2012-11-16 17:11:33

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: flasin dokumentet


Në emisionin e sotëm do të vijojmë me dokumentet e tjera, botuar në revistën e Jezusitëve LEKA.
Dokumenti 170, faqe 169 është një Letër private turqisht e Avdi Bé Toptanit nga Kruja, drejtuar Mustafë Krujës, në Durrës. Është plot shqetësim për Dom Nikollën. Po veçojmë fjalët: “ Prej Dom Nikollit asnji lajm edhè”.

Dokumenti 172, fq 153, datuar tetuer 1912, është një letër shkruar nga një grup nacjonalistash, nga Durrësi, drejtuar mbretit të Austrisë. Koncept letre zyrtare, shqip, për pavarësinë e Shqipnisë. Në poshtëshënim saktësohet se u shkrua me dorën e Dom Nikollë Kaçorrit:
Madhnië,
Shum të vështira e të rezikshme jan këto dit per ne Shqyptarët e per nanën t’onë Shqypninë qi të katër shtetet e Ballkanve po rrain me e perpii a me e coptue. Na me sa fuqië kena, mundohena edhe Perendisë i lutena qi Mretnia jon t’muisi këta anmiq e të na prui prei sish. Por per fat të keq, gjast nuk po na duken fort të mira e po shohim se shum vende të katër vilajeteve të Shqypnisë: Kosovë, Monastir, Shkodër e Janinë gjinden nden kambë të hueja.
Per ket shkak po marrim lejen m’u sjellë kah Madhnija Jote si Perandorit të nji Perandoriisë madhe qi âsht ma e afermja jon e kaa pies në Balkan me Bosnie e Hercegovinë e me I u lutun që në çeshtjet të Balkanve të merret para syyshë edhe Shqypnija në mënyrë qi kufit e sajë mos të përkiten e mos të shtyhen prej kurrkui e qi Shqypnia kështu e paabërkame e e pa voglueme të ketë nji Autonomië të plotë nden Mbretnîin Otomane.
Por në kjoftë se për fat të zië qyllon qi kjo Mretnië nuk ka me muit ma mbas luftës së sotshme me sundue në kurrfar mënyre, atëherë Shqypnia do të dalë e pamvarun... (sidomos, në kje se fuqitë e mëdha) nuk kan me u përzie në rregullimin e konfliktit të soçëm, aqë mâ tepër qi ky konflikt prek në pika të drejte ndërkombëtare të cilat asnjâna prej atyne Fuqive nuk mund të rrijë pa i sqyrtue. Mâ në fund as ana njerzore e çâshtjes nuk mund të jetë krejt pa rândsí për to.
... Âsht e vërtetë se fitimi i armëve i a jep fituesit disa të drejta, ato të drejta qi âsht zakon me i quejtun e drejta e pushtimit; veçse kjo vetëm nuk mund t’i shuej të gjitha tjerat. E pra të gjith popujt qi rrojnë në tokën e sinisís balkanike kanë si njani tjetri të drejtën e jetës e atëherë secilit duhet me i sigurue kushte e arsyeshme të kësaj jete. Populli shqiptar, qi e ka bâmë veten të njohun me përpjekjet e veta heret e vonë për pavarsín e tij e për të ruejtun tânsín e tokës së tij, ka bindjen se âsht i denjë për çëmimin e Qeverrivet evropjane e qi meriton të rrojë.
Për këto arsye na po deklarojmë se populli shqiptar s’ka me pranue asnji ndryshim të statu quo-it toksuer në Tyrqín e Evropës i cili mund të cenojë të drejtat e tija.
Ai nuk do të pranojë asnji trazim nga ana e Shteteve Balkanike në mbarshtimin e vêndit qi i përket si trashigim i mbetun prej të parve të vet.
Ai don me ruejtun doket e veta, m’u zhvillue simbas kuptimeve të veta shoqnore e politike e me qênë vetë zot i shorteve të veta.
Tue qênë se deshiron me bashkëpunue edhe ai për Përparimin e përgjithshëm e me ruejtun vendin e vet në shoqnín e popujve të gjytetnuem, kërkon me kambëngulje nga Fuqít e Mëdhá qi t’i garantojë jetën e tij ethnike e politike.

Dokumenti 177, datuar 18 nanduer 1912, fq 158, letër private turqisht e Bedri Pojanit dërguar nga Tirana Mustafë Krujës, është një nga njoftimet e para për vendin ku do të bëhej mbledhja aq e pritur e për rëndësinë që kishte pjesëmarrja e Kaçorrit:
“... Âsht vendue qi mbledhja të bâhet në Vlorë. Lajmoni edhe Dom Nikollë Kaçorrin”.

Dokumenti 187, faqe 171, datuar maj 1913 është koncept telegrafe zyrtare drejtuar Qeverisë së Përkohshme në Vlorë nga Avdi Bé Toptani, që ndodhej në Tiranë. Argumenti: “Proponime për zbërthimin e krizës së shkaktuar prej qëndrimit të Esad Pashës”. Ndërmjet tjerash, shkruhet: “... Veç mbas tri ditsh bisedimesh e kuvêndimesh të gjata, në të cilat kanë shtrydhur trutë sa kanë mundun, posë meje edhe Fuat Beu, Murat Beu, zotni Mustafa e sidomos Kaçorri, qi âsht mundue për këtë qellim mâ shumë se të gjithë na...”,
Vijojnë kushtet për mbledhjen e qeverisë në një kuvend të ri dhe lista e delegatëve. Telegrami, ndërmjet të tjerëve, u dërgohet ipeshkvijve të Kishës Katolike: Imzot Serreqit, kryipeshkëv i Shkodrës; Imzot Bumçit, ipeshkëv i Kallmetit, imzot Kolecit, ipeshkëv i Nënshatit, imzot Shllakut, ipeshkëv i Pultit; abatit të Mirditës, imzot Doçit dhe kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Bianchit.

Dokumenti 271, faqe 238, datuar korrik 1914, është Kopje e statut-rregullores së Lidhjes ”Për Atdheun e për Thronin”, themeluar nga imzot Kaçorri, në Durrës, më 28 qershor 1914, me pjesëmarrje të një grupi intelektualësh atdhetarë.
Qëllimi: “Që t’i shërbenjë e t’i ndihmojë me këshilla e me mjete të tjera MT Mbretit e Qeverrieës në përpjekjet e tyne për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikshme në të cilat ndodhet sot...” Do të qeveriset prej nji këshilli prej 22 vetësh.Themelues Kaçorri. Nënkryetar, Gurakuqi.







All the contents on this site are copyrighted ©.