2012-11-15 15:44:30

Mozaik nga veprimtaria e Kishës sot


Sot Papa Benedikti XVI u takua me 11 prelatë të Konferencës Ipeshkvnore të Francës, në vizitë ‘ad Limina Apostolorum”. Ky është grupi i dytë i ipeshkvijve francezë, që takohet me Papën.

Filloi sot Konferenca XXVII ndërkombëtare, organizuar nga Këshilli Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, me temë. “Spitali si vend i ungjillëzimit, mision njerëzor e shpirtëror”.
Punimet u hapën me Meshën Shenjte, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Në homelinë e rastit, Hirësia e Tij komentoi leximet liturgjike, duke u ndaluar tek përgjigjja e pyetjes: “Kur do të vijë mbretëria e Zotit? (Lk.17 , 20)
Zoti nuk ka nevojë të brohoritet, e aq më pak, të përligjet, theksoi Kardinali Bertone. Ai punon në zemra, në ndërgjegje, vepron në univers e gjindet shpesh herë, aty ku më pak e presim. Zoti, pohon Psalmi, e ngre përsëri në këmbë njeriun e rrëzuar, njeriun e sëmurë, për të cilin do të flitet në Konferencën kushtuar mjediseve spitalore dhe misionit të Kishës në ungjillëzimin e tyre, që vijon prej dymijë vjetësh, me bindjen, siç nënvizonte edhe Gjon Pali II, se çdo njeri bëhet udhë e Kishës, e në mënyrë të veçantë, kur në jetën e tij hyn vuajtja.
Si kujtoi se mjekësia moderne nuk duhet ta shikojë njeriun si mjet, si objekt pa dinjitet, që mund të përdoret sipas interesave të kërkimeve shkencore, por si qëllim i çdo metode, Hirësia e Tij u ndalua tek porosia, që Shën Kamili u jepte sivëllezërve të tij, rregulltarë spitalorë: “Ndihmojeni njeriun e sëmurë me zemër në dorë”.
Pas Meshës, imzot Zigmund Zimovski, kryetar i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, hapi punimet e Konferencës, i pasuar nga imot Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Në përfundim të konferencës, pritet audienca me Papën.

Sot, në Sallën Markoni të Këshillit për Kërkime Shkencore, në Romë u hapën “Javët kulturore 2012-2013”, me temë: “Feja teologale dhe dijet njerëzore”. Gjatë Javëve kulturore 2012-2013, do të mbahet një cikël konferencash me titull “Feja teologale dhe shoqëria e globalizuar”, organizuar nga baritoria universitare e Dioqezës së Romës dhe profesorët e Universiteteve romake. Do të preken disiplina të ndryshme shkencore, për të vënë në qendër të vëmendjes forcën e fesë teologale në shoqërinë e në kulturën bashkëkohore.

U përurua sot në Romë, pranë zyrave të Veprës Romake të Shtegtimeve Faith Scroll (Rrotulla e pergamenës për fenë), vend ku shtegtarët mund të lënë mbresat e tyre, duke iu përgjigjur pyetjes: “Ç’përfaqëson feja për juve?”. Është një veprimtari që i kushtohet Vitit të Fesë.

Po sot, pranë Muzeumeve të Vatikanit dhe Muzeut të Artit Modern, në Romë, u mbajt një takim i rëndësishëm, me temë “Muzeumet dhe monumentete në luftë, 1939-1945. Londra, Parisi, Roma”. Synimi, të përfitohet nga përvoja e hidhur, për mbrojtjen e vlerave të artit, në kohë kur rrezikohen të humbasin përgjithmonë.

Pranë Universitetit Papnor të Salamankës, në Spanjë, sot u hap Kongresi i teologjisë, me temë “50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit” (1962-2012), organizuar nga fakulteti i teologjisë së Spanjës e të Portugalisë. Kongresin, me pjesëmarrje të shumtë profesorësh, teologësh e specialistësh të teologjisë, e hapi kardinali Antonio Maria Ruoko Varela, kryeipeshkëv i Madridit.

Kardinali Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos, sot ishte në Londër, ku mori pjesë në dy takime, gjatë të cilave paraqiti Fondacionin ndërkombëtar Oasis , themeluar e kryesuar prej Tij. Takimi i parë ishte një seminar, mbajtur në Westminster, seli e Parlamentit (House of Lords), i dyti, një konferencë pranë Heythrop College, një nga kolegjet e njohura të Universitetit të Londrës.








All the contents on this site are copyrighted ©.