2012-11-13 14:49:48

Ndihma e Papës për refugjatët sirianë, në tregimin e të dërguarit në Liban, kardinalit Robert Sarah.


Në sa kardinali Sarah përfundon vizitën e tij në Liban, me sytë drejtuar nga Siria, Lidhja Arabe njeh ligjshmërinë e koalicionit të opozitës siriane, formuar në takimet e Dohës, në fundin e javës së kaluar. Edhe sekretari i përgjithshëm i Nato-s, Rasmussen, i shikon marrëveshjet si një hap para, por në terren dhuna nuk ndalet: të paktën 110 viktima gjatë 24 orëve të fundit, në ndeshjet ndërmjet kryengritësve e ushtarakëve, shumica civilë. E ndërsa Turqia shpreh gatishmërinë për t’iu përgjigjur shkeljeve të reja, të mundshme, të kufirit, kampet e refugjatëve vijojnë të përballojnë një emergjencë në rritje, në kushte jashtëzakonisht të vështira.RealAudioMP3
“Jam thellësisht i prekur nga dinjiteti i madh i këtyre njerëzve, burra e gra, refugjatë në një vend të huaj, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, nga fshatrat e tyre, nga Atdheu i tyre i dashur, Siria, pas një shtegtimi të rrezikshëm prej qindra kilometrash” Përgjigjet kështu, në një intervistë dhënë Radios sonë, kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, duke folur për mbresat e tij, në përfundim të misionit delikat në Liban, besuar nga vetë Papa Benedikti XVI. Po ju njohim sot, me pejsën e parë të intervistës.

Pyetje: - Hirësi, cilat ishin arsyet dhe qëllimet e këtij udhëtimi e sidomos, si u prit nisma e Papës nga autoritetet fetare e civile, që takuat në Liban?

Përgjigje: - Shumë mirë, shumë mirë. Në radhë të parë ishin vëmendja e Atit të Shenjtë, pohuar më 7 nëntorin e kaluar, për viktimat e konfliktit të tmerrshëm sirian, lutjet e tij, thirrjet, kërkesat e qarta, që më çuan në Liban. Benedikti XVI e ka vizituar personalisht këtë vend në shtatorin e kaluar e, gjatë vizitës, i pati shprehur popullsisë afërsinë e tij si dhe shqetësimin për zhvillimet e mëtejshme të krizës siriane, që krijon rreziqe serioze për ekulibrin në të gjithë zonën e Lindjes së Mesme. Papa i ka shumë për zemër Sirinë, Libanin dhe gjithë këtë zonë.
Së dyti, shkova për të vënë në jetë nismën e Etërve Sinodalë të cilët, në kulmin e diskutimeve për të sotmen e ungjillëzmit, kërkuan të organizohet një shtegtim solidariteti drejtpërdrejt në Siri, shtegtim që, për shumë arsye, nuk u realizua. Synimi i vizitës sime ishte pikërisht shprehja e këtij solidariteti, e kësaj afërsie të Papës e të Etërve Sinodalë. Si kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, së bashku me sekretarin, Xhampietro Dal Tozo, planifikova edhe takime me organizmat bamirëse katolike të impenjuara në strehimin dhe ndihmën operative të nevojtarëve, të të shpërngulurve nga Siria dhe të refugjatëve nga vendet fqinje, për të thelluar e për të koordinuar më mirë ndihmat. Perspektiva më e mundshme është ajo e punës për një periudhë të gjatë, për një emergjencë, që nuk do të përfundojë shpejt, madje ndoshta do të thellohet më tej, duke kërkuar punë gjithnjë më kapilare e më intensive në territor nga ana e të gjithëve. Gjithsesi, më duket shumë me rëndësi vullneti i të gjitha organizatave për të punuar së bashku e për të dëshmuar së bashku se Zoti është gjithnjë pranë njerëzve, që vuajnë në njëmijë mënyra, se i do e nuk do t’i lëshojë kurrë dore.

Pyetje: - Ç’ ju preku më shumë gjatë takimit me refugjatët e çasteve të tjera më të rëndësishme të vizitës?

Përgjigje: - Ajo që të prek më shumë, është se kampet e refugjatëve janë pa ujë, pa dritë, pa masa higjienike, ndërsa popullsia siriane e pranishme përbëhet më shumë nga gra e fëmijë. Gjatë vizitës u takova me ta, por pata takime edhe me Patrikun maronit, me Sinodin e ipeshkvijve maronitë në Liban, si dhe me Patrikun armeno-katolik. Presidenti i Republikës së Libanit pati nderin të më priste: kuptohet vetvetiu se u kujtua menjëherë vizita e fundit apostolike e Atit të Shenjtë në Liban, që pati rëndësi të jashtëzakonshme për mbarë rajonin. Më preku thellë takimi me Patrikun greko-ortodoks të Damaskut, Injacin IV, që deshi të bisedonte me mua pa tjetër, ndonëse ishte i shtruar në spital: ai nguli këmbë në dëshminë e përbashkët, të nevojshme, vëllazërore. Dita e enjte, 8 nëntor, iu kushtua vizitës së refugjatëve. Për t’i takuar, shkova deri në kufirin me Sirinë. Pashë vuajtje të papara e të padëgjuara. Një nënë deshi të më besonte të birin katër muajsh, sepse i shoqi kishte mbetur në Siri e ajo nuk e dinte në se do ta shikonte më. Ndërsa në kushtet e jetës së refugjatit, kishte frikë se i biri mund t’i vdiste në krahë. Disa refugjatë të krishterë më kërkuan t’i lutem Papës t’i ndihmojë për t’u rikthyer në shtëpi. Impenjimi i Kishës, përmes organizmave të saj, për këto njerëz, është i lavdërueshëm, ndonëse burimet janë të pakta, në krahasim me nevojat: duhet të garantohet jetesa e përditshme me shërbimet më të domosdoshme, duhet menduar për shkollimin e fëmijëve, e, mbi të gjitha, për një strehë. Të gjitha këtyre problemeve iu kushtua takimi i datës 9 nëntor, me përfaqësuesit e kishave lokale dhe të 26 organizmave të bamirësisë, së bashku edhe me nuncët apostolikë në Liban e Siri. Takimi ishte shumë i nevojshëm për t’u njohur me shpërndarjen e ndihmave deri tani si dhe për studimin e mundësive të ndihmesës në të ardhmen.

Pyetje: - Ç’mund të bëjë konkretisht Kisha për t’i ndihmuar njerëzit në këto situata?

Përgjigje: - Njerëzit kanë nevojë sidomos për ushqim, për ilaçe, për ujë, për elektricitet, sepse kur erret, nuk shihet asgjë. Takimet e ndryshme, që zhillova, më treguan se kanë shumë rëndësi lutjet, fjalët e veprat. Thirrjet për paqe e pajtim, drejtuar nga Ati i Shenjtë palëve në luftë, të gjithë autorëve të këtij konflikti të përgjakshëm, e, sidomos, bashkësisë ndërkombëtare, që të lëvizë sa më parë; e pastaj, lutja e tij e pandërprerë, afërsia e tij shpirtërore, bashkuar me nismat konkrete e solidarietin, që po vihet në jetë prej muajsh, duke nisur që nga çasti i parë në të cilin konflikti filloi të shkaktojë viktima të pafajshme; këto tre hapa kanë rëndësi themelore. Në një farë mënyre vënë theksin mbi misionin e trefishtë të Kishës. Më preku thellë fakti që, gjatë takimit tonë të koordinimit, shumë zëra e nënvizuan rolin vendimtar të Kishës për t’i hapur udhën pajtimit. Çdo konflikt lë pas plagë të thella, e në se këto nuk shërohen, paqja mbetet krejt e brishtë, mbetet në fasadë. Duhet të mbartim kudo mesazhin tonë të paqes e të pajtimit, është shërbim shpirtëror, që ndoshta, vetëm Kisha, përmes ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e laikëve, mund ta kryejë.







All the contents on this site are copyrighted ©.