2012-11-18 15:53:40

Atë Lombardi: “Lavd moshës së shkuar”


Të hënën e kaluar, me rastin e Vitit Evropian të plakjes aktive dhe të solidaritetit ndërmjet breznive, Benedikti XVI shkoi për vizitë në Shtëpinë-Familje “Rrofshin pleqtë”, të Bashkësisë së Shën Egjidit. Shumë e ngrohtë, pritja e edhe më i ngrohtë, fjalimi drejtuar banorëve të familjes. Që në fjalët e para u ndje fort afërsia ndërmjet mikut e mikpritësve.“Vij ndërmjet jush si Ipeshkëv i Romës, por edhe si i moshuar, në takim me bashkëmoshtarët”. Me këto fjalë niste takimi i Papës me të moshuarit, të cilit Atë Federiko Lombardi i kushton editorialin për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, titulluar:
“Lavd moshës së shkuar!”

“Vizita e Papës në një shtëpi për të moshuar, të hënën e kaluar, është sigurisht një nga çastet e lumtura, përmes të të cilave një numër i madh njerëzish e kupton lehtësisht se gjestet e fjalët e Atit të Shenjtë janë mesazh i çmuar për ta, e jo vetëm për grupin e vogël të të zgjedhurve, që munden ta takojnë personalisht. I moshuar ndërmjet të moshuarve, Benedikti XVI iu drejtua bashkëmoshtarëve të tij me fjalë të dala nga zemra, duke u kujtuar se i njeh mirë vështirësitë, problemet dhe kufizimet e kësaj moshe.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, ai nuk u ndalua tek situata e të moshuarit të sëmurë e të pamundur, por tek ajo e të moshuarit në përgjithësi, duke shpjeguar vlerën e posaçme të kësaj stine të jetës, si pranim i qetë e durimtar i kufizimeve të moshës e si vijim i jetës, me vetëdijen se Zoti i do të moshuarit e se mund të ndajnë me të tjerët ‘dijen e fituar nga jeta’: “Të jenë libër i hapur, në të cilin breznitë e reja mund të gjejnë këshilla të çmuara për udhën e tyre”. Nuk bëhet fjalë, prandaj, për përpjekje artificiale, të cilat synojnë ta mbushin kohën e pleqërisë me gjëra që duhen bërë, por për ta mbushur me komunikimin e dijes së zemrës, që di të dallojë vlerat e dorës së parë, nga ato të dorës së dytë, ato që i bëjnë ballë kohës nga ato, që kalojnë e zhduken. Natyrisht kjo nuk realizohet vetvetiu, sepse në një farë mënyre, posaçërisht kur vuan thellësisht, pleqëria është çasti i së vërtetës, çasti në të cilin, siç shkruante Romano Guardini – “kufijtë hapen duke lënë të duket absoluti”. Pritja mund të mbushet me lutjen, që hap horizonte tejet të gjëra: Papa u kërkon të moshuarve të luten për të varfërit, për paqen, për përfundimin e dhunës, për Kishën, për atë vetë…. E kjo është një lutje e fuqishme, nga që njeriu i moshuar, i cili beson e shpreson, e di mirë se është më pranë Zotit e Shenjtorëve, më familjar me ta; vija e kalimit bëhet gjithnjë më transparente. Për këta të moshuar kemi shumë nevojë dhe e dimë se janë një pasuri e stërmadhe. Prandaj duhet t’i mbajmë me dashuri ndërmjet nesh, në mënyrë që të mund të themi me të vërtetë, së bashku me Papën: “Është gjë e bukur të jesh i moshuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.