashkmit Anglikan – pohon primati Nikols. Në këtë kuptim qëndrimi i Bashkmit Anglikan është krejt i qartë. Prandaj nuk mendoj se vendimi do të ndikojë rrënjësisht mbi rrugën e dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy Kishave. Gjithsesi, do ta thellojë më tej atë identitet të Kishës së Anglisë, që është më pak pranë traditës katolike. Do të vijojmë të flasim, por sigurisht ky është një hap shumë domethënës, që po ndërmerr Kisha. Kryeipeshkvi i Uestminsterit komenton edhe interesimin e botës së politikës e të financës britanike për doktrinën shoqërore katolike, të cilën ministra e afaristë po e shikojnë si pikëmbështetje dhe rrugëdalje nga kriza ekonomike. Kujtojmë se këtij argumenti Bbc i kushtoi një emision në programin “Analysis” . E Primatin katolik e inkurajon edhe fakti se liderët e botës së biznesit e kanë pyetur, duke i kërkuar edhe ndihmë për zgjidhjen e disa problemeve, që duhet të përballojnë, probleme, që kanë të bëjnë me krizën e me besimin, me kërkimin e një rruge të drejtë në biznes e të një ekulibri ndërmjet fitimit e shërbimit ndaj shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.