2012-11-13 14:50:30

Kardinali Koh: ndarja e të krishterëve, pengesa më e madhe për ungjillëzimin


Filloi dje pasdite, në selinë e dikasterit, e do të vijojë deri më 16 nëntor, mbledhja plenare e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Në qendër të vëmendjes, tema: “Rëndësia e ekumenizmit për ungjillëzimin e ri”. Takimi flet vetë për vazhdimësinë e Sinodit të Ipeshkvijve, mbajtur pak kohë më parë në Vatikan, siç e shpjegon, në mikrofonin tonë, kardinali Kurt Koh, kryetar i dikasterit për bashkimin e të krishterëve:RealAudioMP3

Përgjigje: - Pas Sinodit për Ungjillëzimin e Ri, ne po thellohemi në këtë argument, parë në përmasën ekumenike. Lidhjen e ngushtë ndërmjet ungjillëzimit të ri dhe ekumenizmit e gjejmë që në lutjen e Jezusit. Zoti i lutet Atit qiellor, që të gjithë dishepujt e Tij të jenë një gjë e vetme, nga që vetëm kështu bota do të besojë se Ai është vërtet Biri i Zotit. Që mesazhi i Ungjillit të bëhet i besueshëm për njerëzimin, kjo varet shumë nga bashkimi i të krishterëve. Përçarja ndërmjet tyre është pengesa më e madhe e ungjillëzimit.

Pyetje: - Dy fjalë për zhvillimin e kësaj mbledhjeje plenare?

Përgjigje: - Mbledhja nisi me fjalimin e hapjes, kushtuar temës së plenares, pasuar nga raporti rajonal, duke pasur parasysh se situata në kontinente të ndryshme, nuk është aspak e njëllojtë. Unë do t’i dëgjoj të gjitha të dhënat për situatat e ndryshme, do të informohem për sfidat e ungjillëzimit të ri në të gjitha zonat. Më pas do të diskutojmë në grupe, për të parë si mund të reflektojmë mbi këto tema. E qartë se do të bashkëpunojmë me Këshillin për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

Pyetje: - Është e vërtetë se situata në kontinente të ndryshme, nuk është e njëjtë, por sigurisht që këto ndryshime i lidh një fill të kuq, i njëllojtë për të gjithë...

Përgjigje: - Ati i Shenjtë, gjatë vizitës së tij në Erfurt, në takimin me përfaqësuesit e Kishës Evangjelike në Gjermani, pati thënë se gjëja e parë që duhet të bëjmë sot për ekumenizmin, është të japim të gjithë së bashku dëshminë e pranisë së Zotit, dëshminë, që i tregon botës se ky Zot është në qendër të rruzullimit e të jetës së tij. Kemi të bëjmë, pra, me çështjen e qendërsisë së Zotit: kjo është sfida kryesore sot për të krishterët, që duhet të gjejnë rrugë e mënyra të përshtatshme për ta dëshmuar bashkërisht Fenë e Ungjillin.







All the contents on this site are copyrighted ©.