2012-11-18 15:55:51

Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit në Romë.


Afrohet kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Festë e madhe kombëtare e gjithë shqiptarëve. Na çon me kujtesë njëqind vjet pas, në kohën kur valëvitja e Flamurit kombëtar shënoi ditën e parë të jetës për Shqipërinë e lirë e të pavarur.
Prandaj Festa, që kremtohet çdo vit kudo jetojnë e punojnë shqiptarët, dmth në të katër anët e botës, sivjet pritet me emocione të veçanta, duke i nxitur të gjithë të reflektojnë sa për të kaluarën, aq edhe për të sotmen e të ardhmen.
Sipas traditës, me rastin e 28 nëntorit, Kolegji Papnor Grek dhe Bashkësia Bizantine e Shën Athanasit në Romë, të shtunën, më 24 nëntor, në orën 17.00, do të organizojnë një Konferencë me titull: “Pavarësia e Shqipërisë dhe Bektashinjtë”, drejtuar nga profesor Domenico Morelli.
Protagoniste e këtij takimi do të jetë profesoresha Luiza Guidetti, që do të mbajë referatin kryesor. Konferenca do të vijojë me diskutime të lira.
Takimi mbahet, si zakonisht, në Sallën e Via dei Greci 46.
Ndërsa të dielën, më 25 nëntor, në orën 10.30, pranë Kishës së Shën Athanasit, në Rrugën e Babuinit 149, për të gjithë popullsitë që flasin gjuhën shqipe në Atdhe e nëpër botë, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore në këtë gjuhë, kryesuar nga Papàs Angelo Prestigiacomo.

Me rastin e Festës së Madhe, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe pranë Urdhërit Sovran Spitalor të Maltës, zoti Rrok Logu dhe zonja Logu, do të japin, më 27 nëntor 2012, një pritje festive në hotelin romak Crowne Plaza, Via Aurelia Antica, 415, 00165. Pritja do të fillojë në orën 18.00 e do të vijojë deri në orën 20.00.

Ndërsa Ambasadori i Shqipërisë në Romë, shkëlqesia e Tij zoti Llesh Kola dhe bashkëshortja, do t’i presin të ftuarit më 22 nëntor, nga ora 18.00 deri në orën 20.00, në një mjedis të Hotelit romak Mariot, në Via Veneto.

Kremtimet priten me kënaqësi nga shqiptarët, të cilëve u krijojnë mundësinë të takohen me miq e dashamirë e t’i urojnë njëri-tjetrit Festën Kombëtare të Flamurit në gjuhën amtare që, në viset e huaja, tingëllon vërtetë ‘porsi zâ qi lëshon bylbyli”.








All the contents on this site are copyrighted ©.