2012-11-13 14:50:44

Mozaik nga veprimtaria e Kishës sot


Sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit u mbajt një takim i Selisë së Shenjtë me gazetarët, gjatë të cilit u paraqit Konferenca XXVII ndërkombëtare, organizuar nga Këshilli Papnor për punonjësit e shëndetësisë, me temë “Spitali, si vend i ungjillëzimit, mision njerëzor e shpirtëror”. Folën Shkëlqesia e Tij, imzot Zigmund Zimovski, kryetar i dikasterit papnor dhe shumë autoritete të tjera kishtare e civile, që merren me fushën e shëndetësisë.

Pasdite, në orën 16.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kardinali Anxhelo Komastri kremtoi një Meshë, në atmosferën e Festivalit ndërkombëtar të muzikës e të artit kishtar, që vijon në Romë prej më se një jave, duke tërhequr fort vëmendjen e artdashësve me disa koncerte, ndërmjet të cilave, ai i Filarmonisë së Vjenës, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve.
Ndërsa sot Meshën e shoqëroi Kori i Katedrales së Uestminsterit, drejtuar nga Martin Beker.

Menjëherë pas Meshës, në Kapelën Sikstine u ndoq koncerti “Ubi Petrus, ibi Ecclesia”, dhënë nga i njëjti kor, së bashku me Korin e Kapelës Muzikore Papnore “Sikstina”.

Tashmë në mbarë botën kanë filluar nisma të ndryshme për kremtimin e Vitit të Fesë. Një nga këto është edhe seminari i studimit për ipeshkvijtë italianë me temë “Të besosh në Krishtin e të shuash etjen në burimin e Tij: Viti i Fesë dhe ungjillëzimi i ri”. Takimin e hapi sot kardinali Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos, me referatin e titulluar “Sinodi për Ungjillëzimin e Ri”.

Në Paris, Konferenca ipeshkvnore franceze i paraqiti shtypit nismat për Ditën Botërore të të drejtave të fëmijës, që do të kremtohet më 20 nëntor.







All the contents on this site are copyrighted ©.