2012-11-13 14:53:13

Kardinali Filoni në Universitetin Urbanian: të bëjmë sintezën ndërmjet kulturës, historisë e fesë


Përurimi i viti të ri akademik 2012-2013 në Universitetin Papnor Urbanian në Romë, qe rasti për të folur mbi marrëdhëniet ndërmjet kulturës, historisë e fesë, në këndvështrimin e Kishës Katolike. Siç tha prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni, gjatë homelisë së meshës, ky universitet përgatit nga pikapamja teologjiko-kulturore persona të destinuar të shërbejnë në Kisha të reja, në formim e sipër, në toka misioni e ungjillëzimi, ku duhet të kenë mirë parasysh kulturën vendase e të dinë si ta gërshetojnë me Ungjillin e Krishtit.
Tri, pikat kryesore të reflektimit të kardinalit Filoni: përgatitja kulturore e konceptuar si formim në historinë e shëlbimit të Krishtit për të gjithë popujt; misioni i meshtarëve, i rregulltarëve dhe i laikëve, në shërbim të Zotit e të Kishës dhe; Viti i Fesë. “Kisha – theksoi prefekti, që është njëkohësisht edhe Kancelar i Madh i Universitetit – duhet t’i përgatisë lajmëtarët e shëlbimit, duke pasur parasysh dy pole, që bëjnë pjesë në të njëjtën logjikë: Fjalën e Mishëruar të Zotit në Krishtin dhe historinë e njerëzimit, që Koncili II i Vatikanit e ka përmbledhur në kategorinë bibliko-ungjillore të “shenjave të kohërave””.
Është e nevojshme, nënvizoi më tej kardinali Filoni, të bëhet një sintezë ndërmjet kulturës, historisë e fesë, pasi Lajmi i Mirë i shëlbimit sjell fryte vetëm nëse vepron thellë e ndërthuret me doket e zakonet lokale. Për këtë arsye, Kisha duhet të punojë më mirë në fushën e formimit kulturor e teologjik të misionarëve e të personave që shërbejnë aty, ku krishterimi fillon e hedh rrënjë, por edhe aty, ku shoqëria është kthyer në shumëetnike, shumëkulturore e shumëfetare. Viti i Fesë është rast i mirë për ta gjallëruar këtë impenjim.







All the contents on this site are copyrighted ©.