2012-11-15 15:46:46

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa e katërt


Në emisionet e fundit kemi filluar komentimin e “Besojmës” së krishterë, duke e shqyrtuar atë fjalë për fjalë. Deri të enjten e kaluar arritëm në çastin e kryqëzimit të Jezu Krishtit, duke u ndalur menjëherë para ringjalljes së Birit të Zotit, me të cilën Ai mundi edhe vdekjen. Pra, kemi thënë: “Besoj në një Hyj të vetëm, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës, të të gjitha sendeve që shihen dhe nuk shihen. Edhe në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin, një të vetmin Birin e Hyjit, të lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. Të lindur, jo të krijuar, të njëgjëjtë me Atin: Nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha sendet. Ai për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiellit. E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt, në kraharorin e Virgjërës Mari: e u bë njeri. Dhe u kryqëzua për ne nën Poncin Pilat. Pësoi dhe u varros”. E tani vazhdojmë me:
- “u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve”.
Pse “Besojma” thotë “të tretën ditë”? Sepse ishte vërtet dita e tretë pas së premtes, kur Jezusi vdiq në Kryq. Ishte pra ditë e dielë, dita e ringjalljes. Sa dyshime mbi ringjalljen e Krishtit, nganjëherë edhe nga ata, që i thonë vetes të krishterë? E pra, për ringjalljen e Tij, ka dëshmitarë, siç shkruhet në Ungjill. Madje do të ishte interesante të diskutohej si dukej trupi i Jezu Krishtit pas ringjalljes, pasi të vetët nuk e njihnin menjëherë, por vetëm pasi Ai u thoshte kush ishte. Ringjallja është diçka që nuk njihej në lashtësi, por edhe sot, sa nga ne nuk mendojnë për të kur dëgjojnë për ndonjë të vdekur, kur marrin pjesë në ndonjë funeral? Nganjëherë, jemi gati të besojmë në rikthimin në jetë në forma të tjera, siç parashikon budizmi, por harrojmë se Jezu Krishti nuk na ka përgatitur një sërë jetësh, për t’i jetuar në mënyra të ndryshme, herë të lumtura e herë jo. Ka përgatitur për ne një fat të fundmë, një horizont nga i cili t’i kthejmë sytë me shpresë: Parajsa, Ringjallja. Madje e pati thënë që në të gjallë – na sqaron “Besojma” – duke u shpjeguar dishepujve të vet Shkrimin e Shenjtë, ku flitej për këto ngjarje.
- “e u ngrit në qiell”.
Ngjitja e Jezu Krishtit në Qiell! Flitet për këtë në kapitullin e parë të Veprave të Apostujve. Jezusi, pas përfundimit të misionit të tij në tokë, kthehet tek Trinia e Shenjtë, me korp e shpirt. Por vepra e Tij nuk ndërpritet, pasi Krishti ia lë me testament Kishës. Shkruhet në Ungjillin sipas Mateut: “Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë - deri në të sosur të botës!”(28,19-20). E Kisha na mëson se Jezu Krishti është vërtet me ne, së paku në gjashtë mënyra: në Eukaristi; në Fjalën e Zotit; në mesin e dy o tre vetëve, të mbledhur në emër të Tij; në të afërmin; në shpirtin e secilit që është në hirin e Tënzot; në magjisterin e Kishës, kur flitet në emër të Tij.
- “rri në të djathtën e Atit”.
Në Qiell - jo në një tavan diku lart mbi kokat tona, por në një qiell të konceptuar si banesë hyjnore – Jezusi është me Atin e me Shpirtin e Shenjtë. Kjo frazë e “Besojmës” na jep të kuptojmë rëndësinë e Jezu Krishtit në Trininë Shenjte: “rri në të djathtën e Atit”. Në gjuhën e fillimit të krishterimit, në të djathtën e mbretit, qëndronte njeriu i dytë më i rëndësishëm i mbretërisë. Ky është Jezu Krishti në krahasim me Atin Qiellor.
“Besojma” e krishterë vazhdon me ardhjen e Birit të Hyjit në fundin e kohrave, por për këtë do të flasim në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.