2012-11-14 16:42:58

Kryetari i ri i Akademisë Latinità: kush ndjek rrugën e meshtarisë, duhet ta njohë mirë latinishten.


Me një Motu proprio, botuar këto ditë, Benedikti XVI themeloi Akademinë Papnore Latinità (kushtuar gjuhës, kulturës, qytetërimit e traditës latine), që do të ketë për detyrë, pohon ndërmjet tjerash Papa, t’i hapë udhën studimit të gjuhës zyrtare të Kishës, e cila njihet gjithnjë më cektësisht edhe nga njerëzit e saj.
Për ta drejtuar Akademinë e re, Papa caktoi latinistin e shquar, profesor Ivano Dionigi, Rektor i Alma Mater Studiorum – pranë Universitetit të Bolonjës. E pyetëm si e priti detyrën e tij të re:

Përgjigje: - Me një ndjenjë mirënjohjeje të thellë, duke e ditur nga kush vjen ky emërim. Besoj se sot, në këtë vend, që rrezikon të bjerë në anoreksi kulturore, dhënia e ndihmesës në drejtime të ndryshme, ngritja e problemeve dhe përpjekja për të dhënë ndonjë përgjigje, duke u nisur nga larg, e pse jo, edhe nga latinishtja, duhet parë si shërbim që i bëhet bashkësisë së universitetit, e edhe bashkësisë, në përgjithësi.

Pyetje: - Ju folët për anoreksi kulturore, sëmundje nga e cila nuk shpëton as Kisha që, siç e theksoi kohët e fundit kardinali Ravazi, rrezikon ta harrojë fare latinishten, kulturën, traditën e qytetërimin e saj. A mund të na thoni ndonjë gjë konkrete për mënyrën si mendoni ta drejtoni Akademinë e re, duke nisur, kështu, ecjen në kah të kundërt...

Përgjigje: - Mendoj se hapi i parë është ripërfshirja e latinishtes në institutet rregulltare, posaçërisht në seminare. Nuk mund as të mendohet që njeriu, për rrugë kah meshtaria, të mos e njohë latinishten. E jo vetëm sepse në këtë gjuhë folën Etërit e Kishës, jo vetëm pse ishte gjuhë universale, por sidomos sepse Etërit e Kishës edhe shkruan pikërisht në gjuhën latine. Pastaj mendoj se duhet ndërtuar një urë me botën laike, e cila duhet ta kuptojë se ka nevojë për kulturën klasike, jo vetëm atë latine, por edhe atë greke. Duhet të përpiqemi, prandaj, ta rikthejmë trekëndshin Athinë-Jeruzalem-Romë, duke përvetësuar trashëgiminë më të mirë, që na ka lënë. Është një pasuri e mirëfilltë, shumë shpesh, krejtësisht e panjohur! Por pa të nuk mund të flitet për kulturë të vërtetë, sepse përbën bazën e çdo fushe të zhvillimit të mendjes njerëzore! Mjafton të kujtojmë mjekësinë!

Pyetje: - Në Motu proprio-n e vet Benedikti XVI ringjall interesin për latinishten edhe në botën bashkëkohore hiperteknologjike: ç’përvojë keni në këtë aspekt?

Përgjigje: - Më duket se jemi para rikthimit të interesit për latinishten, për kulturën klasike, për letërsinë klasike. Një rikthim që, të themi të drejtën, ka dy fytyra. Në njërën anë janë njerëzit, që e shikojnë latinishten e kulturën klasike shtrembër, si simbol që ka të bëjë vetëm me dijetarët. E kjo nuk është aspak gjë e mirë. Ana tjetër e problemit është përpjekja për ta shfrytëzuar sa më shumë këtë gjuhë si dhe kulturën, që shprehet me këtë gjuhë. Duhet të rikthehemi tek shkrimet klasike, me aktualitet tronditës. Pse duhet të rikthehemi? Sepse përballë një letërsie me tekste shpesh tejet të varfëra, e varfëruese, një libër, si ai i Agostinit, i Senekës, i Lukrecit, autorë që i bënë ballë kohës e modave, i flet njeriut me një gjuhë, që sot nuk është më në gjendje ta përdorë, sepse me kulturë tejet të varfëruar.

Pyetje: - Në një epokë, si kjo jona, kur flitet për marketing të shkathtë, të shpejtë, larg kohëve të perënduara, kur s’njihej nxitimi, as vrapi i ethshëm, si duhet vepruar, që latinishtja të vlerësohet jo vetëm në mjediset kishtare?


Përgjigje: - Këtë mund ta them edhe me zë të lartë, duke theksuar se klasikët të mësojnë të mendosh mirë, me mendimin e tyre të madhërishëm. Po unë po kufizohem vetëm me një arsye, që mjafton plotësisht: në mos e bëfshim për kulturë, duhet ta bëjmë për interes, për pasuritë kulturore. Mund ta përligjim domosdoshmërinë e mësimit të latinishtes vetëm duke u nisur nga pasuria jonë kulturore. Pasuritë kulturore, i tërë Perëndimi ynë, tërë arti, gjithë letërsia lidhen pazgjidhshmërisht me latinishten. Si mund të vizitojmë një muzeum, të shikojmë një pikturë, një skulpturë, pa njohur latinishten... Në se nuk e bëjmë për bindje, duhet ta bëjmë për interes. Kemi një pasuri të madhe kulturore, që duhet njohur. E për ta njohur, duhet të formojmë njerëz, që e kuptojnë këtë traditë e ua shpjegojnë edhe të tjerëve, me përfitim të madh njerëzor e kulturor. Sepse kjo pasuri kulturore, mund të bëhet pasuri ekonomike e edhe mundësi për të hapur vende të reja pune për të rinjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.