2012-11-16 17:10:07

Papa të rinjve në Mesazhin për DBR-së të Rios: të jeni ju zemra e krahët e Krishtit.


U botua sot Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Rio-de-Zhanéjro nga 23 deri më 28 korrik 2013, me temë: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!” (Mt 28,19).
Benedikti XVI i fton të rinjtë të jenë misionarët e parë ndërmjet bashkëmoshtarëve, posaçërisht në botën dixhitale, në internet, për të ndarë së bashku bukurinë e takimit me Jezusin dhe gëzimin që lind nga ky takim. Lëshojeni veten në krahët e fortë të dashurisë së Zotit, vijon Papa; lëreni këtë dashuri të fitojë mbi prirjen për t’u mbyllur në botën e vogël të vetvetes, në zakonet vetjake; kini guxim të niseni nga vetvetja, për të shkuar kah të tjerët e për t’u prirë drejt takimit me Zotin.
Benedikti XVI kujton fjalët e Gjon Palit II: “Feja forcohet, duke e dhuruar” e shton: “Nuk mund të jesh besimtar i vërtetë, në se nuk ungjillëzon”.
Ati i Shenjtë i nxit të rinjtë ta lexojnë Katekizmin, ta njohin fenë me saktësinë e specialistit, që njeh imtësisht sistemin e punës së kompjuterit.
Duke kujtuar shtatoren e famshme të Krishtit Shëlbues të Rios, me krahët e hapur, në pritje, pohon: “Bëhuni ju zemra e krahët e Jezusit! Shkoni e dëshmojeni dashurinë e tij; bëhuni misionarë të frymëzuar nga dashuria e nga mikpritja”.
E akoma: “T’ua hapim të gjithëve portat e zemrave tona, të përpiqemi për të hyrë në dialog, me thjeshtësi e respekt. Ky dialog, në se jetohet me frymën e miqësisë së vërtetë, nuk mund të mos japë fryt. Kur e ndjeni veten të papërgatitur, të paaftë, të ligshtë në përpjekjen për ta kumtuar e për ta dëshmuar fenë, mos kini frikë. Ungjillëzimi nuk është nisma jonë e nuk varet kryesisht nga talentet tona. Ungjillëzimi është përgjigje plot besim e gatishmëri, që i jepet thirrjes së Zotit e prandaj nuk bazohet mbi forcën tonë”.
“Asgjë në botë, as vështirësitë, as keqkuptimet, nuk duhet t’ju frikësojnë e t’ju bëjnë të hiqni dorë nga mandati për ta çuar Ungjillin e Krishtit deri në skutat e mjediseve ku jetoni e punoni. E ju nxis, porosit akoma Papa, të jetoni gjithnjë në bashkim me Kishën. Askush nuk mund ta kumtojë Ungjillin i vetëm!”.










All the contents on this site are copyrighted ©.