Imzot Tomazi: civilët, viktimat e para në konflikte, dështim i njerëzimit
Viktimat civile të konflikteve të armatosura janë provë e dështimit të përpjekjeve
të bashkësisë ndërkombëtare për të ndërtuar qytetërime paqësore: këtë pohoi dje imzot
Silvano Maria Tomazi, në fjalimin, mbajtur në Gjenevë, gjatë një takimi të organizuar
nga OKB-ja për përdorimin e armëve konvencionale.
Vëzhguesi i përhershëm i
Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në qytetin helvetik, denoncoi
humbjet e jashtëzakonshme njerëzore, pasojë e përdorimit të armëve, posaçërisht në
zonat e urbanizuara. Gjatë sulmeve, pohoi prelati, shikohen në radhë të parë interesat
etnike, fetare ose kombëtare, ndërsa civilët harrohen fare. Pavarësisht nga konventat
ndërkombëtare, që përpiqen ta kufizojnë të drejtën e forcave ndërluftuese për përdorimin
e mjeteve posaçërisht vdekjeprurëse të luftës, civilët e pafajshëm të zonave të banuara,
pohoi imzot Tomazi, vijojnë të jenë viktimat e para të konflikteve të armatosura,
viktima që palët në konflikt i quajnë dëme anësore. Kështu, shumica e të vdekurve
dhe e të plagosurve janë civilë e dëmet rëndojnë posaçërisht mbi infrastrukturat civile
dhe mbi burimet bazë për jetesën e popullsive të tëra. Kjo, theksoi vëzhguesi i Vatikanit,
dëshmon qartë se parimet themelore të së drejtës humanitare ndërkombëtare shpesh nuk
respektohen. Veç kësaj, këto sulme shkaktojnë edhe trauma psikologjike, duke i dhënë
fund zhvillimit për shumë vjet. Më të dëmtuarit janë gjithnjë fëmijët e gratë, gjë
që hap plagë, të cilat nuk shërohen lehtë e ushqen urrejtje, që vijojnë për shumë
vjet. Kjo e bën edhe më të vështirë, për të mos thënë të pamundur, pajtimin. Palët
ndërluftuese duhet ta pranojnë përgjegjësinë e tyre si shkaktare viktimash. E ta
shikojnë ndihmën e viktimave si e drejtë njerëzore e pamohueshme, që përbën bazën
etike të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Imzot Tomazi nënvizoi faktin se qeveritë,
forcat e ushtarake të të cilave impenjohen në konflikte të armatosura, e marrin tepër
seriozisht opinionin publik, kur bëhet fjalë për viktima nga trupat e tyre. Fatkeqësisht,
nuk ndodh e njëjta gjë për viktimat civile, që nuk i përkasin bashkësisë kombëtare.
Të huajtë edhe mund të vriten, mjafton të shpëtojnë tanët, është logjika e këtij fakti
të trishtuar. Sot, vëren prelati, shumë zëra ngrihen për ta vënë në diskutim përdorimin
e këtyre armëve vdekjeprurëse në zonat e populluara, por rruga që duhet përshkuar
për të realizuar objektivin e mbrojtjes së civilëve, mbetet ende e gjatë. Në përfundim,
nënvizon Imzot Tomazi, mund të pohohet gati me siguri se është e pamundur të përdoren
armë shpërthyese në zonat e populluara e njëkohësisht, të respektohen edhe parimet
e së drejtës ndërkombëtare humanitare, që kërkon mbrojtjen e civilëve.