2012-11-14 16:45:37

Konferencë ndërkombëtare në Vatikan me temë: “Spitali, vend ungjillëzimi, mision njerëzor e shpirtëror”


“Spitali, vend ungjillëzimi, mision njerëzor e shpirtëror”: kjo është tema e Konferencës së 27-të ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, e cila do të hapet nesër në Vatikan e do të vazhdojë deri më 17 nëntor. Meshën e përurimit, në Bazilikën e Shën Pjetrit, do ta kryesojë Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone. Për tri ditë, personalitete të Kishës e të shkencës, mjekë e vullnetarë nga të pesë kontinentet do të diskutojnë mbi gjendjen e sotme të spitaleve dhe mbi kujdesin e Kishës Katolike për të sëmurët, siç theksoi kreu i dikasterit vatikanas, imzot Zigmund Zimovski, në konferencën e djeshme të shtypit:
“Shkoni, mësoni e kujdesuni për të ligështit: ky është mandati i Jezusit, mbi të cilin bazohen dy veprimtari themelore e gjithnjë aktuale të Kishës së Tij, kumtimi i Fjalës së Zotit dhe kujdesi për të sëmurët”.
Në vendet e industrializuara, spitalet kanë shkurtuar personelin dhe zvogëluar numrin e shtretërve për shkak të krizës ekonomike, por nuk duhet të lënë mënjanë çështje të rëndësishme si respekti për jetën nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, apo humanizimi i kurave, theksoi imzot Zimovski. Ndërkaq, në vendet në zhvillim mungon kurimi bazë:
“…shpesh njerëzit vdesin për mungesë ilaçesh, që kushtojnë vetëm pak dollarë, si në rastin e terapive kundër malaries”.
Por siç ndodh në Shqipëri, mund të kesh në dispozicion ilaçe të skaduara, ose që nuk japin efektin e menduar, pasi jo të cilësisë së mirë. E përveç ilaçeve mungojnë edhe mjetet për diagnostikimin e sëmundjeve dhe specializimi i personelit mjekësor. Këtu ndërhyn Kisha Katolike, me 120 mijë institucionet e saj shëndetësore në zonat më të humbura të planetit. Përsëri imzot Zimovski:
“Burimet e pakta në dispozicion të këtyre spitaleve aktive në rajonet më të varfëra, dëshiroj ta nënvizoj, përdoren në favor të popullsisë pa dallime feje, ose përkatësie etnike, ashtu siç na mësojnë Fjala e Zotit, Kisha e historia e misioneve”.
Konferenca, që fillon nesër, ndahet në tri ditë, secila me temën e vet: “Historia e Misioni” , “Etika dhe Humanizimi”, “Përshpirtëria dhe Diakonia e Bamirësisë”. Të shtunën paradite, në përfundim të saj, në Sallën Pali VI në Vatikan, do t’u flasë të pranishmëve edhe Papa Benedikti XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.