2012-11-16 17:49:04

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar 'B'


'Jezusi nuk na tregon orarin e saktë por na tregon udhën e vërtetë'. Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do ti dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së para fundit të këtij viti liturgjik, të dielës së 33-të.
Me afrimin e fundit të vitit liturgjik, Kisha na propozon për reflektim tonin pjesën e fundit të fjalimit të madh eksatologjik të Jezusit (krh Mk 13). Para se të shkon drejt mundimeve, vdekjes e ngjalljes të tij (krh. 14-16), Jezusi u drejton nxënësve të vet një fjalë plot autoritet mbi mbarimin e kohërave, duke i mësuar mbi ngjarjen që do të rishqyrtojë e përmbledh tërë historinë e do t’i japë kuptimin e plotë dhe përfundimtar: mbi paruzinë, do të thotë mbi ardhjen e lavdishme të Birit të njeriut.
Dhe vërtet ngjarjet e mbrame të historisë së njeriut e të botës mbarë janë ngushtë të lidhura me misterin e Zotit e të Jezu Krishtit: Zoti është i pari e i mbrami, fillimi e mbarimi. Do të jetë pikërisht ardhja e Krishti që do t’u jap fund sendeve të vdekshme dhe do të vendos farën e pavdekësisë. Kjo do të marrë formën e plotë e përfundimtare me kthimin e lavdishëm të Zotit në mbarimin e botës. Në pritje të ardhjes së dytë të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar, bashkësia e krishterë, nuk pushon së punuari e impenjuari në realitetet njerëzore ( në punë, shoqëri, politikë, kulturë e në familje), pra zhytet në realitetet e jetës së përditshme njerëzore mbi tokë në pritjen e lartësimit e të shndërrimit të tyre në qiellin e ri e tokën e re.
Prandaj plot besim e impenjim duhet të zhytemi në rrjedhën e kohës, duke ditur se jemi ndërtues të historisë së shëlbimit, së bashku me Krishtin, e të bëhemi urëlidhëse mes njerëzores e Hyjnores.
Leximet biblike të kësaj së diele pohojnë e na sigurojnë se Hyji është Zotëria i kohës dhe i historisë. E ardhmja jonë është në duart e tij, në duart e Atij që ka krijuar gjithësinë dhe atë e udhëheq drejt plotësimit. Prej asgjëje nuk duhet të kemi frikë, por t’ia hapim zemrën Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur, që do të kthehet një ditë më fuqi e më dashuri.

Tekstet biblike të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele flasin për seriozitetin e jetës së njeriut dhe të pritjes së ngjarjeve të fundit të ekzistencës njerëzore mbi tokë. ‘Rrini zgjuar e të jeni të gatshëm…sepse Zoti do të vijë’: kjo është tema që trajtohet nga leximet biblike duke na drejtuar tek përmasa themelore e përvojës dhe përjetimit të fesë së krishterë. Ajo i drejtohet „realiteteve të mbramë“ dhe na thërret të përgatitemi e të jemi përherë në pritje të Mbretërisë së Zotit. Një jetë e re hapet pas vdekjes trupore; historia jonë hapet para amshimit.
Kështu Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të presim me besim e shpresë shfaqjen përfundimtare dhe ardhjen e lavdishme të Jezu Krishti, birit të Zotit e Birit të njeriut.
Liturgjia e Fjalës se Zotit

Leximi i parë Dan 12, 1-3

Me një fjalor plot imagjinatë Danieli, një profet i Besëlidhjes së Vjetër, transmeton një mesazh të thellë shprese: të drejtët janë të thirrur në jetën e amshuar. Ky lajm do të shpallet plotësisht në Ungjijtë pas ngjalljes së Jezu Krishtit.

Lexim prej Librit të Danielit profet

Në atë kohë do të ngrihet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.
Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.
Fjala e Zotit.

Psalmi 16

Më ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj
----------
Zoti është pjesa e trashëgimit tim
dhe gota ime,
në dorën tënde është fati im!
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë,
nuk kam sesi të rrëzohem!
----------
Prandaj galdon zemra ime,
gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,
as s’do të lejosh
që Shenjti yt të kalbet në dhe.
----------
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme
në të djathtën tënde.
----------

Leximi i dytë Heb 10, 11-14.18
Në besimin e Besëlidhjes së Vjetër shpesh besohej se Zotit mund t’i merrej falja me forcë, nëpërmjet riteve, ofertave dhe flive. Nëpërmjet Krishtit ne e kemi marrë faljen njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha mëkatet.
Hyji nuk do vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet dhe të jetojë. Një i krishterë njeh praninë e mëkatin, por beson me qëndrueshmëri më të madhe në fitoren e Krishtit mbi mëkatin.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtetësisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit. Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to!
Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 13, 24-32
Jezusi shpall fundin e botës kur do të kthehet për të gjykuar historinë e njerëzve.
Mund të ndodhë që njerëzit e sotshëm që janë të pangopur me pasuri, kënaqësi dhe pushtet, të goditen nga katastrofa të mëdha.
Edhe në këtë rast për besimtarin mund të ketë “një lajm i mirë”, nëse njeriu pas katastrofës pranon të bashkëpunojë në ndërtimin e historisë sipas planit të Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.
Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.”
Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu..........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.