2012-11-15 15:46:09

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: flasin dokumentet


Që Dom Nikoll Kaçorri ishte një nga figurat kryesore të lëvizjes për pavarësi, na e dëshmojnë pikërisht dokumentet: letërkëmbime e shkrime të kohës, që i kujtuam më lart, botuar nga Jezuitët në LEKA (Vjeta XII, 1940, numër i vetëm. Dok nr. 84, 100, 105, 140, 170, 172, 176, 177, 187, 271)
Po nisim t’ i shfletojmë:
Dokumenti nr. 84, fq 80, datuar 15 qershor ‘328, shkruar turqisht, është një letër, që Mustafa Kruja ia dërgon Sali Nivicës. I kushtohet luftimeve të Lezhës dhe Kryengritjes së Krús. Ndërmjet tjerash shkruhet: “... lidhja me ne do të sigurohet me anën e Dom Nikollit në Durrës. Para se të nisesh merrja adresën Dom Nikollit dhe epja kuj t’a deshiroje... ”.
Në vijim dokumenti përshkruan fillimet e lëvizjes në të gjithë Shqipërinë dhe porosit: “... Korrespondenca do të ishte mirë të bëhej shqip”.

Dokumenti me numër 100 (fq 99), është një letër e Sali Nivicës, drejtuar Timzot Nikollë Kaçorrit, nga Vlora, në Durrës, ku flitet mbi kryengritjen e Krús, mbi gjendjen e Vlorës dhe mbi çështjen e kryengritjes. Datohet Vlorë, 20 qershuëri 1912 e nis me fjalët “I nnershëm e i shtrenjtë atdhetâr... Vijon pastaj me: “Pra, i dashtun e i nnershem Kaçorri, punët e këtushme janë kështu si po i kallëzoj, por me gjithë ketë prapë shpresohet se “nji gjâ kanë për ta bâ, por se si e kûr s’dihet. Mua vetem më thanë e më komanduan qi në qoftë se lëviz Tirana e Elbasani, ose në qoftë se vijnë gegët me na fuqizue, (se me të vërtetë kanë nevojë për armë) jemi gati e në kammë qysh sodi.
... Ketë letrë munneni me e derguë edhe në kryengritje a gjetiu e për dobië ose munneni me i shkruë këto lajme, se më duket janë të interesantshëm”.Nënshkruar: Dedë Gjoni
(Pseudonim i Sali Nivicës)
Dokumenti 105, faqe 94-95, datuar 3 korrik 1912, është një letër tjetër e Sali Nivicës, drejtuar Dom Nikollë Kaçorrit, në të cilën përshkruhet përgatitja e Delvinës për të marrë pjesë në kryengritje. E, nga Delvina, kalohet përmbledhtas në gjendjen e gjithë vendit. Kulmi i letrës mbërrin me kumtin: “Shpresoj se me të mërrimit në Kurvelesh ka me kricë; pse Zotnî, po plasi më një vend, atë çast merr zjarm më të katër anët...”.Nënshkrimi: Ded Gjoni
Dokumenti 140, datuar Durrës, 21 korrik 1912, është një letër private, që imzot Nikollë Kaçorri ia drejton nga Durrësi Avdi Bej Toptanit, në Skuraj. Paraqet interes të posaçëm, sepse pasqyron qëndrimin e Timzot Serreqit dhe situatën rreth kryengritjes.
Kaçorri ankohet se argjipeshkvi i Shkodrës, Serreqi, nuk e mbajti fjalën, nga frika se mund ta ndalojë Austria, në sa kryengritja në Kosovë vlon. “... ene nder këto ana, thekson Kaçorri në letër, lypsen të bâhen veprime të forta, sikurse ai i Bregut të Matës, qi t’a marrë vesht mirë Europa se gjith Shqypnija po lufton trimnisht për të drejtat e veta... Flitet se nji komision do të vijë në Shqypni prei Stambollit e lypset me hapë syyt mos të rrehet halia çorre e mos të na fusë të dame e të vrame shoq me shoq!
... Ju falem shumë me shndet e Perendia ju dhasht fuqi”. Nënshkrimi “Kunora”.Këto dokumete, e të tjera, me të cilat do t’ju njohim në emisionin e ardhshëm, dëshmojnë se, në sa Ismail Qemali vijonte të impenjohej në Parlametin turk, Dom Kaçorri thoshte çdo ditë dy ‘Meshë’: një në elter të Kishës e një tjetër, në atë të Atdheut. Prandaj edhe u zgjodh për të përfaqësuar atë Kishë, që ishte e do të jetë përherë përkrah popullit për realizimin e aspiratave të tij.
Në emisionin e ardhshëm, pra, dokumentet tjera, ndërmjet të cilave, një manifest i vërtetë i Rilindjes së Shqipërisë, shkruar me dorën e Kaçorrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.